Mediavulg
Nga portali Lapsi mësohet se ka ardhur momenti të shprehim realisht solidaritet me tragjedinë siriane, duke jetësuar ato tipare që valëvisin me mburrje si virtyte kolektive:
Nga një vend që “prodhojmë” azilkërkues në vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria do të strehojë 75 mijë refugjatë sirianë. Kështu shkruajnë disa prej mediave prestigjoze ndërkombëtare.
Por pa të lënë kohën e befasimit, portali e shndërron menjëherë dëshpërimin e mijëra sirianëve të ikur nga konflikti në propagandë. Shqetësimi parësor duket fshehja e vendimit. Armët kimike dhe njerëzit parqiten sinonime në sfondin e demagogjisë me fatkeqësinë:
Deri më tani ky vendim është mbajtur i fshehtë nga publiku në Shqipëri, njësoj si në rastin kur po negociohej për marrjen e armëve kimike të Sirisë. E ndërsa s’i mori armët, Rama duket se do t’i pranojë Sirisë disa nga refugjatët e saj të luftës. Sipas këtyre raportimeve, sirianët do të strehohen nëpër kazerma të vjetra ushtarake. Nuk dihet ende vërtetësia e këtyre raportimeve, në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova po riatdhesojnë përditë shqiptarë që kanë marrë rrugën në kërkim të azilit.
Normalisht shqetësimi parësor në përcjelljen e lajmeve do të duhej të ishte burimi i informacionit. Për këtë Lapsi mjaftohet me citimin e dy gazetave, Bild dhe The Telegraph, por asnjëra prej tyre nuk e raporton gjëkundi një lajm të tillë. Duke nënvizuar se kjo nuk e përjashton aspak mundësinë e bisedimeve jopublike rreth çështjes, fokusimi shkon te mënyra e të bërit gazetari, pasi portali përpiqet të certifikojë atë çka pretendon se njeh ose dëshiron të njohë me një (dy) sajim, që pastaj shndërrohet në informacion e merr dhenë virtuale. Vërtetë lajmi mund të gjendet i cituar në ndonjë faqe në anglisht, por burimi është një copëz twiter, e filtruar nga ABC, që të shpie të Lapsi.
Pra, sepse këtu ka parodi, miletit i serviret mashtruesi me mashtrim, dhe turma duhet të besojë prometejtë e gazetarisë, si pushtet i pavarur dhe i lirë. Po ç’liri dhe ç’pavarësi? Sigurisht jo varësi nga etika e as nga respekti ndaj publikut. Është një gazetari e ngjashme me modelin 1997, që kontribuoi në kthimin e vendit shkrumb e hi po aq sa edhe bandat. Dhe duket se nuk ka të sosur, përderisa baltaxhi dhe vjedhës artikujsh botohen si mendimtarë, të tjerë kanë zaptuar ekranet, aq sa mund t’i zëvendësojmë numrat e telekomandës me emrat e tyre. Tragjedia është se këto kanë monopolizuar edhe alternativën.