Steven Pifer
Reuters
Marrëveshja e armëpushimit Minsk II, më 12 shkurt, e arritur me ndërmjetësimin e kancelares gjermane Angela Merkel është e brishtë. Shumë analistë kanë pritshmëri modeste. Ditët e fundit po u japin të drejtë atyre.
Separatistët dhe forcat ruse kanë vazhduar sulmet ndaj forcave ukrainase në Debaltseve, pavarësisht armëpushimit që parimisht hyri në fuqi të shtunën e kaluar. Udhëheqësit e separatistëve pretendojnë se armëpushimi nuk është i zbatueshëm aty, kurse zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin pretendon se Moska nuk është pjesë e konfliktit ose e marrëveshjes.
Presidenti Barack Obama dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë vazhdojnë të shpresojnë që armëpushimi do të respektohet. Por, nëse Minsk II dështon, siç ndodhi me armëpushimin e parë të Minskut në shtator, do të rritet presioni ndaj Shtëpisë së Bardhë për të dhënë ndihmë ushtarake më të madhe – përfshi armë mbrojtëse – për Ukrainën.
Unë u bashkova me shtatë ish-zyrtarët e tjerë amerikanë dy javë më parë, për të mbrojtur idenë që Uashingtoni duhet t’i ofrojë Ukrainës ndihmë ushtarake më të madhe. Raporti ynë, shpjegoi që shumica e kësaj ndihme do të jetë në materiale jo vdekjeprurës, si radarë për të zbuluar origjinën e predhave armike ose zjarrin e artilerisë. Por me një përjashtim të madh: armë të lehta për të ndihmuar Ukrainën kundër tankeve dhe automjeteve të tjera gjuajtëse që kanë vërshuar në Ukrainën lindore.
Një ndihmë e tillë ushtarake do të përmbushte përkushtimin e Uashingtonin ndaj Ukrainës nën Memorandumin për Garanci Sigurie, Budapest, 1944 – një pjesë kyç e marrëveshjes me anë të së cilës Ukraina pranoi të hiqte dorë nga arsenali bërthamor, i treti në botë për nga sasia. Qëllimi specifik do të jetë të rrisë aftësinë e ushtrisë së Ukrainës për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse dhe, duke rritur koston e agresionit, ta detyrojë Moskën në vazhdimin luftës. Çështja është që inkurajohet Kremlini të kërkojë seriozisht marrëveshje politike.
Gjatë dy javëve të shkuara, Sekretari i Shtetit John Kerry u ka thënë anëtarëve të Kongresit se ai e përkrah ndihmën ushtarake për Ukrainën, diçka që e ka përkrahur dhe Sekretari i Mbrojtjes Ashton Carter. Deri tani, Obama ka pasur një qasje më të kujdesshme.
Mosveprimi shfaq më shumë rreziqe se ndihma ushtarake për Ukrainën.
Së pari, është mundësia që lufta dhe gjakderdhja të vazhdojë. Megjithëse ushtria ruse ka pasur, sipas raporteve, me qindra viktima, ajo vazhdon luftën. Moska me sa duket i konsideron humbjet e këtij konflikti të durueshme.
Së dyti, nëse Moska mendon që taktika që ajo ka përdorur në Ukrainë ka qenë e suksesshme, atëherë ajo mund të tundohet ta përdorë në vende të tjera. Kremlini pretendon t’i mbrojë rusët etnikë dhe rusishtfolësit kudo që jetojnë e me çfarëdo nënshtetësie. Po sikur Moska të provojë këtë luftën hibride në Estoni dhe Letoni, në “mbrojtje” të rusëve etnikë aty? Këto vende janë anëtare të Nato, për mbrojtjen e të cilave SHBA ka detyrim të reagojë.
Kritikët e dhënies së armëve mbrojtëse kanë dhënë një numër arsyesh pse Uashingtoni nuk duhet ta bëjë këtë. Le të trajtojmë argumentet e tyre kryesore.
Disa mendojnë se armatosja e Ukrainës mund të çojë në një luftë mes SHBA dhe Rusisë – madje në një konflikt bërthamor. Pse? Furnizimi me armë mbrojtëse nuk do të thotë furnizmi me avionë F-16 ose 82. Raporti ynë nuk rekomandoi dërgimin e trupave amerikane, dhe Ukraina nuk ka kërkuar trupa. Kievi nuk ka kërkuar as armë sulmuese. Ushtria ukrainase nuk ka mundësi të marshojë kundër trupave ruse pa predha kundërtanke.
Uashingtoni mund ta kontrollojë nivelin e ndihmës ushtarake. Kufizimet duhet t’i bëhen të qarta Kievit privatisht.
Kritikët shqetësohen, nëse SHBA i jep armë mbrojtëse Ukrainës, Rusia mund të nxitonte. Disa pretendojnë se Rusia është më e interesuar për Ukrainën sesa perëndimi. Dhe është e vërtetë. Por këta kritikë heqin një faktor kyç nga ekuacioni: Ukrainën.
Ajo nuk është thjesht një objekt në luftën Rusi-perëndim. Ukraina ka të drejtën e fjalës dhe duket që po aq – në mos më shumë – e interesuar për të ardhmen e saj.
Kritikët mendojnë, për më tepër, se shtimi i konfliktit mund të jetë ftesa për Kremlinin. Por mund të mos jetë kaq e thjeshtë. Shtimi padyshim që do të kërkojë përfshirje më të madhe të forcave ruse në një mënyrë që do të jetë e vështirë për Moskën ta fshehë ose mohojë.
Kjo përbën një problem për Kremlinin dhe Putinin. Sondazhet tregojnë se shumica e rusëve nuk duan që ushtria e tyre të luftojë në Ukrainë. Sa më shumë konflikt të shikojnë ata, dhe sa më shumë viktimat të ketë, aq më shumë do të bjerë përkrahja e Putinit.
Presidenti rus duket se nuk e vret shumë mendjen për ushtarët rusë të vrarë, por shqetësohet shumë nga ndikimi që ata kanë në përkrahjen publike të tij.
Përfshirja më e madhe e ushtrisë ruse do të bëhet më e dukshme për botën. Kjo jo vetëm që do të rrisë përkrahjen në Europë dhe vende të tjera, por mbajtja e sanksioneve dhe shtimi i masave të tjera shtrënguese do ta dëmtojë më tej ekonominë ruse. Disa kritikë pretendojnë se furnizmi i Ukrainës me armë mbrojtëse do t’i japë fund bashkëpunimit që është zhvilluar mes SHBA dhe Europës. Por ata nuk kanë fakte ta mbrojnë këtë. Merkel nuk është në favor të furnizimit me armë, por ajo pati një mundësi gjatë vizitës së saj në Uashington më 9 shkurt të paralajmëronte që ky veprim do të prishte unitetin transatlantik. Nuk e bëri.
Disa aleatë të Natos, janë dakord të ofrojnë armë për Ukrainën, nëse Uashingtoni e bën këtë. Ata përfshijnë Poloninë, vendet baltike, Kanadanë e ndoshta Britaninë. Skretari i Jashtëm britanik Philip Hammond e përjashtoi mundësinë e armatimit “tani për tani”. Por ai gjithashtu sugjeroi se Britania nuk do të bënte sehir ndërsa Ukraina shkërmoqet.
Mbajtja hapur e mundësisë për një marrëveshje politike që mund të trajtojë interesat ruse dhe ukrainase është pjesa e fundit e strategjisë. Megjithatë, një marrëveshje ka nevojë për një partner rus të gatshëm për të pranuar një përfundim të arsyeshëm.
Obama tani duhet të marrë në konsideratë furnizimin e Ukrainës me armë mbrojtëse dhe më shumë asistencë ushtarake, me qëllim për ta kthyer Moskën në përpjekje reale për gjetur një zgjidhje për paqe. Megjithëse ky veprim paraqet rrezik, mosveprimi i tanishëm është një kurs më i dëmshëm.