Noam Chomsky
intervistuar nga Adjunct Faculty
Mbi marrjen në punë të pedagogëve të përhoshëm
Kjo është pjesë e modelit të biznesit. Është njëlloj si të marrësh në punë njerëz me kohë të pjesshme, që te Wal-Mart i quajnë “bashkëpunëtorë”, punonjës që nuk u garantohet siguri shoqërore. Është pjesë e një modeli të korporatave të biznesit, i planifikuar për uljen e shpenzimeve të punës, dhe për rritjen e servilizmit në tregun e punës. Kur universitetet u bënë korporata, siç ka ndodhur rregullisht gjatë brezit të fundit si pjesë e sulmit të përgjithshëm neoliberal ndaj popullsisë, modeli i biznesit të tyre do të thotë se kufiri është ajo çfarë ka rëndësi. Pronarët realë janë drejtorët (ose legjislatorët, në rastin e universiteteve shtetërore), dhe ata duan t’i mbajnë sa më të ulëta shpenzimet dhe të garantojnë që punonjësit të jenë sa më e dëgjuar dhe e bindur. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë janë punonjësit e përkohshëm. Ashtu si punësimi i punëtorëve të përkohshëm është rritur në periudhën neoliberale, i njëjti fenomen shfaqet në universitete. Qëllimi është ndarja e shoqërisë në dy grupe. Njëri grup shpesh thirret “plutomia” (një term i përdorur nga Citibank kur ata këshillojnë investitorët e tyre ku të investojnë fondet e tyre), sektori i sipërm i pasurisë, globalisht por më shumë i përqendruar në vende si SHBA. Grupi tjetër, pjesa tjetër e popullsisë, “të pasigurtit”, ata që bëjnë një jetë të pasigurt.
Ky mendim herë-herë shfaqet hapur. Kështu, kur Alan Greenspan [ish-guvernator i bankës qendrore të SHBA] po dëshmonte para Kongresit më 1997 mbi mrekullitë e ekonomisë që drejtonte, ai tha qartë se një nga faktorët bazë të suksesit ekonomik të tij ishte vendosja e asaj që ai e quajti “pasiguri më e madhe e punëtorëve”. Nëse punëtorët janë më të pasigurtë, kjo është shumë e “shëndetshme” për shoqërinë, sepse, nëse punëtorët janë të pasigurt ata nuk do kërkojnë rritje rroge, nuk bëjnë grevë, nuk kërkojnë figuracione; ata do t’u shërbejnë pronarëve të kënaqur dhe me përulje. Kjo është optimale për shëndetin ekonomik të korporatave. Asokohe, të gjithë e konsideruan komentin e Greenspan-it si të arsyeshëm, duke gjykuar nga mungesa e reagimit dhe respektit të madh që ai gëzoi. Në rregull, kalojeni atë mendim te universitetet: si mund të siguroni “pasiguri më të madhe të punëtorëve”? Duke mos u garantuar vendin e punës, duke i mbajtur njerëzit varur në fije të perit që mund të flaken në çdo rast, me qëllim që ata më mirë të heshtin, të marrin rroga të vogla, dhe të bëjnë detyrën; dhe nëse ata marrin dhuratë lejen që të punojnë dhe një vit tjetër në kushtet mizerje, ata duhet ta mirëpresin dhe të mos kërkojnë më shumë. Kjo është mënyra për t’i mbajtur shoqëritë të frytshme dhe të shëndetshme nga këndvështrimi i korporatave. Dhe ndërsa universitetet shkojnë drejt modelit të korporatave, imponohet pikërisht pasiguria. Dhe kjo do shkojë më tutje.
Ky është një aspekt, por ka aspekte të tjera, që janë gjithashtu të njohura për industrinë private, një shtim të administratës dhe burokracisë. Nëse duhet të kontrollosh njerëz, duhet të kesh një forcë administrative që e bën këtë. Në SHBA, më shumë se në vende të tjera madje, ka shtresa menaxherësh njëra pas tjetrës, një lloj shpërdorimi ekonomik, por i dobishëm për kontroll dhe dominim. Dhe e njëjta gjë është e vërtetë në universitete. Në 30-40 vitet e fundit, ka pasur një rritje të theksuar në proporcionin e administratorëve të fakultetit dhe studentëve; niveli i pedagogëve dhe studentëve kanë mbetur relativisht në të njëjtin nivel me njëri-tjetrin, por proporcioni i administratorëve është rritur. Ka një libër shumë të mirë nga një sociolog i njohur, Benjamin Ginsberg, i titulluar The Fall of the Faculty: The Rise of the All-Administrative University and Why It Matters [Rënia e dekanatit: ngritja e universitetit administratë dhe pse ka rëndësi], i cili përshkruan me detaje administratën masive në stilin e biznesit dhe nivelet e administratës – dhe, sigurisht, administratorë të paguar shumë mirë. Kjo përfshin administratorë profesionalë si dekanët, për shembull, që në të shkuarën kanë qenë anëtarë të fakultetit që për ca vite tërhiqeshin për të shërbyer në administratë dhe pastaj ktheheshin në fakultet; tani ata janë kryesisht profesionistë, të cilëve u duhet të punësojnë zv/dekanë, sekretare, e kështu me radhë, një strukturë e tërë që u përshtatet administratorëve. E gjithë kjo është një tjetër aspekt i modelit të biznesit.
Por përdorimi i krahut të lirë të punës dhe punës së pasigurt është një praktikë biznesi që shkon pas deri në fillimet e sipërmarrjes private, dhe sindikatat u shfaqën si reagim. Në universitete, krah i lirë pune dhe punë e pasigurt do të thotë studentë ndihmës dhe të diplomuar (me bachelor). Studentët e diplomuar janë edhe më të pasigurt, për arsye të qarta. Ideja është që t’u përcillen udhëzime punëtorëve të pasigurt, e cila përmirëson disiplinën dhe kontrollin, por mundëson gjithashtu transferimin fondeve për qëllime të tjera veç arsimit. Shpenzimet, sigurisht, përballohen nga studentët dhe njerëzit që punësohen në këto vende pune të pasigurta. Por transferimi i shpenzimet te të tjerët është një karakteristikë e një shoqërie të ngjashme me biznesin. Në fakt, ekonomistët veprojnë në heshtje në këtë mjedis. Kështu, për shembull, supozojmë se gjeni një gabim në llogarinë tuaj dhe telefononi bankën në përpjekje ta rregulloni. Ju e dini çfarë ndodh. Ju bëni telefonatën dhe iu përgjigjet një mesazh i regjistruar që thotë “Ju duam shumë, kjo është menyja.” Ndoshta menyja ka atë që kërkoni, por ndoshta nuk e ka. Nëse ndodh që të gjeni opsionin e duhur, dëgjoni ca muzikë, dhe herë pas here hyn një zë e thotë “Ju lutem, prisni, vërtetë e respektojmë punën tuaj,” e kështu me radhë. Në fund, pas një periudhë kohe, mund të dalë një qenie njerëzore, e cila mund të bëjë një pyetje të shkurtër. Kjo është ajo që ekonomistët e quajnë “efiçencë”. Në terma ekonomikë, ky sistem ul shpenzimet ekonomike për bankën; sigurisht kjo shton shpenzimet mbi ju, dhe këtë shpenzime shumëfishohen nga numri i përdoruesve, që mund të jenë shifër e lartë – por kjo nuk llogaritet si shpenzim në llogaritë ekonomike. Dhe nëse vëzhgoni si funksionon shoqëria, e gjeni këtë gjithandej. Kështu universiteti ngarkon me shpenzime studentët dhe fakultetin, që jo vetëm janë blerë por dhe mirëmbahen në një mënyrë që garanton se studentët nuk do të kenë siguri. E gjithë kjo është e natyrshme brenda modelit të korporatave. Është e dëmshme për arsimin, por arsimi nuk është qëllimi i tyre.
Në fakt, nëse shikoni më thellë, kjo shkon edhe më thellë. Nëse ktheheni në fillim të viteve ‘70, kur nisi e gjithë kjo, kishte një shqetësim të madh në të gjithë spektrin politik në lidhje me aktivizmin e viteve 1960; rëndom quhet “koha e shqetësimeve”. Ishte një “kohë shqetësimesh” sepse vendi po civilizohej, dhe kjo është e rrezikshme. Njerëzit po angazhoheshin politikisht dhe përpiqeshin të fitonin të drejta për grupe që quhen “interesa veçanta”, si gratë, punëtorët, fermerët, të rinjtë, të moshuarit, e kështu me radhë. Kjo çoi në një përplasje, e cila ishte shumë e hapur. Në skajin liberal të spektrit, është një libër i titulluar “Kriza e demokracisë: Raport mbi qeverisjen e demokracive për Komisionin Tripalësh” nga Michel Crozier, Samuel P. Huntington, Joji Watanuki, prodhuar nga Komisioni Trepalësh, një organizatë me liberalë internacionalistë. Qeveria e Karterit buroi thuajse e gjitha nga radhët e këtij grupi. Ata ishin të preokupuar për atë që e quanin “kriza e demokracisë”, domethënë që ka shumë demokraci. Në vitet 1960, kishte presione nga popullsia, këto “interesa të veçanta”, në përpjekje përtë fituar të drejta brenda arenës politike, dhe kjo vendosi shumë presion ndaj shtetit – kjo nuk mund të bëhej. Ata lanë jashtë një interes të veçantë, sektorin e korporatave, sepse interesat e tij janë “interesa kombëtare”; sektori i korporatave mendohet që kontrollon shtetin, kështu që nuk flasim kundër tyre. Por “interesat e veçanta” po shkaktonin probleme dhe ata thanë se “duhet të kemi më shumë moderacion në demokraci,” njerëzit duhet të kthehen në gjendjen e tyre të pasivitetit dhe apatisë. Ata ishin të shqetësuar në veçanti për shkollat dhe universitet, për të cilat thanë se nuk e bënin siç duhej punën e tyre “për të indoktrinuar të rinjtë.” Mund ta shikoni nga aktivizmi i studentëve (lëvizja e të drejtave civile, lëvizja kundër luftës, lëvizja feministe, lëvizja ambientaliste) që të rinjtë nuk janë të indoktrinuar siç duhet.
Atëherë si indoktrinohen të rinjtë? Ka shumë mënyra. Një mënyrë është t’i ngarkosh ata me borxhe të mëdha për universitetin. Borxhi është një kurth, sidomos borxhi studentor, që është gjigant, shumë më i madh se borxhi i kartës së kreditit. Nëse një biznes merr shumë borxh, për shembull, ai mund të shpallë falimentimin, por individët thuajse nuk mund të çlirohen kurrë nga borxhi studentor me anë të falimentimit. Nëse falimenton, mund të bëhesh shembull për sigurinë sociale. Kjo është një teknikë disiplinore. Nuk them që u kirjua me vetëdije për këtë qëllim, por sigurisht që ka këtë efekt. Dhe është e vështirë të mbrosh idenë që kjo ka bazë ekonomike. Hidhni një sy rreth botës: arsimi i nivelit të lartë është kryesisht falas. Në vendet me standardet më të larta në arsim, Finlanda për shembull, që është në krye të listës gjithmonë, arsimi i lartë është falas. Në një vend të pasur, vend kapitalist i suksesshëm si Gjermania, është falas. Në Meksikë, një vend i varfër, i cili ka standarde arsimore të mira, duke pasur parasysh vështirësitë ekonomike që ata kanë, është falas. Në fakt, shikoni në SHBA: nëse ktheheni në vitet 1940 dhe 50, arsimi i lartë ishte shumë afër falas. Ligji GI ua bëri arsimin falas shumë njerëzve që nuk do të kishin qenë kurrë në gjendje të shkonin në kolegj. Kjo ishte mirë për studentët dhe ishte shumë mirë për ekonominë dhe shoqërinë; kjo ishte pjesë e shkakut për rritjen ekonomike. Edhe në kolegjet private, arsimi ishte shumë afër falas. Merr shembullin tim: unë shkova në kolegj më 1945 në një universitet elitar, Universiteti i Penslivanisë, dhe pagesa ishte 100 dollarë. Në vlerën sotme ka qenë 800 dollarë. Dhe ishte shumë e lehtë të fitoje një bursë, e mund të jetoje në shtëpi, të punoje, dhe të shkoje në shkollë pa shpenzuar asgjë. Tani është irrituese. Unë kam nipër e mbesa në kolegj, të cilët duhet të paguajnë shkollën, të punojnë dhe është pothuajse e pamundur t’ia dalin. Për studentët kjo është një teknikë disiplinore. Dhe një teknikë tjetër indoktrinimi është ndërprerja e kontaktit student-pedagogë: klasa të mëdha, pedagogë të përkohshëm që janë të mbingarkuar dhe e kanë të vështirë të jetojnë me një pagë ndihmëse. Përderisa nuk ke një punë të sigurt mund të ndërtosh karrierë, nuk mund të lëvizësh e të fitosh më shumë. Të gjitha këto janë teknika disiplinore, indoktrinomi dhe kontrolli. Dhe është shumë e ngjashme me atë ngjan në fabrikë, ku punëtorët e fabrikës duhet të disiplinohen, të jenë të bindur; ata nuk mendohet të luajnë rol, le të themi, në organizimin e prodhimit ose si funksionon vendi i punës – kjo është punë e drejtuesve. Kjo është zbatuar tani në universitete. Mendoj se nuk habit askënd që ka punuar në sektorin privat, në industri; kjo është mënyra si ata punojnë.
Botohet me shkurtime