James Bartholomew
The Spectator
Lamtumirë, pra, Janis Varufaqis! Dikur ishe ministër i financave të Greqisë. Pastaj dhe dorëheqjen, apo të pushuan? Ti more kontrollin e ekonomisë greke gjashtë muaj më parë, kur
ajo po rritej. Po, sinqerisht! Vitin e kaluar rritja ishte 0.8 për qind, me parashikim 3 për qind këtë vit. Qeveria kishte një buxhet primar suplementar. Papunësia në rënie. Derisa u shfaqe ti.
Vurufaqis ishte prodhim i universiteteve britanike. Ai studioi për ekonomi në Essex dhe statistika matematike në Birgmingham, pastaj u kthye në Essex për të bërë doktoraturën për ekonomi. Me përfitimin e shkollimit në universitetet britanike u kthye në Greqi dhe, gjatë kohës së tij të shkurtër në detyrë, e hoqi qafe filizin e ringritjes. Ekonomia tani parashikohet të tkurret me 4 për qind këtë vit – një transformim i mrekullueshëm. Barra e borxhit të Greqisë është rritur me dhjetëra miliarda dhe shumë njerëz kanë emigruar.
Por Varufaqis nuk është vetëm. Shumë vizitorë të tjerë të universiteteve tona janë ndikuar nga mësimet e këtushme dhe janë kthyer në vendet e tyre për të rrënuar.
Jawaharlal Nehru, kryeministri i parë i Indisë së pavarur, nderohet nga shumë njerëz, dhe është e kuptueshme, si hero. Por për fatin e keq të vendit të tij, ai studioi në Kolegjin Trinity (Trinity College) të Kembrixhit. Aty ai u ndikua nga intelektualë si George Bernard Shaw, një socialist, dhe Bertrand Russell, i cili një herë u shpreh se “komunizmi është i nevojshëm për botën”, dhe John Maynard Keynes. Ai u kthye në Indi dhe filloi të zbatonte ideologjinë në praktikë me planifikimet, kontrollet dhe rregullat shtetërore. Kjo ishte një fatkeqësi. Me qeverisjen e tij, përqindja e Indisë në tregëtinë botërore ra dhe një brez nuk arriti të dilte nga varfëria ekstreme. Vetëm kur u braktis ideologjia, me reformat e tregut të lirë në vitet 1980, nisi rritja ekonomike dhe rënia e varfërisë në Indi.
Ndoshta një nga sunduesit më të jashtëzakonshëm të shekullit të 20 ishte Julius Nyerere, president i Tanzanisë, i cili ishte i famshëm për jetën e tij modeste dhe faktin që nuk ishte i korruptuar. Sado i admirueshëm në këtë drejtim, ishte fatkeqësi e vendit të tij që ai studioi ekonomi dhe histori në Edinburgh. Natyrisht ai u rrethua nga akademikë të majtë dhe mesa duket ra “në kontakt
me mendimin Fabian” në veçanti. Kjo përvojë e bëri të paevitueshme që Tanzania do të ngarkohej me një administratë të fryrë, mungesa materiale dhe rritje ekonomike tmerrësisht të ulët.
Nyerere kishte studiuar në Universitetin e Fort Hare si dhe në Edinburgh. Ky është një universitet i krijuar nga ne imperialistët britanikë në Afrikën e Jugut për njerëz jo britanikë nga e gjithë Afrika. Ai ka krijuar një radhë liderësh afrikanë të cilët, për fatin e keq të Afrikës, në masë të madhe zhvilluan ide të majta. Mes këtij numri ishte Robert Mugabe, shkatërrues i ekonomisë së Zimbabwe.
Turpi i shpërndarjes së dështimit ekonomik nëpër botë është përhapur në gjithë universitetet britanike, por LSE London School
of Economics) mund të pretendojë me të drejtë për pjesën e luanit. Jomo Kenyatta, kryeministri i parë i Kenias pas pavarësisë, studioi aty. Natyrisht, nën udhëheqjen e tij, ekonomia keniane nuk ishte më e keqja në Afrikë – por industritë shtetërore të korruptuara, të fryra, dhe përpjekjet për të zëvendësuar importet patën pasojat e tyre, e kështu rritja e GDP për frymë ishte e ulët dhe, për disa vite, negative.
Edhe Kwame Nkrumah studioi në LSE pastaj në Universitetitn Kolegji i Londrës (University College London), megjithëse, të jem i saktë, ai mund të ishte radikalizuar tashmë në Universtitetin Lincoln të Penslivanisë. Pas marrjes së dozave të ideologjisë socialiste, ai u kthye në Ganë dhe zbatoi “industrializimin e detyruar”, tërësisht sipërmarrje shtetërore dhe plane dhe dhjetëvjeçare. Kjo ishte formulë e pazakontë me rezultate të zakonshme: dekada rritjeje ekonomike të ulët, korrupsion, borxhe të mëdha.
Në dy raste të tjera, Britania mund t’ia faturojë një pjesë të përgjegjësisë Amerikës. Pierre Trudeau u prezantua me marksizmin në Harvard dhe pastaj erdhi në LSE për doktoraturë. Ajo nuk e përfundoi atë, por sidoqoftë LSE i dha atij një kurs përfundimtar mbi ekonominë e majtë. Nën sundimin e tij, Kanadaja vendosi kontroll
të pagave dhe çmimeve, ndësa inflacioni, papunësia dhe borxhi kombëtar u rritën.
Zulfikar Ali Bhutto, president e kryeministër i Pakistanit, ndoqi Universitetin e Kalifornisë, Berklit si dhe Kisha e Krishtit në Oksford. Është e paqartë se cili ka më shumë përgjegjësi që ai mësoi teoritë ekonomike statiste. Por sa mori pushtetin, ai deklaroi “socializmi është ekonomia jonë”, shtetëzoi industritë e çelikut, kimike, të çimentos dhe bankat, së bashku me mullinjtë e grusit, orizit dhe pambukut. Rritja ekonomike ra në 1.3 për qind.
Shumica e universiteteve britanike i pajisin studentët e huaj me ide shkatërrimtare dhe mbeten në rehatin e tyre këtu, të papërfshirë në varfërinë që kanë mbjellë në vende të tjera. Një përjashtim tragjik ishte Malcolm Caldwell, një lektor komunist në Shkollën e Studimeve Orientale dhe Afrikane, i cili ishte një simpatizant aq i madh i Pol Potit dhe regjimit të tij vrasës, saqë shkoi ta takonte vetë. Ai pati një takim privat me Pol Potin dhe u vra po atë ditë.
A ka përjashtime të rregullit që universitetet britanike shkaktojnë varfëri në botë? Po, por vetëm kur ata e kundërshtojnë atë që u mësohet. Suksesi i Singaporit i përket kryeministrit të parë të tij, Lee Kuan Yew, i cili studioi në Kolegjin Fitzwilliam, Kembrixh, dhe mentorit të tij ekonomik Goh Keng Swee, që ndoqi LSE. Ata vërtetë u ushqyen me mendimin socialist, deri në atë masë saqë Harold Wilson e quajti dikur Lee si “një nga ne”. Por sa dolën nga thonjtë e akademikëve britanikë, Lee dhe Goh i dolën të mendonin vetë dhe të vëzhgonin se si funksionon bora reale
. Ata e braktisën pjesën më të madhe të socializmit që morën në Britani dhe krijuan një nga ekonomitë më të suksesshme në botë.
Duke u kthyer te Greqia, dikush mund të mendojë se tani që Varufaqis është larguar, gjërat do të përmirësohen. Për fat të keq zëvendësi i tij është Euklid Cakalotos, që studioi në Kolegjin e Mbretëreshës, në Oksford. Ai kishte udhëheqës doktorature një profesor që dikur kishte qenë një aparatçik stalinist në Poloni. Kontributi britanik në varfërinë njerëzore mund të mos ketë marrë fund ende.