Kjo ka një histori të gjatë. Shteti panamez u krijua fillimisht në emër të të pasurve dhe të lakimtarëve të kësaj bote – ose më saktë, të parardhësve të tyre në SHBA – kur shekulli sapo kishte lindur.
Panamaja u krijua nga SHBA për arsye krejtësisht egoiste tregtare, pikërisht në kohën e rënies së Britanisë si perandori e madhe globale, dhe rritjes së perandorisë së re amerikane.
Shkrimtari Ken Silverstein e përshkroi me thjeshtësi të çmuar në një artikull për revistën Vice dy vjet më parë: “Më 1903, administrata e Theodore Roosevelt-it krijoi këtë shtet duke e detyruar Kolumbinë të hiqte dorë nga krahina e saj e Panamasë. Roosevelt-i veproi i shtyrë nga banka të ndryshme, mes tyre JP Morgan & Co, që ishte zgjedhur si “agjent fiskal” i Panamasë për të menaxhuar 10 milonë dollarë ndihmë që SHBA i dërgoi shtetit të ri.”
Sigurisht, arsyeja ishte për të fituar kontrollin e kanalit të Panamasë që do të hapej më 1914, për të lidhur dy oqeanë të mëdhenj, dhe tregtinë që bëhej në to.
Elita panameze e mësoi herët që e ardhmja e tyre ishte më e begatë me strehimin e të pasurve nga vende të largëta sesa të ishte pjesët e Amerikës së Jugut. Pagesat e përvitshme që paguante Panama Railroad Company dërgonin më shumë në thesarin e Kolumbisë sesa Panamaja merrte nga Bogota, dhe gjasat ishin që Panamaja të ishte shkëputur – nëse nuk do të ishte nëshkruar një marrëveshje në shtator 1902 për amerikanët që të ndërtonin një kanal me kushte që, sipas historianit David Bushnell, “pasqyronte me saktësi pozicionin e dobët negociues të negociatorit kolumbian.”
Asokohe Kolumbia ishte përçarë nga ajo që e quan “lufta e një mijë ditëve” mes partive liberale dhe konsrevatore. Panamaja ishte një nga fushëbetejat për fazat e mëvonshme të luftës.
Marrëveshja e kanalit u pasua nga “revolucioni panamez”, që u udhëhoq nga një francez që promovonte kanalin dhe që kishte mbështetjen e asaj që Bushnell e quan “bashkëpunimi i dukshëm i SHBA” – dhe u ndihmua nga fakti që kushtet e marrëveshjes së kanalit i ndalonin trupat kolumbiane të ndërhynin për ta shtypur, që të mos frenonin transportin e lirë të mallrave.
Lidhja Roosevelt/JP Morgan në krijimin e shtetit të ri ishte e drejtëprëdrejtë. Letrat e amerikanëve ishin përgatitur nga një jurist i partisë republikane i afërt me qeverinë, William Cromwell, i cili vepronte si këshilltar ligjor i JP Morgan.
JP Morgan i udhëhoqi bankat amerikane dhe gradualisht e kthyen Panamanë në qendër financiare – dhe parajsë për evazion taksash dhe pastrim parash – ashtu si dhe një kalim për anijet, me të cilat këto prkatika u përzien fillimisht kur Panamaja filloi të regjistrojë anije të huaja për të transportuar karburant në emër të kompanisë Standard Oil me qëllim që korporata të shmangte taksat amerikane.
Me përvojën e Standard Oil, Panamaja nisi të ndërtonte sistemin me labirinthe të aktiviteteve pa taksa – sidomos në lidhje me veprimtarinë e anijeve – me ndihmë dhe orientim nga Wall Street, pikërisht kur SHBA dhe Britania u zhytën në Depresionin e Madh. Regjistri, për shembull, i mirëpriste anijet amerikane të pasagjerëve e kënaqur të shërbente alkool gjatë prohibicionit.
Në librin e tij me ndikim rreth ligjishmërisë se veprimtarisë offshore, Treasury Island [Ishujt e Thesarit], Nicholas Shaxson citon një letër nga sekretari i thesarit të SHBA Henry Morgenthau ku proteston te presidenti Franklin D Roosevelt, për “gjendje kaq serioze saqë duheshin ndërmarrë veprime të menjëhershme”. Ai u ankua për personat që u shmangeshin taksave në vende “me taksa të ulëta dhe taksat e korporatave të buta”, duke përmendur Panamanë dhe Bahamasin.
Kështu në vitet 1970, kur qeveria e SHBA i kishte ngushtuar vrimat e evazionit fiskal, Panamaja nisi shërbimin e plotë që pamë javën e kaluar. Depozitat bankare ngrinë, nga pak gjëra në fillim të 1970-ës në 50 miliardë dollarë më 1980, sipas Tax Justice Network. Dhe ky ishte vetëm fillimi, një ndryshim i vogël.
Në të njëjtën kohë, më 1977 u firmosën dy marrëveshje: njëra që i dha SHBA kartabiankë të mbronte kanalin, tjetra për dorëzimin e kalimit ujor nën sovranitetin e Panamasë më 1999.
Megjithatë, më 1983, sistemi pësoi shkarje: gjenerali Manuel Noriega mori pushtetin. Prej vitesh ai kishte përfituar nga CIA dhe kishte qenë funskionar i saj, por ai nisi të kuptojë se pasuria e Panamsë ishte më e përshtatshme për një aleancë me kartelin e drogës së Medelinit (Kolumbi) i Pablo Eskobarit. Prandaj më 1989, SHBA u rikthye ushtarakisht, siç kishte bërë për tetë dekada – dhe siç e përkufizon Silverstein – “riktheu në pushtet elitën e vjetër bankare, pasues të trashëgimisë së JP Morgan.”
Kujtimet e kësaj periudhe në një libër të titulluar The Infiltrator [I infiltruari] me autor Robert Mazur, i cili u fut në kartelin e Eskobarit për të hetuar me sukses bankën BCCI, e cila menaxhonte shumicën e parave të tij, janë të jashtëzakonshme. Duke diskutuar për parajsën me zyrtarin e BCCI Amjad Awan, Awan i thotë Mazur-it: “Dakord, e themi në këtë mënyrë. Në Panama, ne nuk shqetësohemi për asgjë që bëjmë, sepse ligjet e vendit na lejojnë ta bëjmë. Çdokush mund të depozitojë 10 milonë dollarë cash – në rregull. Ne i pranojmë. Ky është biznesi ynë.”
Awan përmend banka amerikane që vazhdojnë të dominojnë në Wall Street, duke shtuar: “Ne ndoshta e bëjmë në përmasa të vogla, por çdo bankë e bën.”
Megjithëse “Panamaja është një nga parajsat fiskale më të korruptuara në botë, është thjesht pjesë e një sistemi global,” thotë Shaxson. “Mbretëria e Bashkuar menaxhon një numër territoresh jashtë saj dhe vende në varësi të kurorës ku përfshihen disa nga parajsat më të mëdha të botës.”
John Christensen, drejtor i Tax Justice Network, thotë: “Është e rëndësishme të kuptohet që firmat ligjore offshore si Mossack Fonseca [në Panama] nuk veprojnë të izoluara; ato mbështeten në ndërmjetës, shpesh firma ligjore ose banka, për t’u kaluar klientët dhe për të foruar mbështetje për strukturat e ndërlikuara ndërmjet kufijve.”
Historia ka mënyrën e saj ironike të përsëritjes, dhe sigurisht kështu ka bërë në fillim të shekullit 21 në dy raste, në ngjashmëri gjenezën e Panamsë.
Njëra është që njeriu që u bë president i Standard Oil në fillimet e fshehjes së taksave – William Stamps Farish II – kishte nipin e tij, William Stamps Farish III – i cili u bë një ndihmë e rëndësishme për dinastinë Bush; ai ishte “thuajse djalë i familjes”, tha Barbara Bush, dhe djali i saj George W Bush e emëroi ambasador në Londër. (JP Morgan ndërkohë ka punësuar një radhë ambasadorësh të shquar dhe këshilltarësh së fundi, përfshi aleatin më të ngushtë të Bushit, Tony Blair.)
Dhe pastaj vjen kjo: mes faktorëve që e bënë të lehtë për perandorinë e re të shekullit të njëzetë të detyronte Kolumbinë të dorësonte kanalin e Panamsë ishte fakti që, nëse Panamaja nuk do ta kishte ndërtuar kanalin, atëherë do të kishte ndërhyrë Nikaragua. Tani, një shekull më vonë, Nikaragua synon të ndërtojë kanalin e saj, i paguar dhe i kontrolluar nga fuqia që mund të veshë çizmet perandorake të Amerikës – Kina.