Për të parandaluar rrezikun nga ekstremizmi, ministria e brendshme britnaike (Home Secretary), Thereza May, deklaroi të martën, në konferencën e përvitshme të konservatorëve, nevojën e ligjeve më të forta për ndëshkimin e personave të evidentuar në këtë kategori. Më shumë debat në fjalën e saj ka ngjallur ideja për ndëshkimin e atyre që flasin në përputhje me ligjet ekzistues, por sërish “përhapin urrjetje helmuese”. Nëse realizohet ajo që dëshiron ministria, atëherë, ata që qeveria do t’i konsiderojë si “ekstremistë” në Britaninë e Madhe, do të ndalohen të flasin në publik, të përdorin Facebook, dhe forma të tjera të komunikimit masiv.
Theresa May, shkruan Mike Harris në një opinion për të përditshmen liberale britanike Independent, nuk e kupton se ndalimi i ideve përcjell mesazhin që shoqëria britanike ka frikë prej tyre. Të ndalosh idetë që nuk të pëlqejnë ty, shprehet autori, do të thotë që t’u japësh atyre besueshmëri. Për shembull, t’i ndalosh të shprehë publikisht idetë e tij (të cilat konsiderohen të dëmshme), një personi që ka rreth 80 simpantizantë (siç është një rast në Britani), atëherë kjo do të thotë që shteti ka frikë prej këtij njeriu dhe, duke u përpjekur të mbrojë publikun e gjerë, bën krejt të kundërtën: e frikëson atë. Nëse shteti angazhohet kundër një njeri, ose një ideje, me një potencial shumë më të madh seç është e nevojshme, atëherë kjo tregon që shteti ka frikë.
Mesazhi i artikullit është i thjeshtë: idetë luftohen me ide. Për këtë, ai autori iu referohet dy shembujve nga historia e Britanisë. Në të shkuarën, Britania nuk pati kurrë ligje që ndalonin propagandën komuniste ose naziste, (nazistët arritën të krijonin një fuqi mbështetëse deri në 14 000 mijë anëtarë), megjithatë si komunistët, si nazistët, nuk arritën kurrë t bëhen fuqi të kërcënuese për demokracinë britanike. Arsyeja, sipas artikullit është e thjeshtë: të dyja idetë u mundën në betejën ideve.
Në një artikull për të njëjtën temë, e përditshmja konservatore The Dail Telegraph, e trajton çështjen nga një këndvështrim tjetër. Kolumnistja Allison Pearson, e konsideron fjalimin e ministres së Brendshme Theresa May si “fjalim i mirë”, madje e krahason ministren me ikonën e konservatorëve britanikë, Margaret Thatcher. Në artikullin e saj (Let’s hear it for Theresa May as she promises to silence the Islamists), autorja u referohet disa deklaratave televizive të bëra nga një klerik mysliman, i cili ka qenë i ftuar në emision pikërisht për të debatuar idetë e tij të njohura më herët, të cilat, sipas saj, duhet të ndalohen. Ajo u kundërvihet liberalëve, të cilët, në kësi rastesh nuk përdorin si argument maksimën e njohur të Volterit: “Nuk jam dakord me atë që thua, por do të mbroj deri në vdekje të drejtën tënde ta thuash atë.” Sipas saj, për vite me radhë shoqëria britanike ka bërë pikërisht atë që thotë Volteri, por pa ndonjë sukses. Sipas saj, fjalimi i vajzës së një prifti ishte një qëndrim sfidues ndaj një grupi fanatikësh mesjetarë që urrjenë gratë. Ajo e quan ministren “të guximshme” që citoi Kuranin, në fjalimin e saj: “O njerëz! Ne ju krijuam ju nga njç çift i vetëm, një mashkull dhe një femër, dhe ju ndamë në kombe e fise që të njihni njëri-tjetrin.”
Artikujt operojnë, në fakt, në nivele të ndryshme. I pari trajton mënyrën si të sillemi me idetë, i dyti, si të sillemi në rrethana të caktuara ndaj individëve të caktuar.