Ndoshta është ngaqë gazetat po kalojnë kohë të vështira dhe i mbushin faqet me gjëra që nuk vlejnë pothuajse fare: në veçanti, ato tregojnë përkrahje në rritje për studime pa bereqet, të bëra shpesh nga studiues të panjohur në çdo cep të globit. Këta njerëz janë të etur për publicitet të çdo lloji dhe gazetat tona janë hazër t’ua bëjnë qejfin. Temat e investiguara rrokin tema të tilla si efekti i pirjes pak alkool ose shumë, efekti i bërjes së ushtrimeve fizike; e gjithmonë janë kontradiktorë në përfundimet e tyre.
Një shembull i veçantë i kundërshtive të tilla ishte ai i studimit të raportuar aq shumë, të kryer nga Emory University në Atlanta, SHBA, sipas të cilit, sa më shumë para të shpenzoheshin në një dasëm aq më e madhe ishte mundësia që ajo të përfundonte në divorc. Shpenzimi i 20 mijë dollarëve e lartë për një dasëm e shton mundësinë e divorcit me 1.6 herë më shumë sesa në dasmat me harxhime nën 10 mijë dollarë, – konkludonte studimi. Pavarësisht konkluzioneve pa pikë rëndësie, studimi i nxiti komentatorë të ndryshëm të paralajmërnonin se George Clooney dhe bashkëshortja e tij, Amal, kishin vënë në rrezik të ardhmen e martesës së tyre ngaqë kishin harxhuar disa milionë për dasmën e tyre katër ditore në Venecia para pak kohësh.
Mirëpo, në muajin gusht disa studiues nga universiteti i Virginia-s raportuan se sa më e madhe dasma – e për rrjedhojë më e kushtueshme – aq më të mëdha ishin shanset që martesa të zgjaste. Argumenti për këtë ishte se betimi para 150 personave e bënte një çift më të mundshëm të qëndronin bashkë sesa po të kishin 50 ose më pak të ftuar në dasëm. Audienca e për dasmën e George-it dhe Amal-ës ishte aq e madhe saqë do të dukej e pa imagjinueshme që ata mund të ndaheshin ndonjëherë.
Javën e kaluar, për nja dy ditë, i vëzhgova gazetat për të parë sa artikuj të tillë, të quajtur studime akademike, do ishin përdorur për të mbushur faqet. Dhe nuk kisha përfshirë asnjë nga kokëkuqet (gazetat e tipit rozë), të cilat janë pothuajse cit me gjëra të tilla; vetëm Times, Daily Telegraph, dhe Daily Mail. Në to gjeta më shumë se dhjetë artikuj të tillë, shumica me besueshmëri të dyshimtë dhe dukshëm që s’hynin në punë për asgjë.
Times-i, për shembull, e kishte parë të arsyeshme për botim në faqe të parë një studim nga Instituti i Shkencave Weizmann në Izrael që thoshte se njerëz që shtojnë peshë gjatë udhëtimeve për biznes nuk e bëjnë këtë për shkak se hanë ose pinë shumë, por ngaqë fluturimet me avion irritojnë bakteriet në zorrë. Kjo mund të jetë e vërtetë, e ndoshta me një farë interesi shkencor, por thujase nuk ka asnjë lidhje me krizën e mbipeshës në perëndim, e cila ka të bëjë vetëm me ushqimin dhe pijet e shumta.
Një studim i Shkollës Bloomberg të Shëndetit Publik në Baltimore (SHBA) ku thuhej se njeriu ka nevojë të vrapojë katër milje që të djegë kaloritë e një shisheje Coca-Cola të vetme ishte balancuar nga një studim i dentistëve në spitalin universitar të Heidelberg-ut, Gjermani, që thoshte se stërvitja e tepërt shkakton degradimin e dhëmbëve. Sa më gjatë të bënin stërvitje sportistët, thoshte studimi, aq shumë ishte e mundshme rritja e nevojës për të mbushur dhëmbët. Kështu që atë që fitojnë duke djegur kalori, entusiaztët e sportit e humbasin te dhëmbët. Më tej, për çdo rast është mirë të mos pini më shumë pije të ëmbëla me gaz, sepse, sipas studiuesve në San Françisko, kjo jo vetëm që ju shëndosh, por ju bën të dukeni katër vjet më të moshuar se ç’jeni.
Çështja është se tani ne të gjithë e dimë çfarë është e dëmshme për ne – duhani, pijet, ushiqmi i thatë, e kështu me radhë – kështu që, përveç shpërndarjes së detajeve të reja sipërfaqësore për dëmet që ato shkaktojnë, studiues që kërkojnë publicitet pëlqejnë gjithashtu të na befasojnë me zbulimin e të mirave në veset tona. Kështu, studiuesit danezë, siç raportonte Daily Mail, na bëjnë thirrje që të pimë verë të kuqe dhe të hamë çokollata për t’u mbrojtur nga osteporoza dhe dobësimi i kockave.
Artikuj të tjerë që gjeta ishin të një lloji jo vështirë për t’u marrë me mend, të tilla si një zbulim britanik që thotë se prindërit që shkojnë mirë me njëri-tjetrin janë më të dashur me fëmijët e tyre sesa ata që nuk shkojnë; ose të llojit të së pamundshmes, si njëri i bërë në Hungari dhe promovuar në Daily Telegraph, që njerëzit e lindur në dimër irritohen më pak se ata që kanë lindur në verë. Unë kam lindur në dimër, por irritohem shumë, veçanërisht prej këtyre plehrave që botohen në shtyp.
_________________________
Titulli është i redaksisë