Shteti modern është kthyer – me taksat dhe tatimet e shumta – në shushunjë, por brenda tij lulëzojnë dhjetëra insekte të tjera, të gjitha me thumbin ngulur në trupin e qytetarit. Emrin e kanë ndjellës: kompani sigurimesh.
Filozofia e sigurimit është kjo: për t’u mbrojtur nga një fatkeqësi e supozuar, qytetari duhet të paguajë ca para, që, kur ta pllakosë e keqja, “investimi” paraprak t’i vijë në ndihmë. P.sh. qytetari paguan sigurim për makinën, me shpresën se kur t’i ndodhë një aksident, i cili mund të kushtojë sasi të konsiderueshme parash, ta përballojë me ndihmën e kompanisë së sigurimit.
Të gjithë e dinë që aksidenti është një mundësi. Lajmet e përditshme e konfirmojnë këtë. Mirëpo realiteti është se numri i makinave që kanë nevojë për dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimit është një shifër e papërfillshme, krahasuar me numrin e makinave që sigurohen dhe nuk dëmshpërblehen kurrë (sepse nuk dëmtohen).
Lajmet nuk e thonë sa para shkojnë për zhdëmtime dhe sa para u mbeten kompanive. Shpjegimi është i lashtë: paratë dhe gjynahet nuk tregohen.
Vlerat që shkojnë në llogaritë e kompanive të sigurimeve – si fitim, taksa apo shpenzime – janë para dhe gjynah njëherësh. Kompanitë i marrin këto para pa dhënë asgjë si shkëmbim, veç dhunës për ata që nuk paguajnë, ose vonohen në pagesa. Këto kompani janë thjesht varianti industrial i fallxhoreve. I vetmi ndryshim është se, nëse fallxhoret tradicionale, të cilat marrin shuma minimale për parashikimin e fatit, dënohen nga ligji, fallxhoret industriale gëzojnë mbrojtje ligjore.
Pagimi i sigurimeve bëhet në mënyrë të dhunshme. Njerëzit rendin të paguajnë, jo se u tremben aksidenteve të supozuara, por ngaqë kanë frikë kompanitë e sigurimeve dhe tutorin e tyre.
Kompanitë e sigurimeve janë të pamëshirshme. Këto entitete private përdorin si instrument dhune shtetin, të cilin qytetarët e kanë krijuar – më së pari – t’i mbrojë nga dhuna (që mund t’u vijë prej forcave të jashtme ose të brendshme).
Qytetari pa sigurim (shoferi, në këtë rast) nuk del dot në rrugë. Aty e pret polici me fletën e gjobës në dorë. Edhe po të gjobitet, zakonisht me vlerë më të lartë se sigurimi, detyrimi për t’u siguruar mbetet. Për çdo dalje pa sigurim ka gjobë; në raste të përsëritura, ka dënime më të rënda.
Përveç policisë, në shërbim të kompanive të sigurimit janë kompanitë e kontrollit teknik. Ato s’të mbarojnë punë, po qe se nuk e ke siguruar makinën. Dhe, ashtu si kompanitë e sigurimeve, kompanitë e kontrollit teknik përdorin shtetin si instrument dhune. Kush nuk ka kontroll teknik, gjobitet nga policia. Po ishe përsëritës të hiqet patenta, të bllokohet makina, etj. Shteti, në të dyja rastet, bëhet palë me kompani private, në dëm të shumicës së qytetarëve.
Të dyja këto shërbime janë monopol, pavarësisht se mund të ofrohen nga shumë kompani. Monopoli nuk bie në sy, sepse është i rafinuar. Monopoli qëndron te shteti. Ai e detyron qytetarin të blejë mallin (që në këtë rast është veç një copë letër prej së cilës mund të mos kesh asnjë përfitim gjithë jetën). Atje ku ka detyrim nuk mund të flitet më për mundësi zgjedhjeje. Aty ku mungon zgjedhja, ekziston gjendja e monopolit.
Logjika e sigurimeve mund të na çojë në çmenduri. Sigurimi i objekteve – banesa, dyqane magazina – nga zjarri ekzistojnë, por mund të shtohen dhe sigurimet e shtëpive nga tërmetet, vullkanet, përmbytjet, rrufetë, e kushedi çfarë marrëzie tjetër.
Kompanitë e sigurimeve janë spekulim në kohë me diell. Në rast se do të ndodhte një fatkeqësi me përmasa të gjera – një vullkan si ai që mbuloi Pompein – kompanitë e sigurimeve do t’i luteshin Zotit t’u dërgonte dhe një dallgë llave shtesë, nëse do të mbeteshin gjallë nga dallgët paraardhëse. Nëse Zoti nuk do t’i përgjigjej dëshirës së tyre, dhe nëse dikush do t’u kërkonte të rindërtonin gjithë banesat, dyqanet, magazinat, zyrat, makinat, e gjithfarë gjërash të tjera të siguruara, kompanitë nuk do t’i përmbushnin kurrë detyrimet.
Duhet një fatkeqësi e këtyre përmasave për ta kuptuar kotësinë e tyre.
Kompanitë e sigurimeve mund të ekzistojnë në një shoqëri ku gëlojnë lotaritë, kompanitë e basteve, kazinotë, etj., por qytetarët nuk mund të detyrohen të sigurohen. Është në natyrën e njeriut të kursejë për të ardhmen, duke pasur në mendje ngjarje të mira apo fatkeqësi. Por, nëse atyre nuk u ndodh gjë, atëherë paratë e kursyera i kanë gjendje dhe mund t’i përdorin për diçka tjetër.
Sigurimet nuk ta japin këtë mundësi. Një qytetar që ka paguar sigurime tërë jetën, të cilit nuk i ka ndodhur kurrë ndonjë incident, nuk i ka më në dispozicion paratë që i ka paguar dhe nuk i ka përdorur. Paratë ndodhen në xhepin e kompanive të sigurimeve, të cilat nuk ia kthejnë kurrë qytetarit. Këto para janë punë e bërë për dikë tjetër, kundër dëshirës, e imponuar me dhunë prej shtetit, dhe pa asnjë përfitim. Punë vullnetare, si në komunizëm.
Ja një zgjidhje më e butë. Sigurimet mund të menaxhohen nga një agjenci shtetërore. Bazuar në të dhënat paraprake, vitin e parë shteti cakton një vlerë sigurimi, që në total do të grumbullojë shumën e nevojshme për aksidentet e mundshme. Vitin e dytë e në vazhdim, fondi i sigurimeve mund të llogaritet për të shlyer shifrën e aksidenteve të vitit paraardhës. Në këtë rast, qytetari do të paguante disa herë më pak (4-5 herë apo më shumë) nga sot.
Një zgjidhje tjetër, është mospagimi i sigurimit. Ata që përplasen në rrugë mund t’u drejtohen gjykatave dhe aty çështja të trajtohet si çdo mosmarrëveshje civile.
Kjo sa i përket sigurimit të makinave. Në lidhje me sigurimin nga fatkeqësitë natyrore shteti bën mirë të mos i shkojë as në mendje. Vetëm një shtet të çmendurish mund të marrë përsipër atribute që i takojnë Zotit.