Andrew Cockburn
Një mëngjes në fillim të 1988-ës, Ed McWilliams, oficer me shërbim jashtë vendit i dërguar në ambasadën amerikane në Kabul, dëgjoi një shpërthimin masiv diku në anën tjetër të qytetit. Kishin kaluar më shumë se tetë vjet nga pushtimi rus i Afganistanit, dhe ambasada ishte një enklavë e vogël veç me një grusht diplomatësh. McWilliams, ish-operativ i shërbimit inteligjent ushtarak, e kishte kthyer në punë të tij të hynte sa më shumë të ishte e mundur në kryeqytetin e pushtuar nga sovjetikët. Tani u nis të mësonte çfarë kishte ndodhur.
Dukej diçka e madhe: megjithëse shpërthimi kishte ndodhur në anën tjetër të Sher Darwaza, një mal në mes të Kabulit, McWilliams e kishte dëgjuar qartë. Pasi kaloi një labirint rrugësh të ngushta në anën jugore të qytetit, ai e gjeti vendngjarjen. Një makinë-bombë, e projektuar të vriste sa më shumë civilë të ishte e mundur, ishte vendosur në një lagje plotë me hazaras, një minoritet shumë i persekutuar.
McWilliams bëri fotografi të shkatërrimit, u kthye në ambasadë, dhe dërgoi një raport në Uashington. Raporti u prit keq – jo pse dikush kishte kryer një sulm terrorist kundër civilëve afganë, por sepse McWilliams e kishte raportuar ngjarjen. Bomba, siç u mësua, kishte qenë vepër e Gulbuddin Hekmatyar, komandanti muxhahidin, i cili mori para dhe mbështetje nga CIA më shumë se çdo udhëheqës tjetër i rebelimit afgan. Sulmi, i pari i shumë të tjerëve, ishte pjesë e skemës së përkrahur nga CIA për “vendosur nën presion” praninë sovjetike në Kabul. Për këtë arsye, informimi i burokracisë së Uashingtonit që bombat e Hekmatyar-s vendoseshin për të vrarë civilë ishte krejtësisht jo i mirëpritur. “Ato ishin bombat e Gulbuddin-it,” më tha kohët e fundit McWilliams, banor i Rhode Island me talent për deklarata nënvlerësuese lakonike. “Ai supozohej të merrte meritën për këtë.” Ndërkohë, ish-diplomati kujtoi që CIA i bëri presion të “raportonte disi më pak detaje për pasojat njerëzore nga shpërthimi i makinave-bomba”.
Unë e ndoqa dhe gjeta McWilliams-in, tani në pension dhe me banim në malet e largëta në jug të New Mexico-s, sepse grupet ekstremiste islamiste që veprojnë tani në Siri dhe Irak më kujtuan grupet që ne i ndihmuam gjerësisht në Afganistan gjatë viteve 1980. Hekmatyar, kënaqësia e të cilit për t’u hedhur acid në fytyrë grave është e dokumentuar mirë, nuk do kishte ç’të mësonte nga Al Kaeda. Kur një ekip i guximshëm i ABC News, i drejtuar nga gruaja ime, Leslie Cockburn, e intervistoi më 1993, ai u kishte prerë kokat një gjysmë duzine njerëzish më herët atë ditë. Më vonë, ai vrau përkthyesin e tyre.
Në prag të 11 shtatorit, historia e SHBA në mbështetjen e militantëve islamikë kundër sovjetikëve u kthye në subjekt delikat. Ish-zyrtarë CIA pëlqejnë të nënkuptojnë që agjencia thjesht luajti rolin e financierit dhe furnitorit ushtarak. Sipas këtij versioni të ngjarjeve, punën e pistë – menaxhimin e vërtetë të fushatës së marrëdhënieve me grupet rebele – e bënin shërbimet inteligjente të Pakistanit (ISI). Ishte faji i Pakistanit që të paktën 70 për qind e ndihmës totale të SHBA shkoi për fundamentalistët, edhe pse CIA kërkoi llogari auditimi rregullisht.
Megjithatë, përfituesit nuk kanë qenë përherë të kënaqur të luajnë paralel më historinë zyrtare. I pyetur nga ABC News, nëse e mbante mend Charlie Wilson, kongresmenin e Teksasit i përjetësuar në shtyp dhe në ekran si shenjti mbrojtës i muxhahidinëve, Hekmatyar-i e kujtoi ngrohtësisht që “ai ishte një mik i mirë. Ai e përkrahu xhihadin tonë gjatë gjithë kohës.” Të tjerë shprehën të njëjtën gjë në forma të ndryshme. Abdul Haq, një komandant muxhahidin që sot mund të përshkruhet si “rebel i moderuar”, u ankua me forcë gjatë dhe pas luftës sovjetike në Afganistan për politikën amerikane. CIA “vinte me një ngarkesë të madhe armësh dhe parash dhe furnizime të tjera për këto grupe [fundamentaliste]. Ne u thoshim, ‘Çfarë po ndodh? Ju po krijoni një mostër në këtë vend’”.
Veteranët amerikanë të operacionit, asokohe më i madhi në historinë e CIA, kanë mbrojtur variantin që ishte një shfaqje pakistaneze. Vetëm me raste zyrtarët kanë thënë shkarazi që mbështetja e fundamentalistëve ishte një çështje e llogaritur me gjakftohtësi. Robert Oakley, një lojtar kryesor në çështjen afgane si ambasador në Pakistan prej 1988-1991, më vonë theksoi, “Nëse përzien islamin me politikën përftohet një lëndë e parë më shpërthyese, dhe ajo ishte goxha e suksesshme në largimin e sovjetikëve nga Afganistani”.
Në fakt, CIA i kishte mbështetur islamistët afganë shumë kohë para se rusët të pushtonin vendin në dhjetor 1979. Zbigniew Brzezinski, këshilltari për sigurinë i Jimmy Carter-it, më vonë u mburr në Le Nouvel Observateur që presidenti kishte “firmosur direktivën e parë të ndihmës sekrete për kundërshtarët e regjimit pro sovjetik në Kabul” gjashtë muaj para pushtimit. “Dhe pikërisht atë ditë”, kujtoi Brzezinski, “i shkrova një letër presidentit ku shpjegoja që, sipas opinionit tim, kjo ndihmë do të nxiste një ndërhyrje ushtarake sovjetike”. Lufta që pasoi menjëherë vrau një milionë afganë.
Hamendësime të tjera dolën më pak të sakta, përfshi besimin e gabuar në aftësinë ushtarake të klientëve tanë fundamentalistë. Siç doli, islamistët nuk ishin realisht ushtarakët e ashpër antisovjetikë siç pretendonin mbështetësit e tyre. McWilliams, i cili u largua nga Kabuli më 1988 të bëhej i dërguar special për rebelët afganë, kujton që Hekmatyar-i ishte më i interesuar ta përdorte furnizimin amerikan me armë kundër udhëheqësve fisnorë rivalë. (Me raste, ai dhe i torturonte ata – një tjetër fakt që të dërguarit i ishte “kërkuar” të mos e raportonte.) “Hekmatyar-i ishte një luftëtar i zoti,” kujtoi McWilliams, “por jo domosdoshmërish kundër sovjetikëve”.
Edhe pasi rusët u larguan, në shkurt 1989, afgani më i preferuar i CIA-s u tregua i paaftë për të rrëzuar regjimin e mbështetur nga sovjetikët të Mohammad Najibullah. Sulmi i Hekmatyar-it mbi qytetin kyç të Jalalabadit, për shembull, rezultoi një dështim i turpshëm. “Oakley mburrej në javët para sulmit se do të ishte një sukses i madh”, tha McWilliams, i cili kishte përcjellë informacione nga Abdul Haq që plani ishte një mashtrim, por atij iu tha: “Këtë e kemi mbyllur”. Zyrtarët inteligjentë dhe pakistanezë që mbikëqyrnin operacionin i mbushën radhët e tij me të rinj mish për top. “Ajo që bënë ishte se zbrazën kampet e refugjatëve”, më tha McWilliams. “Ishte një përpjekje e fundit për të hedhur në betejë këta djem gjashtëmbëdhjetëvjeçarë me qëllim të mbanin luftën gjallë. Por nuk u eci”. Me mijëra vdiqën.
Pavarësisht përpjekjeve për të lënë në harresë natyrën e vërtetë të marrëdhënies së tyre me afganë jo tërheqës si Hekmatyar, zyrtarët amerikanë ishin akoma më të kujdesshëm kur ishte fjala për fundamentalistët arabë që u dyndën në luftën Afganistan e më vonë përqafuan xhihadin global si Al Kaeda. Askush nuk mund ta mohonte që ata kishin qenë aty, por lidhja e tyre e mundshme me CIA-n u bë një temë akoma më delikate kur ata e bënë të njohur ekzistencën e tyre në vitet 1990. Linja zyrtare – që SHBA kishte mbajtur distancë nga muxhahidinët arabë – u shpreh më mirë nga Robert Gates, i cili u drejtor i CIA-s më 1991. Kur CIA dëgjoi fillimisht për rekrutët xhihadistë nga bota arabe që derdheshin në Afganistan, ai shkroi më vonë, “Ne shikuam për mënyra sesi të përfshihej pjesëmarrja e tyre, ndoshta në formën e një farë ‘brigade ndërkombëtare’, por s’doli gjë”.
vijon…