Pavlos Ximas
The Huffington Post
Të dielën, në orën 7 pasdite në Greqi, kur të mbyllen votimet dhe të dalin sondazhet e para, në Berlin, Bruksel, Madrid, Londër, Frankfurt dhe Nju Jork, gjithë vendimmarrësit politikë dhe financiarë – dhe njerëz që ndihmojnë në marrjen e këtyre vendimeve – do të këqyrin ekranet e kompjuterëve, gati për të lexuar dhe interpretuar shifrat.
Zgjedhjet e së dielës në Greqi janë padyshim një ngjarje globale, rëndësia e të cilës i tejkalon kufijtë e Greqisë. Rëndësia qëndron në faktin që këto zgjedhje janë pjesë e një serie zgjedhjesh kritike në Europë, nga zgjedhjet britanike në maj te zgjedhjet spanjolle në nëntor.
Greqia ishte vendi i parë i eurozonës që u prek nga kriza ekonomike. Kështu, Greqia po bëhet vendi i parë që do të zbulojë pasojat politike të këtij plani përmes zgjedhjeve, rezultati i së cilave kërcënon të krijojë deflacion të gjatë dhe deja vu të vazhdueshme brenda OKB. Duke i parë këto zgjedhje nga jashtë lind pyetja: a do të krijojë një krizë të re evropiane qëndrimi i grekëve ndaj masave të shtrëngimit dhe pasojave të tij, pavarësisht zgjedhjeve, apo do të nisë hapat drejt zgjidhjes së saj?
Para se të përpiqemi t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, kemi nevojë të kuptojmë vetë rezultatin e zgjedhjeve. Këto paraqesin disa çështje kyç.
Një: fitorja. Sipas ligjit grek, partia që del e para, qoftë edhe me një votë, merr 50 deputetë shtesë në parlamentin me 300 vende. Pra, edhe nëse partia fituese nuk mbledh shumicën e votave, parlamenti nuk mund të formojë qeveri pa të. Në sondazhet e muajit të kaluar, udhëhiqte Siriza.
Dy: përqindja e fituar nga Siriza. Një parti e lindur më 1991, menjëherë pas tërheqjes së Partisë Komuniste Greke nga koalicioni E Majta e Bashkuar, Siriza vjen nga idealet evropiane dhe standardet demokratike të së majtës, dhe deri tani ka pësuar dy ndryshime të mëdha. I pari ishte më 2004, kur përfshiu brenda saj parti të tjera të majta të vogla dhe shpirtin rebel të gjithë organizatave kundër globalizimit duke adoptuar një retorikë më “radikale”. Transformimi i dytë dhe më i rëndësishëm ndodhi më 2011, kur Siriza u bë përfaqësuesja reale e grekëve të zemëruar, të cilët dolën në rrugë për të kundërshtuar politikat e shtrëngimit financiar. Kështu, një parti që në 2009 mund të merrte 3-5 për qind të elektoratit, në 2012 rrëmbeu 27 për qind, dhe në këto zgjedhe pretendon mbi 30 për qind. Cila është fuqia e elektoratit të saj? A mund ta kalojë 35 përqindëshin, që të marrë shumicën absolute në parlamentin e ri?
Tre: shuma e dy partive të mëdha. Që nga fillimi i shekullit të 20-të, Greqia ka qenë një vend me bipartizanizëm të fortë; gjatë 40 viteve të fundit u zhvilluan partia konservatore Demokracia e Re dhe Lëvizja Socialiste Panhelenike (PASOK) e rrymës socialdemokrate. Rënia e PASOK-ut dhe dobësimi i Demokracisë së Re çuan në difuzion të elektoratit. Nëse DR dhe PASOK arrijnë të grumbullojnë mbi 65 për qind, kjo do të çonte në krijimin e një bipartizanizmi të ri, kurse Siriza do të përfaqësonte një forcë të re politike me durim më të gjatë në vend të një partie protestuese, siç thonë analistët.
Katër: pjesëmarrja e votuesve. Në 2004 votuan 7.5 milionë grekë, kurse në qershor 2012 as 6 milionë. Sondazhet tregojnë se një në dy qytetarë nuk është i lidhur me asnjë parti. Sa do të marrin pjesë këtë radhë? Ky fakt jo vetëm që do të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve, por do të tregojë dhe qëndrueshmërinë e hartës së re politike në kohë.
Pesë: qëndresa e partive të vogla më afër qendrës. Nëse partitë e vogla, ideologjia e të cilave gjendet në hapësirën mes Demokracisë së Re dhe Siriza (Potami, PASOK dhe partia e re Jorgo Papandreut), përfshihen në polarizim dhe marrin pjesë në parlament, atëherë mundësitë e partisë kryesore për krijuar shumicë janë zero. Nëse jo, partia kryesore do të zgjedhë partnerë për qeverinë e re.
Gjashtë: fuqia e partisë neonaziste. Agimi i Artë ishte një nga përfituesit prej politikës së shtrëngimit në Greqi. Ajo fitonte një fraksion votash (0.29 për qind në 2009); pastaj, shkoi papritmas te 9.4 në zgjedhjet evropiane të vitit të kaluar. Këto zgjedhje përbëjnë një test qëndrese prej votuesve bazë të saj, në lagjet e rrënuara të Athinës e Pireut, ku papunësia e kalon 30 për qind. Për rrjedhojë, ajo është pjesë e kërcënimit që përfaqëson institucionet demokratike.
Shtatë: presidenti i demokracisë. Para se të formojë qeverinë e re, parlamenti i ri duhet të zgjedhë presidentin, diçka që parlamentet e tjera nuk e bënë dot. Nëse zgjedhjet bëhen me konsensus dhe shumicë, kjo do të jetë një shenjë se kushdo qoftë fituesi, qeveria e re do të lëvizë në një mjedis më pak konkurrues se ajo që Greqia ka qenë gjatë pesë viteve të fundit. Përndryshe…
Le të kthehemi te pyetja fillestare: a do ta ringjallin krizën e euros zgjedhjet greke dhe a do të çojnë përjashtimin e Greqisë nga BE – ose mund të çojë në shpërbërjen e vetë BE? A munden zgjedhjet të përbëjnë një arsye për të ndërmarrë një kursi të ri më të gjerë, me më pak shtrëngim dhe më shumë rritje në përgjithësi?
Shumë analistë evropianë arrijnë në këtë përfundim: Europa po bën një kthim të matur, ngadalë, por në mënyrë të paevitueshme, drejt politikës ekonomike sovrane; udhëheqjen në fazë e parë e ka marrë Mario Dragi, guvernatori i Bankës Qendrore Europiane. Prandaj, nëse qeveria e re greke do të ketë gjithë aftësitë e kërkuara dhe mençurinë të sinkronizojë kërkesat dhe negociatat e saj me kohën e këtyre ndryshimeve, atëherë ka mundësi për sukses politik. Rreziqet e menjëhershme rrjedhin prej paaftësisë së trashëguar për t’u përshtatur.