I rrethuar në malet e Bosnjes nga trupat gjermane, gati i harruar nga të gjithë, Tito, lideri i partizanëve jugosllavë do të shpëtohet pikërisht nga ndërhyrja e vyer e britanikëve. Generali britanik me mision pranë shtabit partizan Maclean, – personazh i cili thuhet se inspiroi Ian Fleming për të ndërtuar të famshmin “Bond”, – ishte efikas në një numër rastesh për t’i ardhur në ndihmë rezistencës partizane, por ky ishte operacioni më i vështirë. Avioni i RAF ulet në një lëndinë në kreshtat e ashpra malore, në një mot aspak të përshtatshëm fluturimi dhe kështu, Tito i shpëton për pak nazistëve. Më pas lideri ballkanik do t’a rrufisë kafen në Bari të Italisë, pikërisht në prani të njërit prej të “mëdhejve” aleatë, Churchill. Pa kaluar njëzet e katër orë, pas bisedimesh të frytshme dypalëshe, për të mos mbetur gjatë jashtë territorit jugosllav, Tito zbarkon në ishullin më të largët të bregut, i shndërruar sakaq prej anglezëve në një bazë të fuqishme logjistike në mbështetje të frontit.
Pas kësaj ndihma aleate merr një tjetër përmasë, aq sa ushtria partizane pajiset me avionë luftarakë, ndërsa pilotët e saj trajnohen në Itali. Ndihma aleate ndaj partizanëve do të jetë vendimtare në ndërtimin e forcës ushtarake të komunistëve jugosllavë në frontin e përgjakshëm ndaj trupave e naziste. Gjithashtu ky fuqizim dhe prestigj do të shërbejë dhe për mposhtjen e rivalve politikë dhe rrjedhimish për çimentimin e asaj që do të jetë Jugosllavia e Dytë, një shëmbëlltyrë në miniaturë e Bashkimit Sovjetik. Maclean, i cili do të ishte kaq i vyer për Titon në vigjilje të kësaj ndihme të pakursyer atëherë kur shumëkush e shkëmbente nofkën e Titos me atë të një femre, në audiencë me Churchill e paralajmëron atë për natyrën staliniste të lëvizjes guerrile të cilën po ndihmonin, forcë e cila sipas gjeneralit parashikohej të ishte e rëndësishme në realitetin e pasluftës. Churchil, me stilin e tij anekdotik të komunikimit, për të treguar se kjo pritshmëri politike nuk i interesonte, e pyet me ironi gjeneralin nëse ai do të zgjidhte të jetonte në Jugosllavi pas përfundimit të luftës?!
***
Abaz Kupi ishte ndër të parët që priti fashizmin me luftë në atë që simbolikisht do të regjistrohej si rezistenca shqiptare ndaj pushtimit italian. Këtë meritë do t’ia njohë dhe Enver Hoxha, armiku i tij i ardhshëm në një artikull në “Zërin e Popullit”, në kohën kur ata ende ishin aleatë. Më pas ai do të tërhiqej në brendësi të territorit dhe do të zgjidhte një moment të dytë për të organizuar forcat kundra pushtimit. Ky moment do të zyrtarizohej me pjesëmarrjen e tij në Frontin Nacionalçlirimtar, përkrah komunistëve sipas parimit; “bashkim pa dallim feje, krahine, ideje”. Profili i tij si lider i përkrahësve të mbretit ishtë i një niveli të ulët, por vëzhguesit britanikë të kohës, duke u nisur nga rrethanat e bashkëpunimit do ta karkaterizonin atë si një njeri praktik dhe inteligjent. Megjithëse i pakultivuar, kjo inteligjencë do të dilte në pah gjatë konsumimit të luftës civile kur si pakkush nuk zyrtarizoi ndonjë lloj bashkëpunimi me gjermanët. Duhet të ketë qënë e vështirë të ishe në shënjestrën e komunistëve dhe sakaq të mos shfrytëzoje fuqinë ushtarake të gjermanëve për të marrë avantazhe politiko ushtarake. Nëse do të ndodhte e kundërta, lëvizja e tij politike do të kompromentonte vetë Mbretin e ndodhur në Londër, lëvizje e cila mbante gjallë pikërisht pretendimet e tij politike.
Por këto dilema dhe përshtjellime që u përjetuan gjatë vitit ‘44 do të rridhnin shumë shpejt. Abaz Kupi me të tijët, në vjeshtë të atij viti do të gjendet në veri të vendit, të pashpresë për të ndryshuar realitetin politiko-ushtarak të krijuar në Shqipëri. Sipas ushtarakëve britanikë, urdhëri nga instancat e larta ishte që Abaz Kupi të mos evakuohej drejt Italisë. Megjithëse nuk konsiderohej si kuisling, për me tepër që kishte bashkëpunuar me britanikët në aksione të vogla, Kupi desh u harrua nga aleatët e tij, gati si dhuratë në duart e komunistëve. Më në fund, si pasojë e presioneve te brendshme mes ragjeve të ushtarakëve dhe zyrtarëve britanikë, për t’i shpëtuar kokën, ai u lejua të ngjitej në barkën e fundit të nisur nga bregu shqiptar.
***
Në tetor të ’44, trupat e Rahjut të Tretë lëshuan Athinën dhe sakaq, në portat e saj gjenden formacionet e EAM-it, forcës kryesore të rezistencës greke. Gjashtë ditë më pas, sipas një marrëveshje paraprake mes EAM-it dhe aleatëve të tyre britanikë, këta të fundit zbarkojnë me trupa në Athinë bashkë me qeverinë e dizenjuar prej tyre. Pas disa javësh, pikërisht në ditët e para të dhjetorit qeveria pro-britanike kërkon çarmatimin pa kushte të EAM- it e cila, e çoroditur nga kjo sjellje e aleatëve të tyre antifashistë, kërkojnë me ngulm integrimin e forcës së tyre në ushtrinë greke. Por këto vende në forcat e sigurisë i janë rezervuar sakaq ish-kuislingëve, që tashmë i shërbejnë kauzës britanike me zellin e djeshëm ndaj nazistëve gjermanë. Të çoroditur, të tradhëtuar pikërisht nga aleatët e tyre, ithtarët e EAM-it në Athinë do të nisin një luftë guerrile të pashpresë ndaj britanikëve, të cilët për të shtypur këtë rebelim nuk kursejnë as avionët luftarakë.
Gjatë kësaj kohe, kur vendosej fati politik i Greqisë, nën peshën emocionale të krijuar, një grup komplotistësh minon hotelin “Grande Bretagne” ku gjendej shtabi britanik. Ngjarjen e rrëfen pikërisht simboli i rezistencës antifashiste greke Manolis Glezos, deputeti 92 vjeçar i Syrizas, ende me reputacion të konsiderueshëm në qarqet e të majtës europiane. Sipas tij, një ton eksploziv i futur përmes kanalizimeve nëntokësore poshtë shtabit britanik nuk u përdor sepse urdhri për zjarr nuk erdhi kurrë. Më pas do të mësohej se mosrealizimi i këtij misioni hakmarrës ndaj ish-aleatëve të shndërruar tashmë në armiq nuk ndodhi sepse, gjatë atyre ditëve, në shtabin britanik gjendej personalisht Churchill-i.
Prania e Churchill-it atyre ditëve në Athinë dëshmon qartësisht kujdesin e tij që zhvillimt e ardhshme në Greqi të rridhnin sipas interesave britanike. Pas çarmatimit pa kushte të EAM-it, në vend do të nisë një gjueti e pashoqe ndaj ithtarëve të së majtës antifashiste, të cilët me mijra do të mbushnin kampet e përqendrimit, represion i cili do të sillte pashmangshëm luftën civile.
Taktikat guerrile gjatë Luftës së Dytë Botërore do jenë të papërfillshme në volumin luftarak që solli mposhtjen e fuqive të Boshtit. Megjithatë në disa raste, si në Jugosllavi apo gjetkë, lufta partizane do të sillte, në rrafshin lokal, vështirësi të konsiderueshme për trupat gjermane. Kjo ishte arsyeja që britanikët apo dhe amerikanët nuk do të kursenin ndihmat për të pajisur dhe fuqizuar formacione që përzgjidheshin si forca aleate në terren. Por, siç e thonë ngjarjet e pasluftës në Greqi, luftëtarët antifashistë, nuk u konsideruan të përshtatshëm ideologjikisht për të marrë pushtetin, dhe ky qëllim do të justifikonte çdo mjet të përdorur nga britanikët dhe më pas, amerikanët.
Qasja imperiale do të flakë tej solidaritetin që lindi në luftë gjatë eksperiencës dhe sakrificës së përbashkët kundër armikut. Në rastin e Jugosllavisë mbështetja ushtarake për trupat partizane u përkthye edhe si mbështetje politike ndaj tyre. E mbrujtur nga ideologjia internacionaliste e ekstremit të majtë, ushtria e Titos do të likuidonte forcat nacionaliste, të cilat i korrespondonin kombësive të shumta, shpesh në konflikt mes tyre, në ato hapsira. Kështu do të ringrihej në këmbë ngrehina e vjetër, por me një petk të ri, atë të Marshallit Tito. Pas prishjes me Stalinin dhe sidomos pas krijimit të Grupit të Vendeve të Pangazhuara, Tito do të shndërrohej në një personazh karizmatik gati si një star kinematografik, kjo madje edhe në Perëndim, atje ku nuk ia preferonin ideologjinë, por që ende nuk ja kursenin ndihmat.
Dy rastet, ai i Greqisë dhe ai i Jugosllavisë me ngjashmëri në aspektin e bashkëpunimit me aleatët, por me përfundime të kundërta shpërblimesh politike, janë produkte realitetesh të dhunshme interesash dhe ekuilibrash mes fituesve të luftës.
***
Në Shqipëri në dukje nuk ndodhi asnjë nga këto pritshmëri. Megjithëse Shqipëria ishte një periferi e humbur e teatrit të luftës, britanikët dhanë një ndihmesë të konsiderueshme ndaj forcave luftarake të influencuar nga komunistët. Këtë ndihmë komunistët e përdorën kryesisht kundër rivalëve të tyre politikë dhe vetëm në pak raste, si ai i sulmit ndaj Tiranës, ajo do të përdorej kundër gjermanëve, edhe sepse kjo fitore do t’u hipotekonte pushtetin. Pra kjo ndihmë vjen si e pakuptimtë kur shohim që në luftë kundra gjermanëve Fronti Nacionalçlirimtar shpenzoi pak energji, ndërkohë që pushteti i pasluftës që u investua prej tyre do të ishte thellësisht antibritanik.
Kjo anomali mbase mund të shpjegohet dhe me atë që dëshmon profesor Paskal Milo se, kur Churchill-i dhe Stalini në Marrëveshjen e Moskës kanë ndarë përqindjet e influencës në vendet e Ballkant, u ka shpëtuar nga vëmendja pikërisht Shqipëria e vogël, një pakujdesi që u falet të “mëdhenjve” që po ndajnë botën. Por, e harruar apo jo nga loja e dy të moshuarve, e ndodhur mes dy vendeve të lartpërmendura, Shqipëria do të merrte pashmangshmërisht njërën nga kahjet. Nisur nga ndikimi ideologjik dhe organizativ jugosllav gjatë luftës, Shqipëria u “harrua” në influencën e Titos si një zgjidhje pragmatike për të mpirë çështjen kombëtare shqiptare e ndërthurur keqas me interesat jugosllave. Në lojën e të mëdhenjve ka kusur edhe për kusuret ndërmjet tyre.