“Falenderoj të gjithë friends-at e mi, që m’u gjendën pranë me ngushëllimet e tyre në facebook, në këtë ditë dhimbjeje për mua”, ishte statusi që lexova një ditë no wall-in tim prej një të riu në ditën e vdekjes së nënës së tij. Interneti është bërë sot për shumë njerëz, kryesisht të rinj, zëvendësues i jetës sociale dhe mbushës i boshllëkut shoqëror. Rrjetet sociale janë kthyer në zëvendësues të jetës shoqërore duke synuar të përmbushin nevojën për komunitet. Ato janë tashmë fija e kashtës ku njeriu kapet për të shpëtuar prej mbytjes nga vetmia që sjell një shoqëri individualiste e atomizuar. Ato janë fijet pa nyjë, përpërmjet të cilave njeriu i sotëm mundohet të arnojë boshllëkun e krijuar nga masakrimi i qenies sonë sociale. Interneti është tashmë një mënyrë jetese. Jeta on line, po zëvendëson në shumë aspekte jetën reale, duke virtualizuar gjithnjë e më shumë qenien njerëzore.
Jetë paralele
Kjo jete e re, po krijon njëkohësisht edhe strukturat sociale kibernetike duke shfaqur konturet e njëfarë stratifikimi si dhe të një kodi vleror e normativ on line. “Ju kërkoj ndjesë, por gjatë këtyre ditëve më duhet të udhëtoj dhe nuk do të jem i pranishëm sa duhet në Facebook”, shprehej një tjetër, duke u përpjekur të justifikohet për “fajin” e pamundësisë për plotësimin e detyrimeve shoqërore dixhitale. Duket se tashmë të jesh on line nuk është më thjesht argëtim e kalim kohe, por po bëhet edhe detyrim. Jeta on line po shndërrohet në një mjedis social më vete me kodet dhe normat e veta zakonore, shoqërore, morale etj. Ajo kërkon detyrime apo edhe qoka, të cilat janë shndërruar në pritshmëri të pashmangshme për shumë njerëz, gjëra këto që, shumica prej nesh i kanë harruar në jetën reale.
Njerëzit në internet krijojnë jo thjesht profilin, por në njëfarë mase edhe karakterin, personalitetin dhe individualitetin e tyre kibernetik. Madje jo vetëm kaq, por shumë prej tyre krijojnë disa të tillë njëherësh, duke hapur adresa të fshehta në të cilat “jetojnë” paralelisht në disa identitete të rremë. Kjo mund të shihet edhe si një mënyrë për të shfaqur forma të ndryshme paralele të vetes, gjë që buron apo shkakton prirjen për një personalitet të shumëfishtë, i përhapur doemos në një shoqëri konsumi të hipermediatizuar, ku përzgjedhja e modeleve nga mediat, bëhet e vështirë nën presionin e një fluksi të jashtëzakonshëm variteti që prodhon kultura e imazhit. Anonimati nxjerr shpesh anë të fshehta të njerëzve, të cilët, të çliruar nga prania reale e tjetrit, shprehen më lirshëm, pa pyetur fare për normat shoqërore apo barrierat skrupuloze që kanë. Kjo është arsyeja që shohim kaq shumë agresivitet në komente dhe diskutime në facebook apo blogosferë. Interneti është një hapësirë ku shqiptarët nxjerrin dhe zbrazin agresivitetin e brendshëm në mënyrë të pafre.
Toka e premtuar
Nga një perspektivë tjetër, interneti është toka e premtuar e komunizmit, parajsa sociale ku realizohet më në fund barazia shoqërore, madje edhe mungesa e shtetit. Natyrisht, interneti rekruton “administratën” e vet, të përbërë nga programistë, menaxherë serverash, faqesh apo adminë, por gjithsesi, sidomos facebook-u është një hapësirë ku njerëzit kultivojnë shoqërizimin pa asnjë objektiv të përbashkët dhe pa asnjë institucion që i orienton. Të vetmet ndërhyrje të “shtetit” janë mekanizmat automatike, të cilat veprojnë në bazë të programeve të ndërtuara nga prodhuesit e rrjeteve sociale. Kjo përbën në vetvete anarkizmin qenësor të shoqërisë pa klasa, të realizuar virtualisht, on line.
Në fakt, sot edhe qeveria është më shumë në facebook se në punë. Në natyrën e demokracisë është që politika të jetë më shumë një formë mediatike e veprimtarisë shoqërore, ndaj është e natyrshme që ti kemi liderët tanë on line, “gju me gju me popullin”. Aq më tepër një qeveri që nuk bën asnjë punë, përveç se kur prish, apo kur iu bie më qafë njerëzve, patjetër që do të jetë shumë prezente në facebook. Megjithatë, ndryshe nga jeta reale, ajo është këtu shumë e sheqerosur, ndonëse edhe shumë vunerabël për t’u sharë e akuzuar.
Jeta virtuale në internet të ofron mundësi të ndryshme, por edhe të mohon shumë të tjera, që lidhen me jetën reale. Ajo jo vetëm na kushton kohë, impenjim, por edhe na kushtëzon mënyrën sesi formohemi e informohemi, duke na lënë në cektinën e një oqeani të pamenaxhueshëm informativ, që na serviret bruto, i pakontrolluar e i pafiltruar nga asnjë burim autoritativ. Interneti gjithashtu na pengon nga marrëdhëniet shoqërore reale. Një urim apo ngushëllim në facebook, të çliron nga detyrimi për t’iu përgjigjur miqve në raste gëzimesh a hidhërimesh, por nga ana tjetër të pengon mundësinë që të ndash realisht me tjetrin dhembjen tënde. Njeriu mbetet i vetëm përballë fatit të vet dhe i ftohtë e i parealizuar përballë një miqësie që nuk e ke kurrë pranë.