Ndeshja mbaroi, por më shumë se një barazim fituam “Elbasan Arenën”. Për këtë ndeshje, duke ironizuar Berishën e krahasimeve romantike dhe gati në gjendje afrodiziakizmi, Rama, në vend të standardit ekonomik, shfrytëzon futbollin si standard për t’u krahasuar me Europën. “As jemi e as nuk kemi qenë të dytët pas Gjermanisë, por shpresoj që të paktën sot të jemi të parët para Danimarkës” ishte batuta e Ramës disa orë para ndeshjes. Sigurisht, çdo politikan do të shfrytëzonte gjithëfarë forme dhe mjeti për të gjetur një paralelizëm me kontinentin drejt të cilit po rrugëtojmë, por fatkeqësisht këto lloj amfetaminash politike nuk arrijnë që t’i ndihmojnë Shqipërisë të përfundojë garën për në Europë.
Shqipëria ka sot probleme esenciale me ekonominë, drejtësinë, politikën dhe është shaka që me një top, një stadium dhe një kombëtare (80{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} e të cilëve nuk luajnë në Shqipëri) të parakalosh Danimarkën. Në fakt, përveç lojës dinjitoze të ekipit kombëtar, e gjithë saga promocionale e ri-investimit të ri politik nëpërmjet futbollit është groteske. Instrumentalizimin e ndeshjeve të kombëtares e ndiqte me shumë interes edhe paraardhësi i Ramës, po me të njëjtin qëllim populist, për disa “qindarka” më shumë kredo politike. Siç duket pantomima a promovimit politik nëpërmjet futbollit për këtë vit fillon me emrin e rilindur të stadiumit “Elbasan Arena”.
Emri është huazuar nga “Allianz Arena”, i cili ka një kapacitet prej 70,000 tifozësh. “Elbasan Arena” me rreth 13,000 vende është përpjekur t’i afrohet një fushe stërvitore të një klubi prestigjioz në Europë. Mirëpo nga pikëpamja strukturore “Elbasan Arena” i ngjan me shumë “tavës së Elbasanit” sesa “arenës elbasanase”. Ndërtesat rrethuese e dekorojnë si brinjë qengji, dhe smoku mbytës i Elbasanit duket si një kos i yndyrtë që mbulon jetën e elbasanasve. Është çudi sesi FIFA nuk bëri një matje të cilësisë së ajrit apo dhe vetë danezët, shpesh të vëmendshëm në këto hollësi! Megjithatë “tava e Elbasanit” shquhet për shijen dhe nuk hyn tek ato gatime që të bien rëndë në stomak. Edhe rezultati i ndeshjes sikur tava duket se i shkoi për shtat agjendës politike. Një barazim që na lë në krye me Danimarkën, por dhe pa shumë kosto për qeverinë.
Nga ana tjetër duhet pranuar se është një gjetje artistike të gjermanizosh Elbasanin nëpërmjet “Elbasan Arenës”. Ky lloj “arti” duhet të futet në zhanrin e artit abstrakt, ku artdashësit i duhet të jetë me goxha shije të hollë që të kuptojë filozofinë e veprës. Dhe me pak meditim, këtij abstraksioni politik ideja i del shpejt në pah. Në këtë art abstrakt duhet të bëjë pjesë sigurisht edhe lidhja midis “Elbasan Arenës”, që inkurajon sportin, dhe metalurgjikut, që inkurajon ndotjen ambientale. Me pak mund, dikush kupton që saga “Elbasan Arena”, më shumë sesa një vepër që i shërben futbollit, ngjan me një vepër që po i shërben zgjedhjeve lokale, të cilat i kemi në prag. Në këtë sipar, fatin e “Elbasan Arenës” do ta ndjek edhe “Shkodër Arena” apo edhe ndonjë qytet tjetër. Ndonjë shqiptar cinik do të kishte uruar që zgjedhjet lokale të shtyheshin që të fitonim edhe disa “arena” të tjera në vend.
Megjithatë në këtë garniturë alla ‘tavë Elbasani’ do të ishte mirë që politika ta kursente këtë popull dhe në atë pak kohë kur nuk duhet menduar për polikë; do të ishte më mirë që cinizmi të mos shtrihej në projekte që shfrytëzojnë dëshpërimin social, por në projekte që ndryshojnë thelbin e problematikave shqiptare dhe jo që kurojnë thjesht formën.