pb
Kontributet në ndriçimin e së shkuarës historiografia shqiptare – në veçanti disiplinat e angazhuara në periudhat me potencial të lartë identitar – i ka shoqëruar e shpeshherë i ka shkrirë me një (a) histori sakrale, të përbërë nga një (b) korpus i dendur shpikjesh, me (c) pasoja indoktrinuese, të nisur në (I) përsiatjet artizanale të viteve ’20-’40, për të vijuar me (II) fazën e kodifikimit nën regjinë e diktaturës komuniste, deri te (III) pluralizmi i aksesit në shkencë në çerekshekullin e fundit, duke e përshkuar objektin e studimit përmes tri hinkave interpretuese teleologjike, nganjëherë të përdorura paralelisht në secilën prej tri fazave, siç janë interpretimi me karakter (1) nacional-romantik, (2) patrimarksist dhe (3) euroteist. Me histori sakrale duhet kuptuar adhurimi i së shkuarës, shndërrimi në dogmë dhe përjashtimi (pra ndarja, prej fjalës sacer) nga ndryshimet, kritika e ri-shkrimi, që sigurisht kërkon edhe një kastë interpretuesish-rojtarë, të miratuar si të tillë jo aq nga profesionalizmi sesa nga besnikëria ndaj dogmës, çka do të thotë se jo detyrimisht duhet të jenë historianë. Kjo histori, e të besuarit dhe jo e të diturit, nuk mund të mos këtë (të paktën) si pasojë indoktrinimin dhe as mund të mbijetojë pa zinxhirin e shpikjeve.
Siç u përmend te përkufizimi, fazat janë tri. Periudha e shtrirë nga vitet ’20 – ku Skënderbeu i Nolit mund të konsiderohet një hap protoshkencor drejt interpretimit të Mesjetës – deri në vitet e Luftës së Dytë botërore përmbledh një sërë vëzhgimesh medievistike, që shërbejnë si pikënisje e shkollës së vërtetë historiografike shqiptare, e më konkretisht medievistike, të fazës së dytë, e cila shtrihet përgjatë dekadave të regjimit komunist. Nevojat e regjimit përkthehen në ngritjen e instituteve, universiteteve, rrjetit shkollor, organeve specifike të botimeve akademike të fushës në fjalë, Akademisë së Shkencave dhe profesionit të mirëfilltë të historianit, përmes të cilëve mundësohet kodifikimi dhe masivizimi i një historie standard. Në ndryshim nga faza e parë, këtu përpjekjet janë të institucionalizuara; produktet kalojnë nëpër hallka specifike deri te masa; zhvillohet një llojshmëri fushash, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për këndvështrimet dhe ekzistencën e debatit. Pjesa dërrmuese e imagjinatës kolektive të shqiptarëve rreth Mesjetës, e jo vetëm, që do të thotë rreth Vetes dhe Tjetrit, është prodhuar e rrënjosur në këtë fazë dhe prej saj trashëgohet në formë të sakralizuar. Faza e tretë fillon me vendosjen e pluralizmit politik, i cili reflektohet edhe në fushat e dijes, të paktën potencialisht. Shprehje e këtij pluralizmi është shumëllojshmëria e lëvruesve të historiografisë, ndërsa njëshmëria e dogmës vazhdon të mbetet e padiskutueshme në linjat themelore, me perspektiva të “reja” që vetëm sa ia shtojnë makijazhin e dogmatizmit ekzistues.
Tri janë edhe qasjet interpretuese, të cilat i kanë dhënë historiografisë shqiptare një karakter teleologjik, ku shumë ngjarje e personazhe, e kësisoj historia në tërësi, lexohen e besohen në funksion të disa qëllimeve të paracaktuara nga subjektivizmi i vëzhguesit, nga nevojat personale dhe institucionale. Qasja nacional-romantike ka ndikuar në një shpjegim historiografik në mbështetje të disa tezave kombëtare, duke legjitimuar shkencërisht mite, simbole, identitet (si p.sh: qëndresa, heroi, armiku, gjuha, virtytet kolektive etj.) dhe duke e modifikuar të shkuarën në funksion të nevojave të kombit për legjitimitet historik. Ndonëse është më tipike për fazën e parë, nuk përjashtohet as prej dy të tjerave, natyrisht me modifikimet përkatëse. Dhe qasja patrimarksiste, tipike e fazës së regjimit, e konfirmon sepse bashkë me metodën marksiste të materializmit historik amalgamon perspektivën patriotike, e cila përdor rezervuar nacionalist: historiografia vendoset në shërbim të një regjimi që synon të prodhojë devotshmëri kolektive ndaj Atdheut politik (28 mijë km2) të kontrolluar nga Partia e jo të atdheut etnik.
E veçanta e kërkimit shkencor të fazës së dytë është institucionalizimi i metodës së materializmit historik, siç ndodh në shumë vende komuniste, edhe pse metoda përdoret jo pa sukses nga mjaft zëra më autoritet në shkollat perëndimore, por me bashkëngjitjen e teleologjisë patriotike, që e prodhon një hibrid metodologjik. Pra, e ilustruar, për historianin e regjimit Mesjeta vendos gjithmonë përballë dy klasa antagoniste, në konflikt të vazhdueshëm, por heroi, i cili teorikisht i përket klasës sunduese, e për rrjedhojë shfrytëzuese, praktikisht njësohet me klasën e sunduar: ky shpërfytyrim i rezultateve të metodës marksiste mundësohet nga syzet nacionaliste, ku nacionalizmi, dhe kjo duhet nënvizuar, është zhveshur nga komponenti i tij (themelor) politik.
Së treti, qasja euroteiste identifikohet në këtë mënyrë për shkak të peshës së Europës, fesë dhe shndërrimit të vetë Europës në kult në këtë interpretim të Mesjetës. Pa ia mohuar eurofilinë shkollës historike të regjimit, faza aktuale (III) e riciklon vrullshëm modelin euroteist të fazës së parë, duke shfrytëzuar si të gatshme prodhimtarinë e masivizuar të regjimit, me synim përcaktimin e identiteteve kolektive dhe rrjedhimisht formën e përmbajtjen e Tjetrit të refuzueshëm.
Ky kombinim fazash, perspektivash e rezultatesh përshkon të gjithë librin Shpikja e Mesjetës: Vetja dhe Tjetri në medievistikën shqiptare dhe ndihmon të kuptohen çelësat e leximit të tij.