Zemërimi i kaloi kufijtë e inatit të zakonshëm të qytetarëve të ofenduar. Një plan për të ndaluar shitjen e duhanit u bë shkak për mobilizim. Urrejtja ishte drejtuar ndaj një propozimi nga bordi lokal i shëndetit që do ta kthente Westminister-in qytetin e parë në SHBA, ku nuk mund të blihen cigare, e-cigare, puro dhe duhan për përtypje.
Protesta nuk buron nga dëshira e nejçëve këtu për të pirë duhanin – vetëm 17 për qind e pinë (pak më shumë se mesatarja në gjithë Massachusetts-in). Shumë prej tyre mund të mos kenë prekur duhan kurrë dhe kanë neveri prej prirjes së tij. Por ata e perceptojnë ndalimin si një sulm direkt ndaj të lirive të tyre individuale. Veç kësaj, ata thonë se kjo do të shkatërronte tetë bizneset në qytet që shesin prodhime duhani.
Ndalimi është tema kryesore e bisedës në dyqanin e Vincent-it, mbi banakun e të cilit gjendet një peticion dhe çdo ditë firmoset gjithnjë e më shumë; numri më i fundit ishte 1200 firma, në qytet me 7400 banorë. Ndërsa hynë e dalin, dyqanxhinjtë ushqejnë zemërimin e njëri-tjetrit.
“Ata po na marrin lirinë pak e nga pak çdo ditë,” tha Nate Johnson, 32 vjeç, prodhues vezësh, ndërsa qëndronte jashtë dyqanit të tij javën e kaluar. “Kjo s’ka të bëjë me duhanin, por me kontrollin,” tha ai.
“Kjo nuk është sjellje amerikane,” ndërhyn Rick Sparrow, 48 vjeç, bojaxhi.
Ndërsa Wayne dhe Deborah Hancock rrëmbeu një karrocë, hyn në bisedë. Të gjithë ranë dakord menjëherë liritë e tjera të rrezikuara janë armët dhe feja, gjë që e nxiti zonjën Hancock, 52 vjeç, të thotë se kishte frikë të mbante kryqin [në qafë].
“Mendoj, a do më vrasë njeri?” tha ajo, jo tërësisht me shaka.
Rreth 500 vetë mbushën një shkollë fillore në qytet, të mërkurën, në një takim me tre anëtarë të Bordit të Shëndetit. Gjakrat u nxehën, dhe takimi i trazuar aq shumë sa drejtuesja e tij nuk ishte në gjendje të mbante rregull; ajo e mbylli takimin 20 minuta pasi kishte filluar. Turma filloi të këndonte “God Bless Amerika” [Zot bekoje Amerikën] në shenjë proteste, kurse anëtarët e bordit u larguan të ruajtur nga policia.
Shumë pak njerëz mund ta shpjegojnë si ndodhi që Westminister-i u bë fushëbeteja e luftës disa dekadëshe për duhanin. Ky vendbanim para revolucionit u shfaq si një vendqëndrim për karrocierët në fund të viteve 1700 në Boston, 50 milje më tutje, në drejtim të perëndimit. Është rural në shumicë dhe voton thuajse krejtësisht republikanët. Këtu nuk ka industri, asnjë supermarket.
Kundërshtarët e propozimit për ndalim të duhanit fajësojnë “grupe të huaja” që duan ta përdorin qytetin si rast testimi, duke menduar se ngaqë është kaq i vogël, nuk do ta çajë njeri kokën për të. Në fakt, Bordi i Shëndetit e ka diskutuar ndalimin e duhanit që në pranverë. Por askush nuk e vuri re, deri javën e kaluar kur bordi lajmëroi tregtarët se do të humbnin të drejtët të shisnin duhan. David B. Sutton, zëdhënës për Altra-n, kompania mëmë e Philip Morris, kompania e duhanit më e madhe në vend, tha se kompania po e monitoronte situatën, por nuk kishte dorë në rebelim. Duhani përbën vetëm një fraksion të të ardhurave të përgjithshme për dyqanet që e shesin. Por njerëzit që blejnë cigare dhe puro blejnë dhe gjëra të tjera, dhe studimet tregojnë se me humbjen e këtyre klientëve, dyqanet humbasin një të tretën e të ardhurave.
“Kjo quhet dyqan one-stop,” tha Joe Serio, pronar dhe farmacist në Westminster Pharmacy, ku shitja e duhanit përbën dy për qind të të ardhurave dhe ku vera e birra janë stivosur ngjitur me ilaçet.
Me kalimin e viteve, Massachusetts e ndaloi duhanin në vendin e punës, si dhe në restorante dhe bare. Shumica e 351 qyteteve të këtij shteti kanë vendosur kufizimet e veta. Për shembull, 105 qytete e kanë ndaluar shitjen e duhanit në institucione të kujdesit shëndetësor, përfshi farmacitë; 34 kanë rritur moshën ligjore për të blerë duhan nga 18 në 21 vjeç; tetë qytete kanë ndaluar shitjen e duhanit aromatik dhe e-cigarave (cigaret elektronike). Por Westminister-i do të bëhej shteti i parë në gjithë shtetin dhe vendin që do ndalonte shitjen totale të produkteve të duhanit dhe nikotinës. Kjo ide buroi nga Bordi i Shëndetit, i cili thotë se e ka detyrim moral të përpiqet të frenojë të rinjtë nga prirja e duhanit. Bordi e kishte të vështirë të përballonte gjithë llojet e reja të duhaneve aromatike me synim joshjen e të rinjve.
“Gjendemi në situatë pa krye,” tha në takimin e të mërkurës Joan Hamlett, agjent i duhanit në qytete. “Çdo 18 muaj që nga 1994, Bordi i Shëndetit i Westminister-it ka vëzhguar ligje të ndryshme, sepse çdo herë që ne mundohemi të gjejmë një rrugë për të frenuar aksesin e të rinjve te duhani, industria e duhanit nxjerr një produkt të ri që ne duhet ta studiojmë, trajtojmë dhe të gjejmë një rrugë për ta rregulluar.”
Andera Crete, kryetarja e Bordit të Shëndetit, duke cituar një raport, tha se të rinjtë që blejnë të paktën dy herë në javë në dyqanet që shesin duhan, janë 64 për qind më të prirë të fillojnë cigare, krahasuar me ata që nuk blejnë.
“Bordi i Shëndetit i lejon këto subjekte të shesin këto produkte të rrezikshme që, kur përdoren, vrasin 50 për qind të përdoruesve, kjo është kundër misionit të shëndetit publik,” tha zonja Crete.
Turma dëgjoi, por sapo takimi u hap për komente nga publiku, njerëzit u sulën.
“Ju më bëni për të vjellë,” iu drejtua një burrë bordit dhe audienca shpërtheu në entuziazëm.
“Unë e urrej pirjen e duhanit në të gjitha format,” i tha bordit Wayn R. Walker, por një “qasje radikale e tillë”, si ndalimi i shitjes, “do të krijonte vështirësi të mëdha ekonomike.”
Një banor i quajtur Kevin West tha se pirja e duhanit ishte “një nga zakonet më të neveritshme që mund të ketë njeriu,” por shtoi: “por ky propozim më duket se është edhe më i neveritshëm.” Thirrjet pas kësaj deklarate e nxitën zonjën Crete, e cila kishte dhënë disa paralajmërime, e deklaroi takimin të mbyllur.
Ajo tha banorët mund t’i dërgojnë pikëpamjet e tyre me shkrim deri më 1 dhjetor. Bordi, që ka fjalën e fundit, do të organizojë një tjetër takim dhe votë për këtë propozim, por ajo nuk e dinte datën.
Ndërsa qytetarët e inatosur u larguan nga takimi, Brian Vincent tha se ishte i zhgënjyer, që nuk pati mundësinë t’i thoshte bordit që asnjë nga shitësit e qytetit nuk shet prodhime duhani të cilësisë për të cilën ishte shqetësuar bordi. Dhe asnjëri prej tyre nuk është kapur duke i shitur personave nën moshë.
Mes qindra protestuesve në takim, të paktën dy persona – mjekë – ishin pro ndalimit të shitjes së duhanit. Dr. Corey Saltin dhe Dr. Payam Aghassi, specialistë të mushkërive që kanë një klinikë private aty afër, thanë se i kuptonin shqetësimet e njerëzve në lidhje me zgjedhjen e lirë, por, sipas tyre, edhe njerëzit që ekspozohen karshi duhanit të përdorur kanë të drejta e tyre.
“Ndalimi i shitjes së duhanit do të ndodhë diku, dikur,” parashikoi Dr. Saltin. “Ndoshta jo në Westminister.”
______________________________
Titulli është përshtatur nga redaksia