Vladimir Bukovski, ish-disident që jeton në Britaninë e Madhe, e ka përqasur Bashkimin Evropian me Bashkimin Sovjetik, një vend që ai e urrente dhe e luftonte – një version më i butë i tij, të jem i saktë, por ideologjik dhe jo demokratik në mënyrën e tij. Pak ishin të gatshëm ta dëgjonin, por tani, Marine Le Pen, kryetare e Frontit Kombëtar Francez, thotë se BE ka nisur të shpërbëhet pikërisht si Bashkimi Sovjetik. Analogjia meriton një farë diskutimi.
Pas daljes së Britanisë nga BE, në ajër ka diçka që të kujton shembjen sovjetike. Siç u shpreh sekretari i shtypit i Presidentit Putin këtë javë, Dmitri Peskov, “ndoshta do të ishte e paarsyeshme të hiqen paralele direkt, por një kohë, le të themi, e trazuar, e mjegullt, dhe paparashikueshme na ka pllakosur.”
Ndryshe nga Peskov, Le Pen nuk ka përvojë të drejtpërdrejtë nga vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik. Ndoshta kjo është arsyeja pse ajo nuk ka problem me paralele të drejtpërdrejta. Në një intervistë të kohëve të fundit, Le Pen mbronte idenë që BE nuk mund të rregullohet njëlloj si superfuqia komuniste:
“Ata po i bëjnë atë që i bënë Bashkimit Sovjetik. Kur rezultatet nuk ishin në përputhje me planin, [sovjetikët] thoshin se nuk kishte funksionuar ngaqë nuk kishte shumë komunizëm. Bashkimi Evropian bën të njëjtën gjë. Çdo herë që ka një dështim, ata thonë që kjo ndodh për shkak se nuk ka integrim të mjaftueshëm.”
Për nacionalistët brenda Evropës, BE me institucionet e saj mbi-kombëtare i ngjan Bashkimit Sovjetik në shumë mënyra. Kryesisht sundohet nga një burokraci e pazgjedhur, ka një parlament të dobët, propagandon korrektesën politike. Megjithatë, më e rëndësishmja, ata shqetësohen për atë që e shikojnë si përpjekje për të zhdukur identitetet kombëtare dhe për të promovuar një lloj mbi-identiteti evropian në vend të tyre. Me këtë narrativë, ajo që ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar shihet si fillimi i zgjimit nacionalist të llojit që shpërbëri Bashkimin Sovjetik. Ajo çfarë Le Pen e quan “pranvera e popullit” e paevitueshme do të ishte e afërt me të ashtuquajturën “parada e sovranitetit” 1988-1991, kur të gjitha republikat sovjetik e madje dhe disa pjesë të Rusisë vendosën të bëheshin shtete kombëtare.
Është e lehtë të harrohesh pas kësaj. Ato lëvizje kombëtare u shumëfishuan përballë një krize ekonomike të shkaktuar nga nafta me çmim të ulët. Ajo krizë ishte, sigurisht, shumë më e ashpër seç mund të ketë përjetuar BE – ashtu si dhe dominimi i Bashkimit Sovjetik totalitar ishte shumë më shtypës dhe shkatërrues se çdo gjë që euroskeptikët mund të imagjinojnë. Varfëria ekonomike e bëri të lehtë për populistët nacionalistë në Ukrainë dhe në shtetet baltike të debatonin që qeveria në Moskë i kishte varfëruar republikat. Herë-herë grekët duket se kanë qenë në një trajektore të tillë. “Në kushtet e një krize dhe urie, një lloj xhelozie u përhap papritmas,” kujton Sergei Shkhrai, ish-ndihmës i presidentit të parë të Rusisë, Boris Jelcin. “Në vendet baltike ata ulërinin, ‘Mjaft e ushqyem Moskën!’ dhe në Rusi njerëzit nuk donin ‘të ushqenin’ Azinë Qendrore dhe Gjeorgjinë.”
Kjo tingëllon shumë si argumentet e Britanisë për buxhetin e BE dhe emigrantët e BE abuzues me përkrahjen sociale. Megjithatë, pasi republikat sovjetike fituan pavarësinë, zhvillimi ekonomik nuk erdhi menjëherë. Ekonomitë e tyre u zhytën, pjesërisht për shkak të rënies në prangat e vlerave të krijuara dhe të shfaqjes së kufijve kombëtarë dhe barrierave doganore.
Edhe atëherë, lëvizjet për pavarësi u bënë mbulesë për llojin e racizmit dhe diskriminimeve që janë shfaqur në Britani, pas referendumit dhe që janë përshkruar në mënyrë pikante në një postim në Facebook nga një adoleshente lituane. “Mendoj se njerëzit që kanë qenë deri diku racistë kanë fituar më shumë mundësi të shfaqen hapur racistë pasi Mbretëria e Bashkuar fitoi ‘pavarësinë’ e saj,” shkroi ajo. “Sepse tani u lejua të më thuash ‘Tani duhet të largohesh, sepse ne votuam për dalje dhe duam që ju të largoheni.’”
Adoleshentja, Egle Matulionyte, është shumë e re të mbajë mend të njëjtin lloj ndjenjash drejtuar ndaj rusëve rreth kohës që Lituania u bë republika e parë duke shpallur pavarësinë në mars 1990. Rusishtfolësit në rrugët e qyteteve të Lituanisë quheshin “pushtues” – referencë për pushtimin e vendeve baltike nga Stalini pas Luftës së Dytë Borërore – dhe iu kërkohej të ktheheshin në atdheun e tyre.
Nëse dalja e Britanisë shkakton një valë largimesh nga BE, është e lehtë të imagjinosh liderët e vendeve më të mëdha që mblidhen pas dyerve të mbyllura për negociuar kushtet e divorcit përfundimtar, në po atë mënyrë që presidenti i Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë u mblodhën në Belovezhskaya Pushcha në fund të 1991-it. Dhe është po kaq e lehtë të përfytyrosh pasuesit e tyre ta quajnë këtë një tragjedi dhe akt tradhtie, siç bënë në vendet post-sovjetike.
Britanikët që ishin pro qëndrimit në BE e thonë këtë tashmë për daljen dhe arkitektët e saj. Dhe SHBA është e shqetësuar se mos erozioni i BE mund të jetë destabilizues për rendin e tanishëm botëror po aq sa ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990.
Megjithatë, analogjia ka një të metë fatale. Bashkimi Sovjetik bazohej te shtrëngimi. Ndërsa BE – pavarësisht seç mund të thuhet për presionin ekonomik të Gjermanisë ndaj anëtarëve më të dobët – nuk bazohet te shtrëngimi.
Pas ndarjes së Lituanisë, lideri sovjetik Mikhail Gorbaçov e shpalli menjëherë të paligjshme. Ai vendosi sanksione ekonomike ndaj republikës rebele, por ato nuk dhanë rezultat, dhe në janar 1991, u dërgua ushtria në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnus. Trembëdhjetë lituanë u vranë gjatë sulmeve të kota. Ndërsa në Moskë, qindra mijëra demonstruan kundër përdorimit të forcës: Pavarësisht karakterit nacionalist të revolucionit lituan, rusët asokohe e konsideruan atë një hap drejt lirisë së tyre nga komunizmi.
Imagjinoni Brukselin të organizojë protestë kundër vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për t’u shkëputur dhe tentimin e tij për ta ndëshkuar me kufizime ekonomike. Imagjinoni demonstrata pro daljes së Britanisë në Berlin, të frymëzuar nga shpresa që britanikët e guximshëm do të ndezin gjurmën drejt lirisë për pjesën tjetër të Evropës.
Largimi nga BE nuk ka bazë morale të fortë, si në kohën që vendet baltike u ndanë nga Bashkimi Sovjetik, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë pushtimi.
Megjithatë, nga shembja e Bashkimit Sovjetik mund të nxirren mësime. Super-shtetet e menaxhuara keq – të njohur dhe si perandori – kanë prirjen të shpërbëhen. Megjithatë, xhelozia, racizmi, dhe dëshira kokëforte për të ecur vetëm nuk sjellin pasuri. Vendet baltike gjetën zhvillim ekonomik relativ në BE, një union që ata zgjodhën t’i bashkoheshin me dëshirë. Megjithëse ishin vendet e para që tronditën themelet e Bashkimit Sovjetik, ato do të jenë të fundit që do dalin nga BE, nëse shpërbëhet.