Moderniteti dhe Holokausti*
Zygmunt Bauman
Strategjia e shpjegimit shoqëror-shkakësor të normave morale (d.m.th. konceptimi në parim i moralit si i derivueshëm prej kushteve shoqërore dhe i ndikueshëm prej proceseve shoqërore) gjurmohet mbrapa në kohë të paktën deri te Montesque. Sugjerimet e tij që, p.sh. poligjinia krijohet ose nga tepria e grave ose nga plakja e shpejtë e tyre në kushte të veçanta klimatike, tani mund të citohet në librat e historisë kryesisht për të ilustruar me anë të kontrastit përparimin e bërë nga shkenca krahasuar me ditët e para të saj; megjithatë, trajta e shpjegimit të ilustruar nga hipotezat e Montesque-së nuk u vu në dyshim për një kohë të gjatë pas tij. Është bërë pjesë e gjykimit të shëndoshë shoqëror-shkencor, që rrallë sfidohet, se qëndrueshmëria e një norme morale vërteton praninë e një nevoje kolektive për të cilën ajo është një zgjidhje; dhe rrjedhimisht i gjithë studimi shkencor i moralit duhet të përpiqet të nxjerrë në pah nevoja të tilla dhe të rindërtojë mekanizmat shoqërorë që me anë të imponimit të normave sigurojnë kënaqjen e tyre.
Me pranimin e këtij supozimi teorik dhe të strategjisë interpretuese që lidhet me të, ajo që vijoi ishte më së shumti arsyetim rrethanor, ndoshta më së miri i shprehur nga Kluckhohn-i, që këmbëngulte se normat ose zakonet morale nuk do të ekzistonin po të mos ishin funksionale (d.m.th. të dobishme për plotësimin e nevojave apo për zbutjen e tendencave përndryshe shkatërrimtare të sjelljes, siç ishte përdorimi i shtriganisë nga populli indian Navaho në Shtetet e Bashkuara për të ulur nivelit e ankthit dhe për të kanalizuar agresivitetin e lindur); dhe se zhdukja e një nevoje që ka prodhuar dhe mbajtur normën do të çojë shpejt në zhdukjen e vetë normës. Çdo dështim i normës morale për t’i shërbyer detyrës që ka (d.m.th. paaftësia e saj për t’u marrë si duhet me nevojën origjinale) do të ketë rezultate të ngjashme. Kjo praktikë e studimit shkencor të moralit është kodifikuar në trajtën e vet më të hapur nga Malinowski, i cili theksoi instrumentalitetin thelbësor të moralit, statusin e tij të varur nga “nevojat thelbësore njerëzore” si ushqimi, siguria apo mbrojtja ndaj klimës së ashpër.
Durkheim-i (trajtimi që ai i bëri dukurive morale u kthye në trungun e dijes sociologjike dhe përkufizoi qasjen e veçantë sociologjike ndaj studimit të moralit) e refuzoi ftesën për t’i lidhur normat morale me nevojat; ai e kritikoi pikëpamjen e pranuar se normat morale të një shoqërie të caktuar e kanë fituar fuqinë e tyre detyruese me anë të procesit të analizës dhe zgjedhjes së ndërgjegjshme (lëre më racionale). Në kundërshti të dukshme me gjykimin e përgjithshëm etnografik të kohës së tij, Durkheim-i këmbënguli se thelbi i moralit duhej kërkuar pikërisht te fuqia detyruese që ai shfaq dhe jo te përkimi i tij racional me nevojat që kërkojnë të plotësojnë anëtarët e shoqërisë; një normë është e tillë jo sepse është zgjedhur për shkak të përshtatjes së saj me detyrën e nxitjes dhe mbrojtjes së interesave të anëtarëve të shoqërisë, por sepse anëtarët – me anë të procesit të të mësuarit apo me anë të pasojave të hidhura të transgresionit – e kanë bindur veten për fuqinë e saj. Megjithatë, kritika e Durkheim-it ndaj interpretimeve ekzistuese të dukurive morale nuk shënjestronte parimin e “shpjegimit racional” si të tillë. Akoma më pak e minonte praktikën e reduktimizmit sociologjik. Nga ky këndvështrim, dallimi i Durkheim-it nga praktika tradicionale interpretuese përfaqësonte jo më shumë se një mosmarrëveshje brenda familjes. Ajo që dukej si shprehje e një mospranimi radikal në fund zvogëlohej te zhvendosja e vëmendjes teorike prej nevojave të individit te nevojat shoqërore, ose te një nevojë supreme, së cilës tani i njihet përparësia mbi të tjerat, qofshin këto nevoja të individit apo të grupeve: nevoja për integrim shoqëror. Çdo sistem moral është i destinuar për t’i shërbyer ekzistencës së vazhdueshme dhe ruajtjes së identitetit të shoqërisë, e cila e përforcon fuqinë e saj lidhëse me anë të shoqërizimit dhe sanksioneve ndëshkuese. Ngulmimi i shoqërisë arrihet dhe mbahet me imponimin e shtrëngimeve mbi parapëlqimet natyrore (joshoqërore ose parashoqërore) të anëtarëve të shoqërisë: duke i detyruar ata të veprojnë në një mënyrë që nuk bie në kundërshtim me nevojën për të ruajtur unitetin shoqëror.
Rishikimi teorik i Durkheim-it e kishte bërë më rrethor se kurrë arsyetimin sociologjik mbi moralin. Nëse themeli i vetëm ekzistencial i moralit është vullneti i shoqërisë dhe funksioni i vetëm i tij është mbijetesa e shoqërisë, atëherë vetë çështja e vlerësimit substancial të sistemeve të veçanta morale hiqet në mënyrë efikase nga agjenda sociologjike. Faktikisht nëse integrimi shoqëror është kuadri i vetëm i referencës, brenda të cilit mund të kryhet vlerësimi i tij, atëherë nuk mbetet mënyrë tjetër për të krahasuar sistemet e ndryshme morale dhe për t’i vlerësuar veçmas njëri-tjetrit. Nevoja së cilës i shërben çdo sistem lind brenda shoqërisë së vet, dhe ajo që ka rëndësi është prania e një sistemi moral në çdo shoqëri dhe jo thelbi i normave morale që kjo apo jo i zbaton për të ruajtur unitetin e saj. Me pak fjalë, Durkheim-i do të thoshte se çdo shoqëri ka atë moral që i nevojitet. E meqenëse nevoja e shoqërisë është përmbajtja e vetme e moralit, të gjithë sistemet morale janë të barabarta në aspektin e vetëm në të cilin ata mund të maten dhe vlerësohen sipas mënyrës legjitime e objektive shkencore: dobia e tyre për plotësimin e asaj nevoje.
Mirëpo trajtimi dyrkeimian i moralit përmban edhe më shumë elemente se sa thjesht ripohimi i pikëpamjes tradicionale për normat morale si produkte shoqërore. Ndoshta ndikimi më i rëndësishëm i Durkheim-it në praktikën shoqërore-shkencore ishte konceptimi i shoqërisë si forcë që në thelb është aktivisht moralizuese: “Njeriu është qenie morale vetëm sepse jeton në shoqëri”; “Morali në të gjitha trajtat e tij kurrë nuk jeton jashtë shoqërisë”; “Individi i dorëzohet shoqërisë dhe ky dorëzim është kushti i çlirimit të tij. Liria e njeriut përbëhet nga çlirimi prej fuqive të verbra dhe të paarsyeshme fizike; ai e arrin këtë duke u vënë atyre përballë forcën e madhe dhe inteligjente të shoqërisë, nën mbrojtjen e së cilës ai strehohet. Duke e vënë veten nën krahët e shoqërisë, ai kthehet deri diku në një vartës i saj. Por ajo është një varësi çliruese; nuk ka ndonjë kundërthënie lidhur me këtë”. Këto dhe fraza të tjera të paharrueshme të Durkheim-it kumbojnë në praktikën sociologjike deri në ditët tona. Morali buron nga shoqëria; nuk ka jetë morale jashtë shoqërisë; shoqëria kuptohet më së miri si një fabrikë që prodhon moral; shoqëria nxit sjellje të moralshme dhe mënjanon, shtyp apo parandalon imoralitetin. Alternativa ndaj kontrollit moral të shoqërisë nuk është autonomia njerëzore, por sundimi i pasioneve shtazore. Kjo ndodh sepse instinktet parashoqërore të njeriut kafshëror janë egoiste, mizore e kërcënuese, dhe ato duhen zbutur e mposhtur në mënyrë që të mbrohet jeta shoqërore nga flakja tutje e shtrëngimit shoqëror njerëzit do të rrëshqisnin mbrapsht në barbarinë prej së cilës janë ngritur me vështirësi, nga forca e shoqërisë.
Ky besim i thellë te rregullimet shoqërore si faktorë fisnikërues, lartësues dhe njerëzues shkon kundër këmbënguljes së vetë Durkheim-it te fakti se veprimet quhen imorale atëherë kur ndalohen nga shoqëria, por jo se ato ndalohen nga shoqëria sepse janë imorale. Shkencëtari i ftohtë dhe skeptik brenda Durkheim-it i demaskon të gjitha pretendimet se imoraliteti ka përmbajtje të vetën, veç refuzimit të tij prej një force mjaftueshëm të pushtetshme për ta shndërruar vullnetin e saj në një normë detyruese për të gjithë. Por patrioti i nxehtë dhe besimtari i devotshëm në epërsinë e përparimit të jetës së qytetëruar brenda Durkheim-it nuk mund ta shmangte ndjenjën se ajo që refuzohej nga morali ishte me të vërtetë e keqe dhe se refuzimi në vetvete duhej të ketë qenë një veprim emancipues dhe fisnikërues.
Kjo ndjenjë lidhet me vetëdijen e trajtës së jetës që, pasi ka arritur dhe siguruar epërsinë e saj materiale, nuk mund të mos e bindi veten për epërsinë e rregullave me të cilat jeton. Në fund të fundit, nuk ishte “shoqëria si e tillë” – një kategori abstrakte teorike – por shoqëria moderne perëndimore që shërbente si model i misionit moralizues. Vetëm prej praktikës kryqtare-konvertuese të shoqërisë “kopshtare” perëndimore mund të lindej vetëbesimi për ta parë imponimin e normave si proces humanizmi dhe jo si shtypje e një trajte të njerëzimit nga një tjetër. I njëjti vetëbesim bënte që shfaqje të jetës njerëzore të parregulluara nga shoqëria (shoqëria nuk u kishte kushtuar kujdes ose nuk i kishte nënshtruar plotësisht) të mënjanoheshin anash, si shfaqje të çnjerëzores apo, në rastin më të mirë, si të dyshimta dhe me potencial të rrezikshëm. Vizioni teorik në fund të fundit legjitimonte sovranitetin e shoqërisë mbi anëtarët dhe mbi konkurrentët e saj.
Transformimi i këtij vetëbesimi në teori shoqërore sillte pasoja të rëndësishme për interpretimin e moralit. Nga vetë përkufizimi, motivet parashoqërore apo joshoqërore nuk mund të jenë morale. Po kështu, mundësia që të paktën disa forma morali të rrënjosen në faktorët ekzistencialë të pandikuar nga rregullat kontingjente shoqërore të bashkëjetesës, nuk mund të artikulohet në mënyrë të përshtatshme dhe jo më të merret seriozisht ë konsideratë. Edhe më pak mund të konceptohet, pa rënë në kundërthënie, se disa trysni morale që ushtrohen nga kushtet ekzistenciale të njeriut, nga fakti i thjeshtë i “të qenit me të tjerët”, në disa rrethana mund të neutralizohen apo të kapërcehen nga forca kundërvënëse morale; pra, me fjalë të tjera, shoqëria, përveç ose edhe përkundër “funksionit të vet moralizues”, të mundet, të paktën në disa raste, të veprojë si një forcë që e bën të heshtë moralin.
Për sa kohë që morali kuptohet si produkt shoqëror – dhe shpjegohet shkakësisht duke iu referuar mekanizmave që, atëherë kur funksionojnë siç duhet, sigurojnë “furnizimin e vazhdueshëm” për të –, ngjarje që ofendojnë ndjenjat morale të thella e përhapura gjerësisht dhe që shpërfillin konceptimin e zakonshëm për të mirën e të keqen (sjellja e duhur dhe e gabuar) kanë tendencën për t’u parë si rezultat i dështimit apo keqadministrimit të “industrisë morale”. Sistemi i fabrikës ka shërbyer si njëra prej metaforave më të njohura për thurjen e modelit teorik të shoqërisë moderne, dhe përfytyrimi i prodhimit shoqëror të moralit ofron një shembull domethënës të ndikimit të tij. Sjellja imorale interpretohet si rezultat i një furnizimi të pamjaftueshëm të normave morale ose i një furnizimi me norma defektoze (d.m.th. norma me forcëtë pamjaftueshme); ky i fundit nga ana e vet gjurmohet te gabimet teknike apo menaxheriale të “fabrikës shoqërore të moralit” – në rastin më të mirë te “pasojat e paparashikuara” të përpjekjeve prodhuese të bashkërenduara jo siç duhej ose te ndërhyrja e faktorëve të huaj në sistemin prodhues (d.m.th. kontrolli i paplotë mbi faktorët e prodhimit). Sjellja imorale teorizohet atëherë si një “shmangie nga norma”, që buron nga mungesa apo dobësia e “trysnive shoqërizuese” dhe, në shpjegim të fundit, prej defekteve apo papërsosmërisë së mekanizmave shoqërorë që janë projektuar për të ushtruar trysni të tilla. Në nivelin e sistemit shoqëror, një interpretim i tillë drejtohet për nga problemet e pazgjidhura menaxheriale (prej të cilave anomia e Dyrkeimit është një shembull i njohur). Në nivelet më të ulëta ajo tregon për mangësitë në institucionet edukuese, dobësimin e familjes apo për ndikimin e enklavave të paçrrënjosura kundërshoqërore, me gjithë trysnitë e veta shoqërizuese imorale. Sidoqoftë, në të gjitha rastet shfaqja e sjelljes imorale kuptohet si shprehje e instinkteve parashoqërore apo joshoqërore, që dalin jashtë prej kafazit të prodhuar nga shoqëria ose i kanë shpëtuar mbylljes shoqërore. Sjellja imorale është gjithmonë një kthim në një gjendje parashoqërore ose një dështim për t’iu larguar asaj. Ajo është gjithnjë e lidhur me një qëndresë ndaj trysnive shoqërore apo të paktën ndaj atyre trysnive “të drejta” shoqërore (koncept ky që në dritën e skemës teorike të Dyrkeimit mundet të interpretohet vetëm si identik me normën shoqërore, pra me standardet mbizotëruese ose me mesataren). Meqenëse morali është produkt shoqëror, atëherë qëndresa ndaj standardeve të promovuara nga shoqëria duhet të çojë drejt rënies në veprime imorale.
Kjo teori e moralit nënkupton të drejtën e shoqërisë (të çdo shoqërie, për të qenë më të saktë; ose, sipas një interpretimi më liberal, të çdo kolektivi shoqëror, jo domosdoshmërisht të shkallës së një “shoqërie globale”, por i aftë për ta mbështetur ndërgjegjen e tij të përbashkët me anë të një rrjeti sanksionesh efikase) për të imponuar variantin e vet substancial të sjelljes morale, dhe ajo pajtohet me praktikën në të cilën autoriteti shoqëror pretendon monopolin e gjykimit moral. Ajo heshtazi pranon jolegjitimitetin teorik të të gjithë gjykimeve që nuk janë të mbështetura në ushtrimin e këtij monopoli, çka praktikisht do të thotë se sjellja morale bëhet sinonim i konformitetit shoqëror dhe i bindjes ndaj normave të shumicës.
* Ekstrakt i përpunuar nga libri Moderniteti dhe Holokausti i autorit Zygmunt Bauman. Së shpejti në treg nga shtëpia botuese Pika pa Sipërfaqe.