Si sot më del përpara syve një fragment nga filmi i vjetër shqiptar “Përballimi”, kur Sandër Prosi, në rolin e Mitit, thotë: “Gjergji…. çohu, se të ka sjellë babi bukë lepurushi!”- apo fraza tjetër e njohur e kryeministrit Ylli Bufit në vitin 1991: “Shqipëria ka rezervë edhe për 6 ditë bukë”. Kaq u desh që të gjithë të turreshin nxitimthi për të blerë bukë. Shikoje burra e gra të ngjeshur mirë me çanta e thasë nëpër duar përplot me bukë. Më vjen ndër mend edhe humori i pa harruar i Koço Devoles që në grimcën humoristike “Rroftë partia!”, në rolin e furrxhiut: “Shokë komunistë, partia gjithmonë ka folur hapur me ju. Hapur po flas edhe unë. Bukë nuk ka. Po kur them nuk ka, nuk ka fare. Prandaj, duke vënë në jetë porosinë e partisë, sonte do hani bar! Të rrojë partia.”
Nostalgji për ato kujtime, por edhe dëshirë që ai vakt të mos përsëritet kurrë. Diktatura komuniste ishte një damkë që e çoi Shqipërinë në greminat më të thella të varfërisë. E hodhi nëpër humnera, e shkapërderdhi keq. Aq fort u dëmtua, sa që plagët nuk janë shëruar ende. Njësoj si Hiroshima, që edhe sot e kësaj dite vuan pasojat e radioaktivitetit.
Në Shqipërinë komuniste njerëzit gënjeheshin se vendi i tyre konkurronte me fuqitë e mëdha për produktet dhe prodhimtarinë. Por realiteti ishte krejtësisht tjetër. Kaq shumë ishte verbuar populli i ngratë, cili jetonte për bukën e gojës! Varfëria siç tregohet në dokumentet e kohës dhe në dokumentarët të ndryshëm, ishte rëndom në çdo vatër të popullit të gjorë shqiptar. Elita shoqërore i qëndronte gatitu liderit komunist dhe të gjithë frikësoheshin se mos bënin ndonjë gabim sado të vogël, se u shkonte jeta për dëm me gjithë familje. Këto ishin pjese e historisë famëkeqe e cila rëndoi mbi njerëzit që e përjetuan atë periudhë, porse, pasojat vijuan të ndiheshin edhe pas saj.
Demokracia nuk është se solli ndonjë ndryshim të begatë. Njerëzit u çliruan nga prangat e komunizmit, por ishin akoma të mbyllur në kafazin e hekurt të varfërisë. Ata kuptuan se ishin të mashtruar dhe se partia i kishte marrë për leshko. Ndërkaq, gjendja ekonomike ishte po e njëjta me disa ndryshime të vockla që nuk vlen të përmendet. Gjithmonë në Shqipëri pushteti ka ngrënë dhe po vazhdon të hajë në kurriz të popullit. Pavarësisht a është demokraci apo komunizëm, apo ngjyrimeve të ndryshme politike. Si të thuash, shqiptarët nuk panë ndonjëherë prokopi edhe megjithëse ra komunizmi dhe u ngjit demokracia. Prapëseprapë, kjo demokraci e brishtë ka mbetur vetëm nëpër letra, ngase zbatimi i saj është skajshmërish larg nga realiteti. Apo, siç rikujton edhe shpeshherë artisti i merituar Mirush Kabashi, me poezinë “Demokracia” të Ali Asllanit.
Ky popull ka vuajtur dhe vazhdon të vuaj prej dekadash për bukën e gojës. Kjo gjë shihet fare qartë tek shprehjet të cilat bëjnë pjesë në fjalorin e përdorimit të përditshëm. Fjalët që shprehin fëmijët kur kanë uri, “dua bukë!” apo kur pyesin dikë “a ke ngrënë bukë”, tregojnë fare mirë se shqiptarët kanë luftuar vazhdimisht për bukën e gojës. Si të thuash buka, është baza e tavolinës së çdo shqiptari gjithëandej, nëse nuk ka bukë në tryezë, i duket sikur është tavolina bosh.
Ne jemi shoqëria e bukës. Shoqëri që vuan për bukë. Varfëri e madhe. Familje të tëra që jetojnë nën minimumin jetik, të rinj e të reja të papunë… Një skenar tragjedie që nuk përfundon me kaq. Sepse, Shqipëria ka mundësi të shumta, burime natyrore, tokat pjellore, një vijë bregdetare tepër te bukur. Të gjitha i ka ky vend, por populli s’ka pasur kurrë njerëz që të bëjnë për popullin. Siç duket ka pasur gjithmonë ujqër që kanë shqyer atë sa herë që kanë dashur.