Pasi e ka shndërruar qeverinë në një redaksi multimediale, e cila më shumë se qeverisje prodhon lajme, Kryeministri Rama ka kohë që kryefjalën e tij e ka përqendruar mbi mediat dhe më ngushtësisht mbi disa portale që nuk ia mbajnë ison arritjeve të tij. Që prej ardhjes së saj në pushtet, i vetmi angazhim i suksesshëm i kësaj qeverie ka qenë ai i propagandës, ku veprojnë struktura redaksionale të mirëfillta, të cilat realizojnë në mënyrë të plotë të gjithë procesin e informimit, që nga hartimi i fjalimeve, dizajni, skenografia, xhirimet, montazhi, shpërndarja, e deri tek kontrolli i informacionit që del në media. Qeveria është shndërruar prej kohësh në mediumin më të rëndësishëm në vend duke i kthyer mediat konvencionale në satelitë të saj.
Në të njëjtën linjë, videomesazhi i Ramës mbi gjendjen e mediave në Shqipëri, ngjan si një shënim redaksional televiziv, ku kryeministri shfaqet në rolin e një analisti që kritikon punën e kolegëve, të cilët nuk po e bëjnë siç duhet detyrën. Një sërë paradoksesh rrjedhin prej këtej.
Kazani i oborrit
Gjatë kohës që Kryeministri mbante fjalimin e tij për krizën e mediave, paralelisht po zhvillohej një koncert proteste kundër importit të plehrave, ku performonin dy nga artistet më të mëdha të muzikës shqiptare, jashtëzakonisht të suksesshme në skenat ndërkombëtare të Jazz-it. Mirpo asnjë nga televizionet, si dhe pjesa dërrmuese e portaleve më të klikuara, nuk e panë të arsyeshme ta pasqyrojnë këtë event. Sipas tyre ngjitja në skenë e dy divave, aq më tepër kur kjo bëhet për shkak të një paudhësie politike, nuk përbën kurrfarë lajmi.
Ky nuk është një rast sporadik, por diçka që ndodh rregullisht prej kohësh sa herë që qytetarët dhe mjaft segmente të ndërgjegjësuara të kësaj shoqërie të plogësht, vendosin të reagojnë. Paradoksalisht kemi të bëjmë me një ilustrim të saktë të asaj çfarë Kryeministri tha në videomesazhin e tij: Mediat janë vërtetë në krizë.
Po, Kryeministri ka të drejtë. Mediat janë në krizë të thellë dhe janë në ditën e tyre më të errët. Në një masë dërrmuese ato janë vërtetë një kazan i shpuar, i paaftë për të zjerë kurrfarë të vërtete përveç militantizmit, mercenarizmit, servilizmit apo edhe banditizmit gjobëvënës, siç ai u shpreh në fjalën e tij. Përderisa asnjë prej tyre nuk flet kundër qeverisë, hesht ndaj lajmeve që të ulërasin para hundës së të gjithëve dhe pranojnë të tërheqin indinjatën e publikut vetëm e vetëm që të mos prishin qetësinë e pushtetit, natyrisht që ato mbeten ndër pjesët më të sëmura të shoqërisë.
Por kjo vjen, jo pse ato hedhin baltë mbi punën e qeverisë, por përkundrazi, sepse ato janë shndërruar në zgjatime të aparatit propagandistik të pushtetit, në kundërshtim me çdo mision të shtypit të lirë. Nëse njerëzit janë kaq të indinjuar me mediat, ashtu siç thotë Kryeministri, kjo vjen pikërisht sepse ato nuk po denoncojnë siç duhet abuzimet me pushtetin, por janë shndërruar në altoparlantë të tij, duke shtrembëruar të vërtetat, duke heshtur, shpifur, mashtruar e përbaltur për interes të tij. Fakti që ato e pranojnë, madje me zell, denoncimin që kryeministri iu bën vetë atyre, është pjesë e kësaj situate absurde që tregon dorëzimin mazokist pa kushte përballë pushtetit.
Gazetarët pa akses në media
Kjo situatë, gjithmonë paradoksalisht, na tregon në të vërtetë, asgjë më shumë sesa fuqinë kompromentuese dhe shtrënguese të kësaj qeverisjeje. A mund të thotë kush se kjo dashamirësi ndaj saj vjen për shkak të sugjestionimit nga veprat e saj? Natyrisht që jo. Nëse sot televizionet dhe pjesa kryesore e shtypit mainstream heshtin për interes të pushtetit, kjo vetëm sa vërteton atë çfarë thuhet ne mediat e «kazanit» mbi shpërfytyrimin moral dhe degjenerimin korruptiv të kësaj qeverie. Që vallja e korruptimit të mediave të funksionojë, ka nevojë për një partner në pushtet.
Madje interesante është që, ndërsa mediat heshtin, gazetarët fryjnë e shfryjnë dufin e tyre ndaj qeverisë në facebook. Kjo do të thotë se ata ndajnë të tjera qendrime nga politikat redaksionale ku bëjnë pjesë. Pra, gazetarët nuk paskan as vetë akses në media, gjë që shpjegon shumë rolin e qeverisë në kontrollin e fjalës së lirë.
Fitore me autogol
Duke folur me kaq pasion kundër portaleve që i demaskon si grupe armiqësore, në fakt Rama bën një autogol flagrant. Dashur pa dashur, ai është duke dëshmuar se i ka blerë të gjitha mediat, e se problemi i ka mbetur tek disa portale periferikë, të cilat nuk po e lenë qeverinë t’i ketë duk puna. Kaq keq është qeverisja sa, nuk i del një armatë e tërë televizionesh e gazetash për të prodhuar shoshën e mjaftueshme për të errësuar qiellin e saj, ndaj u dashka të hapë një luftë të ashpër ndaj disa mediumeve jokonvencionalë, për të bindur shqiptarët mbi transformimet e mëdha që ajo po sjell.
Praqitja e Kryeministrit përpara kameras në rolin e një opinionisti është një nga shkarjet e rradhës, që, në çdo vend normal, do të ishte gjithashtu një autogol i rëndë për këdo drejtues qeverie. Misioni i shtypit është të bëjë opozitë ndaj qeverisjes pasi kështu i shërben përmirësimit të saj. Për këtë arsye, pushtetit nuk i takon ta bëjë shtypin objekt analize, edhe kur ai qeveris mirë. Aq më pak mund të ketë të drejtë morale ta bëjë këtë një kryeministër që është shkaktari kryesor i kësaj gjendjeje të shtypit.
Ndërsa ankohet se opinionistët flasin si politikanë, vetë Kryeministri është duke folur në të njëjtën kohë si opinionist. Ky është thjesht cinizmi butaforik i rradhës në një vend paradoksesh. Kryeministri bëhet analist kundër shtypit, ndërsa shtypi promovues i punës së qeverisë, e madje edhe i cinizmit qeveritar kundër tij. Duket sikur gjërat kanë këmbyer pozicionet dhe gjithçka është me kokë poshtë në këtë vend. E për sa kohë situata është e tillë, mediat do t’i numërojnë edhe këto autogola të kryeministrit si gol në portën e tyre, për t’ia falur me dëshirë fitoren qeverisë në një situatë ku absurdi kalon çdo kufi të groteskes.