Çdo vizitë e liderit turk Recep Tayip Erdoğan shoqërohet gjithmonë me debate të zjarrta, që e polarizojnë opinionin në mënyrë krejt të panevojshme. Sidomos në Kosovë, ngjarje të tilla shoqërohen me një klimë inkandeshente e retorikë agresive, gjë kjo krejt pa kuptim për rëndësinë që këto vizita kanë në realitet. Paradoksalisht, ardhjet e Erdoğanit në trojet shqiptare prodhojnë më shumë reagime e retorikë se vetë rëndësia që ka vizita. Po kështu, edhe kjo vizitë e rradhës nuk duket se solli ndonjë të re në politikën e të dy vendeve, ndonëse reagimet pro dhe kundër morën të gjitha energjitë retorike në mediat mainstream e ato on-line. Duket se ka diçka që nuk shkon, për sa kohë politika turke është jopak larg problemeve e zhvillimeve tona dhe, të paktën për momentin, nuk duket e përfshirë në to, qoftë për të na ndihmuar, qoftë për të na penguar.
Falsifikimi dialektik i erdoganizmit
Sigurisht, një pjesë e rëndësishme e ndjeshmërisë prodhohet nga feja, e cila bëhet shkak për gjenerimin e një retorike konfliktuale të dëmshme për shoqërinë. Radikalizimi i qendrimeve mbi debatin për fetë nuk ngurron t’i përdor ngjarje të tilla si pretekstin e rradhës për të hedhur një gur në çatinë e fqinjit. Nga ky kuptim, ndërsa për njërën palë Erdoğani identifikohet si përfaqësuesi i putinizmit islamik, ”baba” i fshehtë i islamit politik që “kërkon të na shkulë nga gjiri i Europës” për në “stepat e Anadollit”, për palën tjetër ai është myslimani i suksesshëm që i fut frikën të gjithë ”armiqve të islamit”, pasi me ”drejtësinë”, ”largpamësinë” dhe ”vendosmërinë” e tij premton një vizion politik ambicioz, që kërcënon sistemin korruptiv e antifetar ekzistues.
Më saktë, ndarja e shqiptarëve pro dhe kundër Erdoğanit vjen për shkak të një militantizmi të dykahshëm që ekziston në raport me fetë në përgjithësi dhe kryesisht me myslimanët, ku ngjarjet zhvillohen mbi një truall të polarizuar, me dy palë që kanë prirjen ta përjashtojnë njëra-tjetrën. Erdoğani, apo erdoganizmi si frymë, përdoret këtu më shumë si një objekt i instrumentalizuar për betejat tona të brendshme provinciale. Më shumë sesa politika turke në vetvete dhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar me të, për palët në debat ka rëndësi përdorimi i të huajit në sherret e brendshme, ndaj dhe Turqia, si strehë apo si rrezik, është më shumë sebep sesa realitet objektiv.
Njëra palë, e cila përmbledh kryesisht një kategori të caktuar individësh me vokacion fetar mysliman – e që në fakt artikulohet në hapësira periferike komunikimi – e sheh kryeministrin turk si mbështetje, në një kontekst social agresiv, ku politika, shoqëria civile dhe mediat perceptohen si antimyslimane dhe përjashtuese ndaj fesë së tyre. Ky grup mendon se shtrirja e politikave turke do të sjellë përmirësimin e pozitave të tyre dhe rehabilitimin e tyre shoqëror. Prania e politikës turke në Shqipëri, në një klimë frustracioni të prodhuar nga një diskurs agresiv, perceptohet gjithashtu si një mbështetje e fortë për një revansh politik e shoqëror ndaj elitave diskriminuese.
Në këto kushte, kjo kategori individësh i var shpresat e saj në mënyrë irracionale te një shpëtimtar i huaj, i cili mund të personifikohet lehtë te profili karizmatik i liderit të AKP-së, që për ta reflekton të gjitha potencialet dhe kredencialet e duhura për t’iu rikthyer dinjitetin e cënuar. Miti i Erdoğanit prodhon për ta një dritë shprese në një realitet të vrazhdë e përjashtues. Për këtë arsye edhe reagimet e kritikat kundër qeverisë turke shihen si rezistencë që elitat tona i bëjnë një fuqie politike çliruese për myslimanët.
Nga ana tjetër, kemi palën e kundërt, e cila, ndonëse është krejtësisht armiqësore me politikën turke, përsëri operon thuajse krejtësisht me të njëjtën logjikë. Ajo e sheh kryeministrin turk si frymëzuesin dhe financuesin e vokacionit fetar te shqiptarët, duke vijuar “procesin e islamizimit të nisur me dhunë gjatë sundimit osman”, e të vazhduar sot me politikë e para nga “neo-otomanët e AKP-së”. Ajo përpiqet ta paraqesë politikën turke si trashëgimtare të Perandorisë osmane, në një luftë qytetërimesh, që mbijeton duke bërë kurban popuj të vegjël si shqiptarët.
Kjo kategrori natyrisht nuk është homogjene dhe motivet e qendrimet e saj vijnë për arsye të ndryshme, si p.sh: qendrimet fondamentaliste, që kërkojnë rivalitet fetar; bindjet ultranacionaliste, që ushqejnë megalomani me origjinë mesjetare; pikëpamjet puritaniste mbi europianizmin, që e shohin integrimin nën një busull orientuese dialektike etj. Në shërbim të këtij tabori vjen edhe humusi totalitar që ushqen mendimin shqiptar me stereotipe e konstruksione esencialiste mbi turqit dhe Turqinë, të cilat jo vetëm që shihen si entitete regresive e armiqësore, por edhe të instaluara një herë e përgjithmonë, të pandryshueshme, jashtë rrjedhës së historisë.
Për këto arsye diskursi anti-erdoğanist në Shqipëri e projekton Turqinë si armik historik, ndërsa qendrimet miqësore ndaj saj, si qendrime refraktare që shkojnë kundër interesave të kombit. Ata konstruktojnë filoturqizmin si armikun e brendshëm që punon për të na rikthyer në të “shkuarën e errët” 500 vjeçare. Çdo element të pranisë turke në Shqipëri, qoftë kjo kulturore, politike apo ekonomike, ata e shohin si pararojë të “rikthimit të otomanizmit”, i cili, në perceptimin e tyre, është gati të rirrethojë Krujën për të rivendosur regjimin e vet barbar.
Erdoganizmi, për të dyja palët, është më tepër një mjet që shërben për të intensifikuar antagonizmin e brendshëm me bazë fetare e ideologjike, që ka filluar të ushqehet fuqishëm gjatë këtij tranzicioni. Për këtë arsye, më shumë se një realitet politik, figura e kryeministrit turk përbën një pretekst për konfliktualitetin e brendshëm retorik midis llogoreve të krijuara nga grupe sociale që nuk dijnë të bashkëndajnë mjedisin ku jetojnë e të ndërtojnë një debat të shëndetshëm. Ai bëhet kështu subjekt i një problematike me të cilën ai vetë nuk ka asnjë lidhje, por që, siç ndodh gjithmonë në mjedise të militarizuara e të ngarkuara me ideologji totalitare, e shndërrojnë gjithçka në subjekt sherri.
Pragmatizmi përtej politikës fetare
Interesante është se të dyja palët bien dakort ta shohin presidentin turk si një lider fetar, pavarësisht se njëra palë e bën këtë për ta goditur, ndërsa tjetra për ta lëvduar. Në fakt, edhe vetë erdoganizmit i pëlqen të ekspozohet në këtë mënyrë, ndonëse në realitet ai nuk është aspak një përfaqësues fetar.
Recep Tayip Erdoğan është një politikan i mirëfilltë pragmatist, që luan i kushtëzuar nga një terren kompleks si Turqia e sotme. Vokacionet e tij fetare e ideologjike, mund të jenë të vërteta, dhe kjo është normale edhe në demokracitë perëndimore, por këto nuk shihen askund si politikë fetare. Në SHBA, por edhe në Europë, shumë liderë politikë, sidomos nga e djathta, nuk ngurrojnë të shfaqin zellin e tyre fetar, të cilin e paraqesin shpesh si burim të pikëpamjeve të tyre politike. Megjithatë kjo nuk i bën ata përfaqësues të «krishtërimit politik» dhe as partitë e tyre, parti fetare. Mbi të gjitha oportunizmi politik i qeverisë turke, nuk duket se të lë të mendosh për ndonjë axhendë të mirëfilltë fetare në prapavijë.
Politika erdoganiste nuk shfaq asgjë nga islami politik, siç e shohim atë te shumë lëvizje politike në vendet myslimane. Ajo duket një politikë e pastër pragmatiste, që më shumë e përdor retorikën fetare për efekt elektoral. Bie fjala, ndërsa lideri i AKP-së shfaqet si një udhëheqës konservator e fetar i mirë, teksa nxjerr ligje mbi kufizimin e përdorimit të alkoolit për disa bare në orë të vona të natës (për të cilat bëhet edhe objekt kritikash e talljesh në shtypin opozitar), promovon në të njëjtën kohë edhe shtimin e lokaleve të natës në zonat turistike bregdetare, ku konsumimi, jo vetëm i alkoolit, por edhe i shumë aktiviteteve që nuk shihen me sy të mirë nga feja, është në nivele të larta.
Po ashtu, afrimi i tij me shumë vende, historikisht armiqësore, në rajon e më gjerë, si Serbia, Maqedonia apo Rusia, tregon se politika e jashtme e Turqisë është e çliruar nga komplekset ideologjike apo të një natyre historike, kulturore e fetare. Parimi bazë i politikës së qeverisë turke është oportunizmi në funksion të rritjes së ekonomisë, interesave strategjike kombëtare, si dhe të kredibilitetit politik të brendshëm përballë elektoratit. Edhe ekspozimet e ish-kryeministrit në profilin e një lideri global të botës myslimane, teksa shfaqet si faktor unifikues apo si mbrojtës dhe avokat i popujve të shtypur nga politikat ndërkombëtare, janë më tepër shfaqje populiste që synojnë ta shndërrojë Turqinë në një «Jeruzalem» politik dhe ekonomik të botës islame, në funksion të interesave strategjike të kombit turk.
Filli i arsyes midis dashurisë dhe urrejtjes
Pa dashur të ndalojmë për të gjykuar vlerat apo problemet e politikës turke, mund të themi me bindje se identifikimi i Erdoğanit si një misionar feje është i gabuar dhe akoma më i gabuar është shqetësimi mbi ndonjë kërcënim fetar prej tij. Politika turke nuk duket se ka ndonjë angazhim serioz në këtë aspekt në Shqipëri. Fondet e derdhura prej saj në fushën e kulturës dhe shoqërisë civile janë thuajse të papërfillshme krahasuar me atë të shumë vende të tjera, kryesisht nga BE-ja. Më e pranishme në këtë drejtim ka qenë ‘lëvizja Gülen’, që deri tani ka qenë në aleancë me qeverinë turke, sot në armiqësi për jetë a vdekje me të. Megjithatë investimi i saj me disa shkolla e kolegje, dhe një sërë veprimtarish të thata në planin kulturor e fetar, nuk ngrejnë asgjë serioze në zhvillimet në vend.
Në të vërtetë, politika turke nuk ka shumë kohë të mendojë për ndonjë rol transformues në çështje të orientimeve kulturore e identitare të Shqipërisë, siç e akuzojnë shumë zëra antierdoganistë e siç shpresojnë ata proerdoganistë. Sado që Turqia ka pasur zhvillim ekonomik këto vite, mundësitë e saj janë ende shumë të kufizuara për të konkurruar atë të vendeve të tjera (nëse presupozojmë se ka ndonjë rivalitet mes tyre). Nga ana tjetër, problemet e brendshme të Turqisë, si dhe vështirësitë e hasura me situatën në fqinjët e saj lindorë, janë kokëçarje që nuk ia lejojnë luksin për t’u marrë me hallet tona, për të cilat nuk ka arsye as të ketë ndonjë interes të veçantë.
Nga ky aspekt, sherri mbi Erdoğanin është më shumë një alarm fals i ardhur nga tifozllëqe provinciale, që më shumë rrisin antagonizmin e brendshëm shoqëror në Shqipëri sesa krijojnë ndonjë kujdes mbi politikën e jashtme. Madje përkundrazi, ky debat e përkeqëson diplomancinë tonë, për shkak se i imponohet të ecë nëpër shtigje të minuara, larg rracionalitetit e pragmatizmit që duhet të orientojnë një diplomaci të efektshme.
Përtej dialektikës mitologjike radikale që e projekton erdoğanizmin, qoftë si shpëtimtar, qoftë si kërcënim, Turqia mbetet një vend aleat dhe një partner i rëndësishëm ekonomik e politik që nuk kemi luksin ta refuzojmë. Me apo pa Erdoğanin, Turqia është një vend i rëndësishëm në rajon dhe natyrisht që Shqipërisë i duhet të bashkëpunojë me të. Për këtë arsye çdo pasion retorik, pro dhe kundër, prodhon tensione të tepërta, që nuk sjellin asnjë dobi për vendin.