Ian Chua
Matt Siegel
Reuters
Presidenti amerikan Barack Obama tha të shtunën se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ishte “tronditës” dhe kërcënim për botën, kurse Europa paralajmëron shtimin e sanksioneve kundër Morkës, nëse ajo nuk ndal dërgimin e armëve dhe trupave [në Ukrainë].
Duke folur në Brisbane [Australi], ku mbahet samiti i G20, Obama vendosi sigurinë dhe ndryshimet klimaterike si objekt i bisedimeve të liderëve botërorë, duke i lënë në hije bisedimet për rritjen ekonomike globale.
Obama tha se SHBA ishte në vijën e parë “kundër sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, një kërcënim për botën, siç e pamë në rrëzimin e avionit MH17”.
Presidenti i Këshillit të Europës Herman Van Rompuy, i pranishëm në samitin e G20, tha se Moska duhet të ndërpresë furnizmin me armë dhe trupa në Ukrainë, t’u bëjë presion rebelëve të pranojnë armëpushimin, ose do të përballet me sanksione të reja.
Ministrat e jashtëm europianë do të takohen të hënën të vlerësojnë situatën në Ukrainë dhe, nëse është e nevojshme apo jo, të vendosen sanksione shtesë ndaj Rusisë, tha ai.
“Rusia duhet të ndalojë fluksin e armëve dhe trupave nga territori i saj në Ukrainë dhe Rusia duhet t’i tërheqë trupat e pranishme aty,” tha Van Rompuy në një konferencë për shtyp.
Presidenti rus Vladimir Putin merr pjesë në takim dhe është thuajse e sigurt që ai do të vendoset nën presion për të ndryshuar drejtim në Ukrainë.
“Dua të theksoj se BE vazhdon të besojë se kjo krizë ka vetëm zgjidhje politike. Ne do të vazhdojmë të përdorim instrumentat diplomatikë, përfshi sanksionet, që kemi në dispozicion,” tha Van Rompuy.
Liderët pro-perëndimorë të Ukrainës dhe BE-së e kanë akuzuar Rusinë se po dërgon ushtarë dhe armë në rajonet lindore të Ukrainës për të ndihmuar rebelët pro-rusë që të nisin një sulm të mundshëm të ri në një luftë që vrarë më shumë se 4000 persona që nga prilli.
Rusia e mohoi përfshirjen e saj në aktivitetin ushtarakt të shtuar muajt e fundit në Ukrainë dhe mbështeti zbatimin e armëpushimit të rënë dakord në Minsk në shtator.
“Ne s’jemi përfshirë,” u tha gazetarëve Yuri Ushakov, ndihmës për politikën e jashtme në Kremlin, në samitin e G20.
SIGURI, KLIMA, JO EKONOMIA
Mikëpritësja e G20, Australia, kishte shpresuar se samiti dyditësh do të fokusohej te rritja ekonomike globale, jo te siguria ose mjedisi. Por komentet e Obamës dhe Van Rompuy sugjerojnë që tema dominante të jetë siguria. Obama tha gjithashtu tha se SHBA se do të rinovojë përkushtimin e saj strategjik në zonën e Paqësorit aziatik, komente që shihen si paraljmërim për Kinën.
Obama insistoi se rendi i sigurisë në Azi nuk duhet të bazohet në “forcë dhe frikë… ku vendet e mëdha frikësojnë të voglat, por në aleancë për siguri të përbashkët.” Ajo nuk e drejtoi gishtin haptazi nga Kina, por s’kishte asnjë dyshim që ai e kishte fjalën për mosmarrëveshjet bregdetare të Kinës dhe shqetësimin në rritje për zmadhimin e ushtrisë së saj.
Pavarësisht ngurrimit të Australisë për të futur klimën në axhendën e samitit, pasi ajo hoqi një taksë mbi shkarkimin e karbonit, Obama e harxhoi një pjesë të madhe të fjalimit të tij duke kërkuar ndërmarrjen e veprimeve në fushën e mjedisit. Ai premtoi 3 miliardë dollarë për një fond ndërkombëtar në ndihmë të vendeve të varfëra të prekur nga ndryshimet klimaterike.
Në fill të kësaj jave, Obama njoftoi një marrëveshje për klimën me Kinën.
Por Australia i qëndroi besnike skenarit të saj për ekonominë. Një plan për të rritur ekonominë globale me 2 për qind në pesë vitet e ardhshme është gati tashmë, tha Joe Hockey, ministri i thesarit. “Kjo ambicie përkthet në rreth 2 trilionë aktivitet ekonomik global shtesë dhe në miliona vende pune,” tha ai.