Serbët e panë mbledhjen e përbashkët të qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, si një hap të dukshëm drejt bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Ky është një projekt që e kundërshtojnë, por të hënën qeveria serbe ka folur në mënyrë të drejtpërdrejtë, madje mes rreshtave mund të lexohen tone kërcënuese. Ministri serb i Drejtësisë, i cituar nga radio B92, prej faqes zyrtare të së cilës ne kemi shkëputur dy artikuj, tha se Serbia “nuk do të reagojë në heshtje ndaj formimit të Shqipërisë së Madhe.” Ai i bëri gjithashtu thirrje Bashkimit Europian që ta ndalojë këtë projekt. Më poshtë vijojnë dy artikujt e radios serbe, marrë nga versioni në anglisht i faqes së saj.
“Serbia nuk do të rrijë duarlidhur gjatë krijimi të Shqipërisë së madhe”
Beograd – Ministri i Drejtësisë serbe Nikola Selakoviç ka thënë se shteti “nuk mund dhe nuk do të” reagojë në heshtje ndaj krijimit të Shqipërisë së Madhe.
Ai u shpreh se “ata [shqiptarët] nuk duhet ta fshehin pas maskave false, sepse kjo bëhet për realizimin e saj (Shqipëria e madhe)” dhe “i bëri thirrje Europës ta kundërshtojë atë.
Selakoviçi foli pasi kryeministri shqiptar Edi Rama bëri publike të hënën një radhë marrëveshjesh të firmosura mes qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë që përfaqësonin “bashkimin kombëtar” dhe se kjo kishte ndodhur “përmes BE-së.”
Kosova është një provincë serbe që shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanshme në 2008, një veprim që Serbia e konsideron dhunim të integritetit të saj territorial.
Selakoviç tha se ndërsa Serbia dëshiron të ketë marrëdhëniet më të mira të mundshme me Shqipërinë, dhe që serbët dhe shqiptarët e Kosovës të jetojnë në paqe, “ajo nuk do të qendrojë në heshtje ndaj formimit të Shqipërisë së Madhe.”
“Ne i bëjmë thirrje BE ta kundërshtojë atë, në vend të që të heshtë dhe ta shikojë me dashamirësi,” tha ministri të hënën vonë.
“Bashkimi” i Kosovës me Shqipërinë “përmes BE”
Kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se Shqipëria dhe Kosova “bashkuan kombin përmes Bashkimit Europian.”
Rama foli të hënën pas bisedimeve me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, dhe tha se një radhë marrëveshjesh të firmosura më 23 mars mbulonin sigurinë, kulturën dhe bujqësinë – dhe përfaqësonin “bashkimin kombëtar.”
Ai premtoi se shqiptarët e Kosovës nuk do të presin në radhë në pikat e kalimit kufitar gjatë verës, sepse kjo dot t’i ngjante kontrollove formale të para në kufijtë e BE, raportoi agjencia BETA.
Kryeministri i Shqipërisë shpalli gjithashtu hapjen e një konsullate të përbashkët në Milano të Italisë.
Pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, ministrat firmosën 11 marrëveshje, përfshi një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm, një protokoll për përdorimin e përbashkët të pajisjeve të kontrollit në kufi, një memorandum për bashkëpunim të ministrave të financave, një marrëveshje në organizatën e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë dhe për personat e zhvendosur, tha Tanjug.
“Dua të them se kjo përfaqëson bashkimin tonë kombëtar përmes BE,” tha Rama.