Lili Bayer
globalriskinsights.com
Qeveritë dhe bizneset perëndimore investojnë në Serbi ndërsa qeveria e saj përpiqet të zbatojë reforma dhe bën progres domethënës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mëdha me Kosovën. Megjithatë, problemet e brendshme ekonomike, ndikimi i krizës greke, dhe mungesa e mundësisë serioze për anëtarësim në BE në afat të shkurtër dhe mesatar mund të paraqesë pengesë për ringritjen ekonomike të vendit dhe marrëdhënies së saj me SHBA dhe BE.
Veprimi i balancuar i Beogradit
SHBA dhe BE e konsiderojnë Serbinë si lojtar strategjik në Ballkan. Për shumë qeveri perëndimore një Serbi e qëndrueshme, e zhvilluar dhe e orientuar nga perëndimi shihet si e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale: nga konflikti mes Serbisë dhe Kosovës deri te menaxhimi i krizës së emigrantëve që po rritet. Në të njëjtën kohë, kriza në Ukrainë ka theksuar dëshirën e qeverive perëndimore për të minuar ndikimin e Rusisë në Serbi. Për më tepër, Serbia mund të luajë një rol në strategjinë e BE për shumësinë e gazsjellësve si një vend transit për gazin natyror drejt Europës Qendrore.
Udhëheqja serbe ka ndërmarrë hapa politikë të rëndësishëm drejt lidhjeve më të ngushta me perëndimin. BE ka ndihmuar për bisedime të nivelit të lartë mes Serbisë dhe Kosovës, me vetëm pak çështje të mbetura për negocim në lidhje me telekomunikacionin, energjinë, formimin e Shoqatës së Komunave Serbe dhe lëvizjen brenda Mitrovicës ende të ndarë. Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës është një kusht për Serbinë që të vazhdojë procesin e integrimit në BE.
Lidershipi i Serbisë ka punuar dhe për forcimin e lidhjeve me SHBA. Më 16 tetor 2014, mijëra ushtarë serbë parakaluan në Beograd, ku i ftuar nderi ishte presidenti rus Vladimir Putini. Në sipërfaqe kjo dukej sikur Serbia riafirmonte lidhjet historike me Rusinë. Megjithatë, në sfond, beteja për ndikim vazhdonte. Një natë para paradës, kryeministri serb Vuçiç bisedoi në telefon me zv/presidentin amerikan Joe Biden.
Kjo sjellje paralele u përsërit në muajt që pasuan. Pala serbe ka pasur disa kontakte diplomatike të larta me Kremlinin dhe në të njëjtën kohë ka pasur bisedime paralele me Shtëpinë e Bardhë: vizita e kryeministrit Vuçiç në qershor në Uashington u bë dy javë para vizitës së ministrit të Jashtëm rus Lavrov në Beograd. Më 14 korrik, ndihmëssekretarja e shtetit për çështjet evropiane, Victoria Nuland, vizitoi Beogradin dhe riafirmoi përkushtimin publik të SHBA në mbështetje të Serbisë për anëtarësim në BE.
Pengesat strukturore dhe rajonale
Për bizneset perëndimore, Serbia ka shumë për të ofruar: ajo ka një forcë pune të shkolluar, afërsi me tregjet evropiane, normë të ulët taksash për korporatat, dhe incetiva për investitorët e huaj. Vitin e kaluar investimet e huaja u përqendruan në sistemin bankar dhe sigurimet, manifakturë, shitje me shumicë, shitje dhe riparim motora makinash, dhe prona të patundshme.
Sidoqoftë, ekonomia e Serbisë vuan nga probleme strukturore që kanë kufizuar mundësinë konkurruese dhe rritjen e saj. Përmbytjet dhe kushtet mjedisore të jashtme të pafavorshme më 2014 nxorën në dritë dobësinë strukturore ekzistuese, që çuan në tkurrjen e GDP me 1.8 për qind. Serbia u detyrua të kërkonte ndihmë nga FMN, që më 2015 miratoi një marrëveshje me vlerë 1.2 miliardë euro. Kjo ndihmë duhet të shoqërohej me një program reformash, të cilat të përfshijnë ulje të shpenzimeve publike, privatizimin e mbi 500 sipërmarrjeve shtetërore, dhe përpjekje për të rishikuar normën e lartë të kredive të këqija.
Megjithatë, pas ndihmës së FMN Serbia ende nuk i ka përmbushur plotësisht reformat e premtuara. FMN theksoi në progres raportin e 2015 për Serbinë se rritja e kreditimit është e dobët dhe norma e lartë e kredive të këqija mbetet pengesë.
Një tjetër rrezik me të cilin përballet ekonomia serbe është ndikimi i krizës greke. Bankat me pronësi greke përbëjnë 14,1 për qind të sektorit bankar në Serbi. Bankat greke në Serbi kanë likuiditet të mjaftueshëm, por shqetësimet për gjendjen në Greqi mund të çojnë në tërheqjen e depozitave në masë.
Edhe korrupsioni është minues i përpjekjeve për rritje dhe investime. Korrupsioni në prokurimet publike mbetet një sfidë e madhe, ndërsa praktikat korruptive në sipërmarrjet shtetërore janë të zakonshme. Sistemi gjyqësor në Serbi ka në pritje rreth 2 milionë raste, kurse hetimet për privatizimet e dyshuara të korruptuara kanë ngrirë.
Anëtarësimi i Serbisë në BE në ngrirje
Ndërsa BE punon të zgjidhë problemet e veta të brendshme, nga kriza greke te ndarjet mes shteteve për çështje si emigracioni, liderët e BE nuk kanë ndërmend të miratojnë anëtarësime të reja në një të ardhme të afërt ose të mesme. Serbia ka rëndësi strategjike për BE, dhe ajo shpenzon burime politike dhe financiare të konsiderueshme për forcimin e marrëdhënieve me të. Serbia merr ndihmë financiare nga BE për projekte në fusha si energjia, infrastruktura, bujqësia, dhe konkurrenca.
Megjithatë, me planet e zgjerimit të BE që po bëhen gjithnjë e më të paqarta, ndihma e BE për Serbinë mund të pakësohet. Ndërsa FMN do të vazhdojë ta nxitë Serbinë të përmbushë reformat e premtuara, rënia e influencës së BE në Serbi mund të pakësojë presionin ndaj udhëheqjes serbe për të zbatuar një sërë reformash specifike, sidomos ato në lidhje me korrupsionin. Kjo do të minonte përpjekjet e Serbisë për të tërhequr më shumë investime të huaja dhe për të shtuar konkurrencën e ekonomisë.
Në frontin politik, pa premtim të besueshëm për anëtarësim në BE dhe pa përfitimet ekonomike që sjell anëtarësimi, ka rrezik që bisedimet e Serbisë me Kosovën ta humbasin ritmin, dhe Beogradi të fokusohet sërish drejt bashkëpunimit të ngushtë me Kremlinin.
Qeveria e Serbisë ka ndërmarrë një sërë masash të ndryshme me qëllim përmirësimin e konkurrueshmërisë së vendit me një sy nga integrimi në BE, por problemet e vazhdueshme ekonomike, ndikimi i krizës greke, korrupsioni i brendshëm, dhe paqartësia në lidhje me zgjerimin e BE mund të minojë përfundimisht përpjekjet për transformimin e ekonomisë së Serbisë dhe shtimin e marrëdhënieve të saj me perëndimin.