“Sovrani, është edhe toç ka i herë”, u shpreh Dashamir Shehi në një debat televiziv mbi shpjegimet e rezultatit të zgjedhjeve. Ndoshta ka qenë një fjalë e dalë aty për aty, por ka shumë vërtetësi që vlejnë të merren në konsideratë, për të kuptuar atë çfarë ndodh me popullin, i cili përcakton edhe verdiktin final mbi udhëheqësit e këtij shteti.
Rezultati i zgjedhjeve ka qenë një nga çuditë e rradhës për sa i përket sjelljes elektorale të shqiptarëve, të cilën nuk ka instrument racional që mund ta sqarojë. Humbjen drastike të PD-së shumë analistë e shpjegojnë me rritjen e korrupsionit, keq-qeverisjes, arrogancës shtetërore, etj, por ndonëse këto janë arsye për të cilat kjo qeveri do të duhet të kish humbur edhe me thellë, situata bëhet cinike, kur kemi parasysh që pjesa më e korruptuar e qeverisë pati një rritje marramendëse. I vetmi shpjegim mbetet tek shitja e votës, por ky nuk është një shpjegim që e nxjerr fort të nderuar sovranin.
Në të vërtetë, nuk duhet të prisnim këtë rezultat zgjedhjesh për të kuptuar popullin. Ustallarët e politikës, e kanë kuptuar këtë me kohë dhe prandaj sillen me të si me një fëmijë a me një lolo. Lehtësia me të cilën politika i kryen manovrat e saj të trasha tregon qartë që askush nuk e çan kokën për gjykimin e popullit, pasi e dinë që do t’ia hedhin gjithmonë. Sado që marrëveshja Rama-Meta ishte një spektakël paturpsie duket se nuk ka pasur fort peshë në kandarin e popullit, përfshi këtu edhe 4 të vrarët e 21 janarit të tradhëtuar në një darkë ngjalash.
Në fakt, me këtë popull janë sjellë kështu që herët. Historia fillon që me Enver Hoxhën, dhe marrëdhënien sado-mazokiste të dashurisë së popullit me të. Emblematike janë fjalët që i atribuohen atij se “këtij populli duhet t’i bësh nënën që të të thotë babë”. Në të njëjtën mënyrë, perla të tilla “urtësie” i atribuohen edhe Mehmet Shehut: “Që ta zbusësh këtë popull, shtoji drurin dhe pakësoji bukën”. Në gjurmët e tyre kanë ecur edhe shumë udhëheqës të tjerë, ndonëse jo dhe aq legjendarë, por jo më pak kopukë. Të gjithë e mbajne mend batutën e Fatos Nanos për një zonë në jug të vendit: “Unë atje fitoj vetëm duke varur xhaketën në gozhdë”. Në këtë linjë ecin edhe zarushë më të vegjël në rreshtat e partive, që megjithëse zbulohen nga mikrofonat të shprehen, para fillimit të një konference se: “Do tallim b…”, – përsëri marrin vota e madje bëhen edhe ministra.
Gju më gju me popullin
Politika, sidomos ajo shqiptare, është sot më shumë arti i kurimit të imazhit dhe përdorimit të fasadës për t’ua hedhur njerëzve. Nëse analizojmë profilet e liderëve tanë, gjuhën, mënyrën dhe mjetet e tyre të komunikimit, kuptojmë qartë se ata e konsiderojnë popullin idiot. Ata përpiqen të luajnë rolin e njerëzve që jetojnë me hallet e njerëzve, që ulen “gju më gju me popullin”, që ua marrin atyre mendimet dhe madje i vlerësojnë për këtë. Fushatat elektorale janë të mbushura me skena qesharake, ku liderët organizojne takime, në të cilat jane të vetëdënuar për të dëgjuar broçkullat e miletit, çdo ditë, në sy të kamerave, duke bërë sikur i mirëkuptojnë ata, dhe sikur solidarizohen me problemet e tyre. Për javë të tëra lodhen e stërmundohen duke pozuar me ngjyra thjeshtësie e përvujtnie, e duke krijuar idenë se secili prej tyre është “një nga ne”. Gati sa nuk na thonë se edhe “çorapet i arnojnë vetë”, si shoku Enver.
Një dimension i rëndësishëm në këtë pikë është jo vetëm pjesëmarrja në hallet e njerëzve, por edhe në gëzimet e tyre, më saktë, në nevojën e tyre për hare e aheng. Pamjet e Ramës me dajre në duar gjatë fushatës, duke kënduar napolonin, janë ende të freskëta, ashtu si edhe stonaturat qesharake të knadidatëve. Po kështu, të freskëta janë edhe imazhet e Berishës, me gjithë diferencën e tij në moshë. Nuk ka rëndësi se kjo nuk u shkon dhe se janë marrëzira. Populli kërkon karagjozë në krye dhe politikanët janë gati të bëhen të tillë. Madje-madje, duket se, po nuk bëre kësi budallallëqesh nuk bën për politikan dhe se të angazhohesh në politikë, duhet të heqësh dorë nga skrupuj të tillë. Një mik, ish-deputet në një zonë juglindore të vendit tregonte se, që të arrish të fitosh mbështetjen e elektoratit në këto zona, duhet si kusht i parë, të mbash rakinë: “Po nuk pive, nuk ke gjë në qese, politika do stomak”.
Politikë me gallatë
Fillimisht në Shqipëri e ka nisur këtë profil Edi Rama, jo vetëm me ekstravagancën e tij, por me një sërë shfaqjesh, që nga klipet me West Side Family, me shfaqjet në qendrat sportive të hapura për të rinjtë, me top basketbolli në dorë, e deri tek daljet me altoparlant në komisionin parlamentar kundër tij. Në këtë linjë, ai nuk ka ngurruar të përfshihet edhe në Portokalli, Dancin with the stars, Apartamenti 2XL etj. Më tej, edhe Berisha e ka adaptuar fort këtë profil, ndonëse me vonesë. Rekordet e notit, shfaqjet si boyscout nëpër maja malesh, pozat në krah të Rita Orës, Monica Bellucit, rrepistit amerikan X Xibit, në makinën e tij sportive etj, janë disa nga majat e arritjeve të Berishës për një politikë trendy, pa folur këtu për hapjen e dyerve të partisë ndaj yjeve të BBF-së si Çiljeta, Greta Koçi etj.
Por nuk janë vetëm politikanët tanë që bëjnë të tilla shfaqje. Kjo është një sëmundje e përhapur në shumë vende. Këtu në Shqipëri kemi parë edhe ndërkombëtarët të bëjnë të njëjtën gjë. Shumë njerëz i mbajnë mend daljet e ambasadorit amerikan, por edhe të disa ambasadorëve të tjerë në Big Brother, Portokalli, Apartamenti 2XL etj, duke bërë gallatë e duke gajasur audiencën me batuta. Të njëjtën gjë bëri madje edhe vetë Presidenti Obama, duke u shfaqur në vallëzim me gazetaren, në një emision televiziv, ndërsa më herët, Bill Klinton bënte përshtypje ekspozuar duke bërë vrap, ashtu i veshur me pantallona të shkurtëra, apo duke luajtur në saksofon përballë publikut.
Në vitet ’80, Jean Baudrillard ka kritikuar për sjellje shumë herë më të fisme, ish-presidentin Regan. Ai ka marrë në analizë performancën vizuale të ofruar prej tij, buzëqeshjen, qendrimet, batutat, të cilat Baudrillard i konsideron si mjete për të manipuluar turmat. Sot manipulimi ka kaluar në vulgaritet dhe ky trend po legjitimohet e justifikohet masivisht. Autorë të shumtë shprehen se, sidomos në SHBA, pjesa më e madhe e gjykimeve shoqërore mbi politikën krijohet nëpërmjet emisioneve satirike që bëjnë humor me politikën. Kjo është një dukuri që lidhet me shoqëritë e sotme, të prirura të mos mendojnë thellë, por të gjykojnë sipërfaqshëm.
Gjithçka në fakt është e studiuar. Performanca qesharake e krijuar përfton tek shikuesi zbutjen e indinjatës ndaj personazhit, duke ulur tonet e pakënaqësisë. Kjo do të thotë se marrëdhënia e politikanit me masat nuk është një marrëdhënie verbale që kërkon reflektim mbi mesazhin politik që ai përcjell, por është më shumë marrëdhënie vizuale, që synon të prodhojë një efekt psikologjik mbi turmat. Mesazhi është zhdukur dhe mbetet vetëm imazhi me përshtypjen që krijon. Deri tani, studiuesit e kanë parë politikën si një aktivitet verbal, të prodhuar nga fjala, por gjithnjë e më shumë po krijohet bindja se ajo është tashmë një produkt i imazhit, që më, shumë se nga idetë, formësohet nga mbresat që aktorët arrijnë të provokojnë tek spektatori votues, në teatrin e politikës. Politika është bërë shumë më shumë shfaqje sesa kumt dhe madje një shfaqje e dobët dhe qesharake, një telenovelë vulgare pa asgjë interesante.
Analfabetizëm kulturor
Sociologët kanë kohë që shqetësohen për një dukuri të tillë, e cila tregon për një regres të frikshëm të shoqërive moderne në raport me dijen dhe mendimin. Që prej viteve ‘60 ata e kanë vënë në fokus këtë fenomen, duke formuluar një literaturë të pasur në këtë fushë. Ata fajësojnë për këtë mediat, shkollat, politikën, por edhe mënyrën moderne të të jetuarit, e cila i shkëput nga reflektimi mbi shoqërinë. Richard Hoggart vëren se “industria kulturore” ka përhapur një lloj të ri analfabetizmi, i cili, me gjithë përhapjen e madhe të arsimimit, ka sjellë shumë hapa prapa në kulturë. Ai tregon se mediat shfrytëzojnë mendësitë e njerëzve, për të promovuar produktet e tyre, duke gjetur rrugë sesi t’i bëjë ato të pranueshme edhe kur nuk janë të nevojshme. Këtë gjë bën edhe politika.
Edgar Morin, shprehet se kultura e masave, e përhapur nga mediat, pengon krijimtarinë në art dhe mendim. Sipas tij, kultura e masave lejon vetëm njohje të sipërfaqshme dhe të copëzuar të gjërave, duke përhapur mënyra të shprehuri që janë të varfra dhe artificiale, të cilat mbeten në universin e reklamës. Në të njëjtën mënyrë edhe Roland Bartes pohon se produktet e medias synojnë ngacmimin shqisor dhe jo kritikën, ndërsa universi i medias lidhet me një ideologji që distilohet me qëllim për të fuqizuar sistemin. Reisman pohon, ndër të tjera se, kultura e masave përfton një tip njeriu të butë dhe lehtësisht të kontrollueshëm nga jashtë.
Kjo do të thotë se shoqëria është bërë tashmë e kontrollueshme dhe ai që ne quajmë vullnet i popullit është, në një masë të madhe, produkt i aftësisë së mjeteve në përdorim të politikës për t’iu prishur mendjen njerëzve. Një zinxhir faktorësh ndihmojnë njëri-tjetrin në këtë drejtim. Mediat dhe industria kulturore varfëron mendimin, e sposton atë në suaza ideologjike të paqarta, ndërsa politika më pas, e ka më të lehtë ta zërë peshkun, pasi ai është shtyrë në cektinë. Kushti për të qenë i suksesshëm në këtë fushë është vulgariteti. Nëse diskursi i një force politike është reflektues e objektivisht kritik, ai nuk mund të triumfojë. Që ta bëjë këtë, duhet të zbresë në nivelin e vulgut, dhe jo vetëm kaq, por të përvetësojë kulturën e masave në të gjithë mediokritetin e saj.
Sovrani adoleshent
Problematika lidhet ndjeshëm me modernitetin. Kultura moderne në tërësi varfëron mendimin, madje shpesh e pezullon atë, duke ia lënë timonin e sjelljes ndjesive dhe përshtypjeve të sipërfaqshme. Autorë si Witold Gombrowicz, shkrimtar e filozof i rëndësishëm i fundshek. XX, kanë evidentuar si karakteristikën më përfaqësuese të njeriut modern mendjelehtësinë. Ai evidenton një masë të pamatshme njerëzish infantilë, të lumtur dhe krahëqafë me totalitarizmat dhe ideologjitë dylekëshe, të cilat i shtyjnë të theren me njëri-tjetrin në emër të atdheut, racës, proletariatit, rinisë, konsumit etj. Në një nga romanet e tij, ai paraqet Piter Pan-in, si modelin e personazhit kryesor, modelin e njeriut që nuk pranon pjekurinë dhe përgjegjësinë e barrës së pjekurisë, të kaosit që bart liria dhe demokracia. Sipas tij, shumica e ndjenjave dhe veprimeve të njerëzve u diktohen atyre nga jashtë. “Ata shtyhen me njëri-tjetrin në heshtje drejt sjelljeve, situatave, ndjenjave të huaja për vetë vullnetin e tyre dhe vetëm më pas mundohen të përshtaten psikologjikisht me atë që u ka rënë për hise të kryejnë, duke kërkuar ndërkohë justifikime e shpjegime.”
Në një prizëm tjetër, filozofi i njohur bashkohor Alain Finkielkraut, shprehet se shoqëria moderne është bërë së fundmi adoleshente. Ai bën të ditur se shoqëria e konsumit ka përmbysur sot konceptimin se liria vjen nga dituria. Sot liria vjen vetëm nga përmbushja e nevojave, edhe kur këto nevoja na induktohen nga jashtë, nëpërmjet kulturës së konsumit. Finkielkraut sqaron se adoleshenca ka qenë deri vonë një fenomen gati-gati disident, antikonformist, i mbyllur dhe izoluar, që krijonte botën e vet të shkëputur nga shoqëria, nga normat, traditat, institucionet etj. Sot, ky model është shndërruar në normë dhe hegjemoni, dhe stili adoleshent i jetës është bërë udhërrëfyes për të gjithë shoqërinë.
Jo vetëm kaq, por shoqëria ka kultivuar edhe idhujtarinë ndaj të rinjve. Jo më kot politika i ka ata në majë të gjuhës në çdo fushatë, dhe jo më kot politikanë të moshuar bëjnë çmos të duken sa më të rinj. Sipas tij, neurozat ndjekin njëra-tjetrën dhe masa të mëdha 40 vjeçarësh janë teenagers të vonuar ndërsa edhe të moshuarit nuk nderohen për shkak të eksperiencës, mençurisë apo seriozitetit (siç ka qenë gjithmonë), “por vetëm nëse ata kanë ditur të mbeten të rinj nga shpirti apo fiziku”. Për Finkelkraut, kjo kulturë është ekspansion i nevojës për t’u çliruar nga mendimi, nga rregullat, morali, etj, në emër të nevojës për t’u argëtuar, zbavitur e çliruar. Dhe kjo, sipas tij, është arsyeja se përse industria kulturore, gjen tek ky tip njeriu, formën njerëzore që përputhet më së miri me thelbin e saj.
Në këto kushte, demokracia nuk mbetet gjë tjetër vetëm se projektim i një qeverisjeje që buron nga mendjelehtësia. Totalitarizmi, ka mësuar tashmë se mund t’i bëjë njerëzit të dëshirojnë atë që ai kërkon të ofrojë, duke e bërë dhunën të panevojshme. Përtej çdo nihilizmi, realiteti shqiptar e dëshmon më fort se çdokund tjetër këtë. Paradokset e demokracisë, të trajtuara nga shumë autorë, gjejnë këtu formën e vet më të dukshme. Ashtu si në çdo pushtet tjetër, liria mbetet të garantohet nëpërmjet ekuilibrit që prodhon ndeshja e injorancave, si e vetmja mënyrë për të pasur sadopak frymëmarrje.
_____________________
Botuar për herë të parë në Fenix, korrik 2013