Gjermania po i jep shqiptarëve leksione mbi dënimin e krimeve të komunizmit, hapjen e dosjeve dhe pastrimin e saj nga figura të inkriminuara me regjimin e shkuar. Ka pasur një angazhim energjik të politikës gjermane për zgjidhjen e këtij procesi, i cili ka mbetur peng i politikanëve me të kaluar të dyshimtë. Një sërë përfaqësuesish diplomatikë, ekspertë dhe personalitete politike kanë kërkuar nga Shqipëria hapa seriozë në zgjidhjen e raporteve me të shkuarën duke insistuar fuqishëm për zbardhjen e elementëve të saj të inkriminuar me regjimin.
Petra Blass-Rafajlovski, ish-zëvendëspresidente e Bundestagut Gjerman, në një intervistë të marrë nga revista Java, tha se ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit janë ende në pushtet dhe kjo e vështirëson hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e të vërtetave mbi shumë krime të komunizmit. Sipas saj, ky fakt ndikon edhe në politizimin e këtij procesi, gjë që e bën të vështirë realizimin e tij. Pra, sipas saj, dosjet nuk hapen pikërisht për shkak se politika jonë ëshët e mbushur me njerëz të sigurimit, të cilët e pengojnë këtë proces, për të mbrojtur veten e tyre. Kjo do të thotë gjithashtu se, pa një zbardhje të të vërtetave që flenë në ato dosje, nuk mund të ketë një pastrim të kënaqshëm të politikës nga elementë të inkriminuar.
Ndër të tjera, ekspertja gjermane tha se, gjatë kësaj periudhe, ka pasur ndërhyrje tek dosjet e Sigurimit të Shtetit, duke zhdukur shumë pjesë të rëndësishme të informacionit që ato përmbajnë. Natyrisht kjo është bërë nga njerëz që kanë qenë të veshur me pushtet gjatë kohës së demokracisë dhe ky është një tjetër krim i patolerueshëm që rëndon mbi moralin e politikës së sotme, i cili zë rrënjë jo pak në krimet e diktaturës më të egër në rajon.
Natyrisht znj, Rafajlovski nuk ka thënë asgjë që nuk e dimë, por e thënë prej një eksperteje që ofrohet nga shteti gjerman, tregon se ajo që ne dijmë në nivel perceptimi ka baza reale. Përveç kësaj, duke u thënë publikisht, kjo kërkon një reagim nga kjo politikë mbi të cilën rëndojnë këto akuza. Mbi liderët e të dyja partive bie përgjegjësia të tregojnë me seriozitet që duart e tyre nuk janë të lidhura me krimin e regjimit të kaluar dhe se njerëzit që mbajnë rreth vetes nuk vijnë nga ky kontigjent. Atyre u bie barra të shpjegojnë në mënyrë konkrete përse kjo transparencë nuk bëhet dhe përese nuk arrijnë dot të gjejnë një mekanizëm për të zbardhur të vërtetat që mbahen të kyçura në dosje.
Ndërsa gjermanët angazhohen seriozisht për zbardhjen e të vërtetave të tmerrshme që fshihen pas fasadës së politikës sonë, është e tupshme që vetë shqiptarët e konsiderojnë këtë çështje të kapërcyer. E keqja qendron se, lojërat politike, por edhe sofizmat e analistëve të shitur, kanë bërë që shoqëria të lodhet me këtë debat, duke i vendosur vetes prioritete të tjera. Në fakt, asnjë prioritet nuk mund të ketë një shoqëri, pa zbardhur të vërtetat mbi të cilat ngrihet.
Pa u zbardhur trashëgimia që ka prodhuar këtë klasë politike, pa u zbardhur e vërteta për çdo aktor që gjeneron pushtet në realitetin e sotëm, nuk mund të ketë përmirësim të situatës politike dhe vendi do të jetë gjithmonë peng i të inkriminuarve. Procesi i dekriminalizimit të pralamentit duhet të jetë gjithashtu pjesë e një procesi dekriminalizimi historik, pasi shumë nga krimet e sotme, përfshi këtu edhe trafiqe e rrjete kriminale, janë gjithashtu të trashëguara nga veprimtari të nëndheshme të atij sistemi. Për këtë arsye, nuk do të mund të prodhojmë kurrë një politikë të pranueshme moralisht, për sa kohë nuk zbardhim rrënjët ku ajo ushqehet.