Balli Kombëtar (Front National) në Francë morri 30{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} të votës popullore në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale të dhjetorit 2015. Nuk është hera e parë që “e djathta ekstremiste” franceze fiton kaq mbështetje popullore. Kemi të bëjmë me një “rikthim” më tepër se sa me një risi.
Njihet tashmë si fakt historik që Gjermania naziste “aneksoi” pa shumë mund Francën kolonialiste në “Perandorinë” e vet oksidentale, duke e bërë një shtet kolaboracionist në ndërtimin e kampeve të shfarosjes masive të hebrenjve, homoseksualëve, romëve dhe marksistëve. Pas Luftës së Dytë botërore, shumë pushtetarë e oficerë francezë përgjegjës për po të njëjtat krime si gjermanët, u amnistuan dhe u harruan-integruan nga qeveritë demokratike franceze. Franca promovoi me sukses mitin e rezistencës anti-naziste dhe natyrës së vet liridashëse me këngë si Marsejeza e cila ende sot bën thirrje për vrasjen e “gjakut të papastër” (të paktën atyre që ia dinë tekstin).
Në maj të vitit 1945, në Algjeri brenda disa ditëve, rreth 45,000 demonstrues algjerianë që kërkonin lirinë dhe pavarësinë e tyre nga francezët (ashtu si Franca nga gjermanët) u masakruan përgjakshëm nga gjenerali francez Duval. Në 1959 në rrethinat e Parisit u ngrit nga shefi i policisë Maurice Papon një kamp internimi ku u burgosën pa gjyq dhe u torturuan qindra algjerianë “të dyshuar” për simpati ndaj lëvizjes algjeriane për liri e pavarësi. Në 17 tetor të vitit 1961, një marshim paqësor në Paris për pavarësinë e Algjerisë u kthye në një masakër të përgjakshme. Rreth 200 marshues u vranë dhe trupat e tyre u hodhën në Sienën romantike. Papon u dënua në vitin 2000 për krime (vetëm) ndaj hebrenjve në bashkëpunim me Gjermaninë Naziste gjatë luftës. Shumë admirues dashamirës të Francës mbyllën sytë ndaj krimeve e genocidit algjerian të vendit të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë gjatë viteve 1954-1962 kur në Algjeri u masakruan rreth 1.5 milionë qenie njerëzore (Encyclopedia of Genocide and Crimes against Humanity, MacMillan Reference USA, Thomson & Gale, 2005: fq.18-19)
Trashëgimtarët e Francës së Vichy dhe genocidit algjerian më në fund arritën të marrin 40{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} të votës popullore, në amalgamën politike të quajtur Front National. Por cilët janë liderët e tyre, dhe si arritën deri këtu?
“Plakushi” (zevzek dhe i paepur) Le-Pen
Jean-Marie Le Pen, themeluesi i Ballit-Frontit në 1972, një anti-çifut i pakorrigjueshëm, u dënua në 2009 me tre muaj burg dhe 10,000 euro gjobë për mohimin e krimeve franko-gjermane ndaj njerëzimit në Francën Vichy pro-naziste. Si veteran i luftës në Algjeri ai mburrej vazhdimisht se kish torturuar njerëz për të luftuar terrorizmin. Sot ai është zemërthyer, i zhgënjyer nga vajza e tij Marine, e cila arriti ta bëjë partinë e tij të parën në Francë. Ajo nuk është anti-çifute apo homofobe, dhe guxoi ta përjashtojë babanë e saj “prapanik” nga partia në maj të 2015, pas skenave-deklaratave të sikletshme (të përsëritura) në publik të cilat nuk puqeshin më me linjën e partisë që ai themeloi.
“Burrnesha” Le Pen
Me zërin e saj të trashur nga duhani dhe birra, Marine Le Pen sot shprehu kënaqësinë e saj për fitoren më spektakolare të Frontit (deri më sot). Pas dy divorcesh nuk mund të konsiderohet as katolike e mirë e as një Thatcher alla frënga. Me qëndrimet e saj “laike”, anti-kapitaliste, anti-globalizëm, anti-Europë, pro-ruse, thuajse “gramshiste” ajo arriti të marrë votën e shumë komunistëve francezë të zhgënjyer nga socialisti më i paaftë në historinë e Francës republikane, Francois Hollande. Ballistët e bazës e dinë që ajo nuk e ka tradhtuar partinë, por kompromiset e sakrificat ideologjike janë të nevojshme për të marrë pushtetin në Europën demokratike. Adolf Hitler morri rreth 40{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} të votave në Gjermaninë e lodhur me politikën e vjetër duke i propozuar nacional-socializmin klasës së rraskapitur punëtore gjermane dhe ushtarakëve të poshtëruar nga lufta e parë botërore, duke fajësuar “të huajin” çifut për çdo problem social-ekonomik të vendit. Marina e di që çifutët nuk preken, se ha burgun, por ajo ka në shënjestrën e saj “tjetrin” e radhës për demonizim: algjerianët, pasardhës së viktimave të babait të saj.
Megjithatë, ajo ka një çështje të hapur në gjykatën e Lyon, për nxitje të diskriminimit dhe urrejtjes fetare pasi në vitin 2010 ajo i krahasoi myslimanët me pushtuesit nazistë. Në vitin 2013 asaj iu hoq imuniteti si europarlamentare. Gjykata do ta japë vendimin në dhjetor 2015, me siguri pas zgjedhjeve për të mos influencuar votuesit. Nëse shpallet e fajshme, rrezikon deri në 1 vit burg dhe 45,000 euro gjobë.
Marione Le Pen, mbesa 25 vjeçare, e bukur dhe e qeshur e zevzekut të përjashtuar Le Pen (por akoma me peshë në Front), ka zëvendësuar gjyshin konservator, si katolike e devotshme dhe kundërshtare e martesave gay. Ajo u ka bërë thirrje myslimanëve të konvertohen në vlerat Greke-Romake dhe të Krishtera të këtyre 2000 viteve të fundit nëse duan të “integrohen”. Freshistes Marion i falet pak injorancë historike për moshën e saj të re, por deri në një farë mase. Për grekët athinas pederastia e homoseksualiteti ishte një normë kulturore, ndërsa romakët për 2-3 shekuj i akuzonin të krishterët si “terroristë” dhe fajtorë për çdo fatkeqësi të perandorisë romake, duke ua hedhur shpesh luanëve në arenë si ushqim. Në shekujt e 18-19-të Revolucionarët antiklerikë e më pas Napoleon Bonaparti konfiskonin pronat e Kishës dhe masakronin katolikët në Francë në emër të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Cilat vlera greko-romake-franceze në mënyrë më specifike duhet të përqafojnë myslimanët për “tu pranuar” nga ballistët francezë? A nuk stonon pak katolicizmi i saj me atë të papës Françesko që vetëm para pak ditësh në Afrikë deklaroi se të krishterët dhe myslimanët janë vëllezër?
Konkluzione (serioze)
Nuk ka asgjë për të qeshur me fitoren elektorale të partisë më ksenofobe, fashiste e më të suksesshme të Europës, pas asaj neonaziste të Jorg Haider e cila fitoi zgjedhjet në Austri në vitin 2000. Austria u izolua nga komuniteti europian, pavarësisht se Partia e Lirisë së Austrisë, si Hitleri dje dhe Le Pen sot, fitoi ndershmërisht zgjedhjet e lira dhe demokratike. Marine Le Pen e di që Franca mund të izolohet nga Europa të cilën ajo do ta braktisë, por për të cilën ka nevojë ende dhe pak për të justifikuar ekzistencën e saj. Nëse nuk dënohet me burg këtë dhjetor nga gjykata e Lyon, ajo ka shumë gjasa të jetë presidentja e ardhshme e Francës. Ajo përfaqëson elektoratin më injorant, më ksenofob, më intolerant, por edhe të zhgënjyerit “normalë” të së majtës e së djathtës franceze. Si është e mundur që demokracia europiane të prodhojë ende makthe të tilla? Si arriti Franca të katandiset në këtë derexhe në shekullin XXI pas Krishtit? …“No comment”… Vive la Republique!