Poetja Rita Petro ka habitur mbarë opinionin publik duke zbuluar gjëra të jashtëzakonshme, të panjohura më parë për shqiptarët, siç janë seksi dhe organet gjenitale. Nëpërmjet një vëllimi me poezi, ajo ka tronditur lexuesit, duke i thurur vargje vaginës, penisit dhe kënaqësive që ata përftojnë në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Kjo ka ngjallur habi dhe ilaritet tek të gjithë shqiptarët, të cilët për herë të parë po dëgjojnë për këto gjëra, dhe po mrekullohen, e njëkohësisht edhe trishtohen për çfarë kanë humbur për shekuj të tërë.
Për këtë arsye, ky vëllim poetik është nderuar nga Biblioteka Kombëtare, Ministria e Kulturës dhe vetë kryeministri me çmimin prestigjoz “Lum Skëndo”, të cilin më parë e kanë gëzuar autorë si Ismail Kadare, Martin Camaj, studiuesi Mateo Mandala etj. Libri tashmë do të vendoset në raftin e nderit të bibliotekës kombëtare përkrah veprave të mëdha të letërsisë shqipe. Ministria Kumbaro sqaroi motivacionin e çmimit duke u shprehur: “Botim elegant që harmonizon konceptualen e imazhit dhe artin e poezisë me provokimin estetik duke pasuruar shijen bibliografike të leximit”. Kjo tregon se libri ka transformuar edhe vetë ministren duke ia orientuar shijen estetike drejt pornografisë. Megjithatë më pas ajo e mohi këtë qendrim duke bërë hapa prapa, e duke u shprehur se çmimi është dhënë për aspektin estetik dhe dezajnin e jo për përmbajtjen.
Mediat e trajtuan veprën si një letërsi provokuese, e cila ka tronditur lexuesin, gjë që, sipas tyre, tregon për një autore të guximshme. Megjithatë kjo nuk e ka penguar të vlerësohet me një çmim kaq të lartë, çka tregon se, mesa duket, ajo ia ka dalë që ta fitojë betejën me paditurinë dhe ndrydhjet e shoqërisë, duke masivizuar pornografinë në shoqërinë tonë të prapambetur e të painformuar për këto tema. Një revolucion i vërtetë kulturor e shoqëror ka filluar tashmë ortekun e tij duke përfshirë këdo, të mëdhenj e të vegjël, fshatarë, punëtorë, mësues, artistë, gazetarë e politikanë.
Këtë e evidenton edhe vetë autorja e cila, pas marrjes së çmimit ka shkruar në facebookun e saj:
“Pas botimit ne France te librit Vrima nga shtepia botuese prestigjioze Harmattan ndihem e vleresuar me cmimin e marre ne 95 vjetorin e Bibliotekes Kombetare…kjo tregon se shijet e leximit kane ndryshuar…kohe te reja na presin kunder skematizmit dhe moralit te rreme…lum kush e jeton mendjehapur jeten dhe mjere per ata qe i kryqezojne te tjeret per mekatet e veta qe s’kane guxim t’i pranojne…Ka disa njerez madje media qe i frikeson fjala PENIS dhe VAGINE..mua JO…bota e moderuar e kultures, ka qindra vjet qe lufton per te pastruar mendjet dhe trupat e frustruar nga pervesiteti mendor…
Bota ka qindra vite që lufton për të pastruar mendjet e njerëzve nga “morali i rremë” si dhe nga turpi prej instrumenteve seksuale dhe nuk ka arritur t’i mposhtë ende. E megjithatë kjo nuk e ka penguar poeteshën të luftojë me këto forca të errëta perversive. Falë këmbënguljes dhe guximit të saj, ajo ia ka dalë mrekullisht të triumfojë mbi to, duke arritur ta çlirojë këtë popull nga turpi prej penisit, një përmbysje kjo që tejkalon edhe atë të dhjetorit ’90. Ajo arriti të përleshet me tabutë, ndrydhjet, makthet, frikërat e shqiptarëve, duke i dalë penisit ballas, duke u kacafytur me të, për ta plasur si një tollumbace, të cilën më pas ia shfaq publikut, ashtu të nënshtruar e dorëzuar. Tashmë këtij populli i mbetet vetëm të shijojë lirinë e dhuruar dhe të ndërtojë të ardhmen e ëndërruar prej shekujsh.
Pas leximit të poezisë së saj, Flavio, maturant në gjimnazin Rita-Petro Nini, u shpreh për FoxyLady News i entuziazmuar nga çlirimi i përftuar:
“Nuk kisha guxuar kurrë të shoh mes këmbëve të mija. Kam tentuar disa herë ta bëj këtë, por në momentin që e mendoja më pushtonte një ndjenjë ankthi që më mpinte komplet trupin. Djersë të ftohta më mbulonin të tërin dhe një marrje fryme e padurueshme. Kam kaluar gjithë jetën time pa ditur asgjë rreth kësaj pjese të trupit tim, që më shoqëronte kërcënueshëm si bodrumi i shtëpisë, ku prindërit më thonin se do më mbyllnin, kur bëja gabime. Duke lexuar poezitë e Ritës ndjeva fuqi të reja të çliroheshin brenda meje. Ashtu si në vargjet e saj, ula kokën dhe guxova ta shihja drejt e në sy përbindëshin tim të tmerrshëm. Ai u skuq, u fry nga inati, por unë e mbërtheva për gryke derisa i nxorra shkumë nga goja. Falë sajë arrita të çlirohem nga prangat e tani mund të luaj me të gjithë ditën pa u frikësuar aspak. Jo vetëm unë, por edhe vajzat e pallatit mund të luajnë me të tashmë pa u trembur. Tani ndjehem fiks si Qerosi kur mundi Katallanin”.
Njësoj si në eposin e kreshnikëve dhe betejat e Mujit dhe Halilit, autoria përleshet në mënyrë titanike për të zhbërë “moralin e rremë” të deritanishëm, e për të sjellë moralin e ri, të vërtetë. Nuk dihet se çfarë është vërtetë ky moral i ri, veç kuptohet qartë se shumë shpresa janë nderur tashmë mbi të. Dy adoleshentë, të pranishëm gjatë promovimit, duke dëgjuar disa vargje nga vëllimi, fërkuan duart të entuziazmuar për kohët e reja dhe erërat e ndryshimit që po fryjnë tashmë mbi brezin e tyre.