Fabian Zhilla
Krimi ripërsërit veten në Lazarat edhe këtë vit. Arsyet dhe shkaqet pse ky fshat vazhdon të jetë subjekt i kronikës së zezë janë ende të paqarta. Duket se shteti akoma nuk e ka gjetur gjuhën me Lazaratin. Me gjithë “megaoperacionin” policor të qershorit të kaluar, ku u kontrolluan mbi 700 shtëpi, u dogjën rreth 55 ton kanabis, u shkatërruan mbi 130,000 rrënjë kanabis, u konfiskuan armë të disa kalibrave, u arrestuan 30 persona dhe u sekuestruan 5 laboratorë, rendi ligjor duket se është në krizë në Lazarat. Një ndër pasojat më të rënda të kësaj situate është fakti se të dyshuarit si autorë të ngjarjes së fundit janë shumë të rinj, me një mesatare moshe midis 19 deri në 25 vjeç.
Një ndër hipotezat kryesore është se ky është një grup të rinjsh i cili ndihet i frustuar dhe kërkon të imponohet në shoqëri duke dhuruar “show” nëpërmjet akteve terroriste. Megjithëse nuk ka një përcaktim të qartë se çfarë do të thotë terrorizëm, zakonisht në literaturën aktuale përcaktimit i terrorizmit lidhet me pakënaqësinë, e cila shprehet në forma kriminale nga individë dhe aktorë jo shtetëror.
Referuar mediave, truri i kësaj maskarade është 20 vjeçari Arbion Aliko. Ky i fundit, një vit më parë, akuzohej nga policia për tentative vrasjeje të punonjësve të policisë, armëmbajtje pa leje dhe kultivim narkotikësh. Për këtë qëllim ai u shpall në kërkim në listën e interpolit po atë vit. Vetëm tre muaj më parë, Aliko dhe disa të tjerë u dyshuan të kenë qëlluar mbi patrullën e policisë dhe të kenë vendosur eksploziv në një prej shtyllave elektrike të tensionit të lartë. Po atë muaj, disa ditë më pas, ata u dyshuan të kenë qëlluar edhe mbi disa shtëpi të fshatit.
Ajo që vihet re është se brenda një viti në Lazarat mendohet të jetë formuar një grup kriminal të rinjsh, të cilët kanë vendosur të komunikojnë më shtetin dhe komunitetin nëpërmjet dhunës dhe terrorit. Sigurisht kjo sjellje ka gjetur një terren të përshtatshëm social, pasi komuniteti në Lazarat ndjehet i pakënaqur dhe i frustuar me mënyrën sesi shteti shqiptar po sillet me ta. Lazaratit nuk i pëlqen që shteti shqiptar e quajti të mbyllur kapitullin “Lazarat” me një operacion policor dhe e mjaftua të komunikonte me ta kryesisht nëpërmjet gjuhës së armëve dhe çekiçit të gjyqtarit. Këtij komuniteti nuk iu duk e arsyeshme që operacioni kundër mbjelljes së narkotikëve nuk u shoqërua me një politikë rehabilitimi për të rinjtë të cilët ishin rritur në një “Far West” të drogës dhe krenarisë së rremë që të dhuron liria e kriminalizuar. Lazaratit i kishte humbur “shkëlqimi”, kurse të “fortëve” të tij protagonizmi.Lazarati nuk ishte më vend pelegrinazhi për hashashin. Ai nuk trefishohej më gjatë sezonit veror si më parë, ku numri banorëve shkonte nga 5,000 në 15,000. Cenimi i kësaj statuskuoje mund të jetë një ndër arsyet e këtij reagimi. Megjithëse në nivel lokal këto lloj situatash mundet fare mirë të krijojnë premisat për lëvizje terroriste me tipare “revolucionare” të cilat mund të gjejnë masivizim.
Eric Hoffer, një ndër studiuesit më të mirë të psikologjisë së lëvizjeve ekstreme, shpjegon se faza e parë e cila koagulon grupimin me qasje ekstreme është “dëshira për ndryshim”. Kjo dëshirë karakterizohet nga humbja e besimit se ndryshimi do të vijë nga institucionet dhe kultura ekzistuese. Në fazën e dytë vjen “konvertimi”, dhe, duke ju referuar Eric Hoffer-it, në kontekstin e Lazaratit të rinjtë potencialisht më të ekspozuar për t’iu bashkuar një organizimi kriminal të kësaj natyre janë ata të cilët e ndjejnë veten të braktisur dhe me mundësi minimale integrimi në shoqëri. Faza e tretë është veprimi në grup ose vetësakrifikimi. Qëllimet e grupit mbizotërojnë mbi ato të anëtarit dhe ky i fundit e dorëzon plotësisht identitetin e tij kundrejt atij të grupit. Çdo element identifikues individual duhet të identifikojë grupin dhe jo individin. Pra sakrifica qëndron në rëndësinë e vazhdimit të funksionimit të grupit dhe jo në suksesin e individit.
Sipas Hoffer-it drejtimin e grupit e merr zakonisht ai që njihet si “njeri i besës”,i cili është shumë “fanatik”, “njeri praktik dhe i aksionit”. Në një pamje të parë dhe vetëm duke u nisur nga të dhënat e medias, i dyshuari si drejtuesi i këtij grupi (Aliko) i plotëson deri diku këto karakteristika. Me pak fjalë, një version i asaj se çfarë ndodhi në Lazarat është se një grup të rinjsh të përfshirë në trafikun e drogës, në një mjedis ku roli i shtetit dhe niveli arsimor është i dobët, ku shoqëria ndjehet në një situatë terrori dhe ku pasojat ekonomike kanë filluar të ndjehen, mundet të kthehet në një format të organizuar, i cili godet dhe terrorizon shtetin dhe komunitetin. Ndoshta, edhe pse në një fazë të hershme, do të duhet që ky grup kriminal të analizohet përtej akteve terroriste dhe vrasjeve që ka kryer. Lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit në Lazarat këtë herë nuk duhet të mjaftohet me burgosjen e disa të rinjve, por me një politikë të qartë zhvillimi për zonën dhe rehabilitimi për të rinjtë e prekur nga krimi.