Seksi është një subjekt kompleks, i diskutueshëm e që ngjall polemika. Monizmi ka mbuluar me tabu shumështresore shpengimet e lira të organizmit, pa marrë absolutisht parasysh mbeturinat inerte që shkaktojnë një kombinim çekuilibrimesh duke ndikuar në sjelljen e dukshme dhe të padukshme. Prindërit e asokohe nuk qenë kurrë edukatorë të një sjelljeje që, sipas mendësisë së kohës, ndynte moralin më shumë se sa e përtërinte atë. Edhe “edukatorët” e tjerë që mundësuan një shkëmbin të përqeshur informacioni, u përballën gjithsesi me probleme, kryesisht në rrafshin terminologjik, më pas në saktësinë dhe përcaktimin e asaj që ishte turp (tabu) dhe asaj që, për hir të familjes, nuk ishte edhe aq turp.
Dëgjojmë me një sëkëlldi të përtërirë se si shumica e shfaqjeve amorale, si prostitucioni, homoseksualizmi, kumari, narkotikët, ekstravaganca etj, janë asgjë më shumë se sa një import i padëshiruar prej Perëndimit. Ne, shqiptarët, presupozohet se kemi qenë të pastër, puritanë, një pëlhurë e bardhë në Ballkanin e epsheve. Kemi qenë të edukuar, të sjellshëm, familjarë dhe të respektueshëm. E kotë ta zgjas më shumë pandehjen tonë të vakët, kur asgjë nga këto nuk është fakt. Përndryshe nuk do kishim rrugët e përgjakura sot e kësaj dite nga viktima të atij që do të doja ta quaja irritim seksual.
Përpara botës, në 90-tën ne dolëm si kalamaj të papjekur. Një popull i rrahur nga të katërta anët, një fëmijë pa prindër, i vuajtur, i pashkolluar, i pambrojtur e për më tepër, i huaj karshi disiplinave pasionante.
Plot autorë kanë shkruar çarçafë mbi lirinë seksuale. Megjithatë jo kushdo e ka kuptuar në ç’limite çon represioni seksual. Mirë e dimë të gjithë, ligjet nga burojnë ndikimet e shpirtit të njeriut janë tre; e vërteta, e mira dhe e bukura.
Sot më shumë se kurdoherë gjej rreth meje regjimente njerëzish fytyrëvarur, të paqeshur, të thyer nga e njëjta materie që përbën edhe trupin e tyre. Nga mishi. Të gjithë në thelb kërkojnë dëfrimin dhe i çelin udhë kaosit të sjelljeve që shkëlqejnë në eklektizëm.
Dramat e represionit seksual janë të kredhura thellë, në humnerën ku qarkullojnë kohërat e pandriçuara mire, atje ku gjendet e prejardhja e parrokshme, deri diku, e të parëve tanë. Atje ku kulmon piramida e përmbysur shqiptare. Tragjedi të represionit gjejmë tek eposi i kreshnikëve. Ngjarje trimash gurgullojnë hidhërueshëm e trishtueshëm. Gurgullojnë ngjarje vashash të premtuara nuse që në djep. Histori të ngjashme kanë qarkulluar edhe në këngët polifonike në jug të vendit.
Duke tërhequr këtë fill të hollë, por të fortë, nga ajo kohë, bëjmë ngjashmëritë etimologjike me realitetin. Një realitet që përputhet kryekëput me shpërfaqjet sociologjike sot. Pra edhe sot ka martesa pa pëlqim, ka shkuesi nga veriu ne jug. Përbaltet forma e hijshme e dëshirës thellësisht humane për fryte njerëzore. Këto të fundit duhet të jenë thjesht një domosdoshmëri e shkëputur nga pasionet sublime, të lavdërueshme, të arta të shpirtit.
Shqiptarët në kulmin e mirësisë, atëherë kur duhet të ngjizin veprën e tyre më të madhe, futen në shtrat me dikë që vetëm sa plotëson kushtet. Kaq! Jam në kontakt të përditshëm me plot kolege e kolegë, familjarë, miq të shtrenjtë, baballarë të rinj e të vjetër. Në momentet e një konfidencialiteti automatik, gjithnjë ankohen e duken si të ligështuar nga mungesa e seksit pasionant. Kjo gjë sikur i ka tredhur, ua ka holluar zërin burrëror dhe i ka shndërruar në ujqër që rrëmbehen nga mbërritjet e kofshëve dhe gjokseve ideale.
Seksi është forca primare në jetën njerëzore. Paraja dhe seksi, në unison janë boshti i botës do të thoja. Zhvillimi psikoseksual fillon që në fëmijëri. Kur Frojdi egzaminonte Frojdin, erdhën në jetë formulimet shkencore mbi kompleksin e Edipit dhe atë më pak të famshëm: kompleksi i Elektrës. Në mendjet e pamprehta, joveprore, të paqarta, këto komplekse përjetësohen. Pra nuk i përkasin më petkave të moshës së mitur.
Glorifikimi 50 vjeçar i ndershmërisë morale të shqiptarëve është si një tokë kahershme e djerrë. E mira morale duhet të jetë ajo që perceptohet si e mirë, jo ajo që induktohet si e tillë. Plot shfaqje të cilat ne publikisht i nënçmojmë, në privatësi i adhurojmë. Pra programi jetësor vetiak dhe kolektiv nuk është si ingranazhet e orës, ku elementet përputhen menjëherë, duke dhënë si rezultat funksioninin e pagabueshëm të mekanizmit.
Në mes të kësaj valleje të tufanshme, rreziku i vetëm është se mund të pengohesh, të të ngatërrohen këmbët e të rrëzohesh. Por kjo nuk mund të perceptohet domosdoshmërisht si tmerr. Pse të mos merret si një përpjekje e shpirtit për rimëkëmbje të lumturisë anekënd jetës sociale. I duhet dhënë pavarsi lëvrimit të mendjes. Nëse trupi e do, atëherë trupi duhet ta ketë deri sa të mos e dojë më. Kjo formë të menduari e nxjerr shpirtin të larë nga gjithfarë rrymash “mëkati”. Njimend duhet të shkëputemi nga “qui pacem dicunt et desolationem facunt”. Dihet se njerëzit në emër të idealit, që përkthehet privilegj për disa, përmbysin vlera objektive themelore, siç është edhe liria seksuale.
Dua të bëj një requiem të pakfjalshëm, për vitrinën historike si shembull i dytë pas monizmit, sa i takon marrisë seksuale. Shqipëria e vitit 1997, ku njerëzit më paqësorë merrnin kallashnikovët e tyre dhe shtinin në ajër, ndërsa ata më grabitqarët, me forcën e armëve, vidhnin rrugëve të Shqipërisë. Rrëmbenin femra e i trafikonin përtej detit, pas një përdhunimi të tipit paraushtarak. Jo vetëm kaq, rruga deri në trotuaret e Europës, u bë si një dallgë oqeanike seksesh të përlotura e të qurravitura. Dukej sikur perëndia e motive, në atë moment, kish zeruar elementin e parë në binomin shkak-pasoje. Tashmë ekzistonte vetëm një arsye e paarsyeshme, e hollë si mëndafsh dhe e tejdukshme si mjegull. Mbeti idiotësia e planit pasojë-pasojë. Femrat e trafikuara u gjendën si një trup i humbur në kozmos, të ping-ponguara nga faqe të sferëta penisësh pa fytyra.
Histeria është një xhungël mendore, ku vetëdija rend duke u dobësuar dita-ditës. Në mes të ligjeve primitive, imperative, të cilat ne emër të moralit të askujt, mohojnë faktorin shpirtëror, mohojnë një Zot, mohojnë ç’do kënaqësi të vërtetë, të mirë dhe të bukur.