Henry Meyer
Ilya Arkhipov
Themelet mbi të cilat Vladimir Putini ndërtoi drejtimin e tij 15 vjeçar në Rusi po shkërmoqen. Rënia e rublës, e cila zbriti në rekordin më të ulët këtë javë, po rrezikon mitin e stabilitetit rreth të cilit Putini ka bazuar sundimin e tij. Megjithëse mbështetja për të në sondazhe është thuajse në pikën më të lartë të të gjitha kohërave për shkakt të qëndrimit të tij ndaj Ukrainës, rënia e rublës rrezikon ta fshijë atë dhe ta dobësojë autoritetin e tij, thanë analistët të vendosur në Moskë.
Putini e mori pushtetin nga Jelcini i sëmurë më 1999 me premtimin për të zhdukur kaosin që karakterizoi transicionin post komunist të vendit. Ndërsa pati rritje ekonomike dhe ngritje pagash në gjithë vitet e tij si lider, veç njërit, rënia e çmimit të naftës së bashku me sanksionet e SHBA dhe BE e kanë vendosur presidencën e tij përballë sfidës më të madhe.
Era e re
Në një lëvizje të papritur pardje, banka qendrore ruse rriti normën e interesit në shkallën më të madhe në 16 vjet, deri në 17 për qind. E Megjithatë kjo nuk e frenoi rënien e rublës me 80.1 për dollar nga 34 në qershor si çmim për naftën, eksporti më i madh i Rusisë, i cili zbriti thuajse me gjysmën e vlerës, poshtë 60 dollarë për fuçi. Monedha ra 12 për qind në 60.1 për dollar sot, ndërsa qeveria shiti monedhë të huaj dhe banka qendrore vendosi të mbështeste bankat.
Zhvlerësimi i rublës e shoqëruar me tronditjen e ekonomisë shënon rënien e sistemit ekonomik të Putinit i bazuar te nafta në 15 vjet, tha një drejtues i një prej bankave më të mëdha në Rusi, i cili foli në pozicion personal. Ai kërkoi të mos identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Rritja e normës së interesit do të frenojë huatë për familjet dhe biznesin dhe do të thellojë rënien ekonomike të Rusisë, sipas Neil Shearing, shef ekonomist për tregjet në zhvillim i Capital Economics Ltd., me qendër në Londër.
Prodhimi i brendshëm bruto do të tkurret me 0.8 për qind vitin e ardhshëm, sipas projeksionit më të fundit të Ministrisë së Ekonomisë. Me çmimin e naftës te 60 dollarë për fuçi, rritja ekonomike mund të bjerë me 4.7 për qind, deklaroi banka qendrore javën e kaluar. “Sa falimentime na presin në janar?” shkroi në Twitter deputeti opozitar Dmitry Gudkov. “Njerzit do të mbeten pa punë, pa para. Ëndrra e frikshme sapo ka nisur”.
Edhe Vladimir Gutenev, deputet i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar, u ankua për veprimin e bankës qendrore, duke e quajtur shkallën e normës së interesit “të pa pranueshme”. “Kjo gjendje në lidhje me financimin e industrisë me kredi bankare, por bëhet gjithnjë e më kritike,” tha me e-mail Guetenev.
Kërcënimet ndaj stabilitetit ekonomik janë rritur, ndërsa popullariteti i Putinit është 85 për qind, pasi rusët e pëlqyen qëndrimin e tij ndaj Ukrainës pas largimit të Viktor Janukoviçit. Në veçanti, ata mirëpritën aneksimin e Krimesë, pjesë e Rusisë deri më 1954.
Ndërsa kriza e rublës mund të çojë në zbehjen e përkrahjes për Putinin, protestat që mund të shfaqen do të drejtohen kryesisht kundër zyrtarëve të nivelit të ulët, tha Igor Bunin, kreu i Qendrës Teknologji Politike në Moskë. “Putini është simbol i Rusisë dhe shtetit për rusët e zakonshëm,” sipas Bunin, i cili tha se disa anëtarë të qeverisë mund të shkarkohen si rezultat i kaosit të rublës. “Njerëzit e shikojnë atë si yllin e fatit, i cili do t’i shpëtojë. Kështu që kanë frikë ta humbasin si simbol”.
Qeveria “e paaftë”
Tatiana Barusheva, një pensioniste 63-vjeçare që jeton qytetin bregdetar Gelendzhik në rajonin jugor të Krasnodarit, fajëson Putinin për gjendjen e tanishme kaotike. “Me këtë qeveri nuk mund të shkojmë gjatë, është e paaftë”, tha ajo dje në Sheshin e Kuq të Moskës. “Nuk ka rëndësi sa shumë përpiqet Putini, por ndihmësit e tij nuk hyjnë në punë për gjë”. Putini është në gjendje ta nxjerrë vendin nga kriza e tanishme njëlloj siç bëri gjatë krizës globale më 2008, tha zëdhënësi i tij Dmitry Peskov. “Më 2008, siç mund ta kujtoni, Putini tha: ‘Është krizë, unë marrë përgjegjësinë dhe gjithçka do të rregullohet’!” tha Peskov në një intervistë për televizionin shtetëror Rusia 24. “A përfundoi gjithçka mirë? Po”.
Kriza financiare globale që shpërtheu më 2008 zhduku 7.8 për qind të GDP së Rusisë një vit më pas, përmes një rënieje të ngjashme në çmimin e naftës. Në atë rast, rubla u zhvlerësua me rreth një të tretën. Sanksionet tregojnë që Putini është në një lak më të fortë kësaj radhe, sipas Olga Kryshtanovskaya, sociologe që studion elitën në Akademinë e Shkencave të Rusisë. Masat për të lehtësuar gjendjen, si vendosja e kontrollit të kapitalit ose zbutja e pozicionit rus në Ukrainë, përmbajnë rreziqe shtesë, tha ajo.
Ajo që ndodh tani është më e keqe se pesë vjet të shkuara, sipas Kirill Rogov, studiues në Institutin e Politikave Ekonomike Gaidar në Moskë. Putini rrezikon të humbasë imazhin e tij si udhëheqës në kontroll që mund të drejtojë vendin në kohë të vështira, tha ai. “Pas 2009-ës ringritja ishte e shpejtë,” tha Rogov. “Tani ne përballemi me një tronditje të pakontrolluar. Kjo vë në dyshim besimin te i gjithë modeli ekonomik i Putinit”.
Bloomberg