Ignazio Marino, kryebashkiaku i Romës, kandidati socialist i partisë demokratike (PD) italiane, në kryeqytetin mijëravjeçar të krishterimit, regjistron në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, 16 martesa “gay”… në mënyrë të kundraligjshme.
Roma kaloi një muaj tetori të paharrueshëm, natyrisht për atë pjesë të shoqërisë që nuk vuan nga amnezia e përgjithshme e votuesve taksapagues, e tipit të “çudisë së madhe që zgjat vetëm tre ditë”. Ndërkohë që në Vatikan diskutohej, për herë të parë në historinë e Kishës Katolike, mundësia (përfundimisht e refuzuar) për të qenë “deri diku” më të hapur dhe pranues ndaj homoseksualëve, kryebashkiaku i Romës, z.Marino, me hov revolucionar të admirueshëm nga komuniteti LGBT, por në kundërshtim me kushtetutën italiane dhe ligjet në fuqi, regjistroi 16 martesa “gay”. Dikush e komentoi si triumf të demokracisë sekulare, progresive (natyrshëm perëndimore) ndaj klerit konservativ e reaksionar dhe mendësisë që ai përfaqëson. Çuditërisht asnjë qeveritar i PD-së italiane nuk u skandalizua nga shkelja flagrante e kushtetutës dhe ligjeve të republikës, nga një zyrtar laik i zgjedhur për të zbatuar ligjin, jo për ta shkelur në transmetim televiziv të drejtpërdrejtë, me prezencën e shtypit ndërkombëtar nga Al-Jazeera tek New York Times.
Demokracia është shitur 2-3 shekujt e fundit, sidomos që nga Revolucioni (ose Terrori i Madh) Francez, si pushtet i popullit, i fituar nga populli dhe i mbrojtur ndaj tiranisë me anë të zgjedhjeve të lira, por shpesh edhe me gjakun e derdhur në luftëra (ndonjëherë edhe botërore).
Megjithatë në shumë vende demokratike në perëndim kemi dallime të mëdha. Në vende kyçe të BE-së, janë legalizuar nga “përfaqësuesit e popullit” vepra të tilla si prostitucioni, vetvrasja (e asistuar nga mjekët), martesat “gay” dhe incesti. Amsterdami është kryeqyteti shembull i turizmit seksual dhe i vitrinizimit të femrës, me pakicë dhe shumicë. Të sëmurët terminalë të dëshpëruar, të rinj apo të moshuar, mund të “hiqen qafe” ligjërisht në Zvicër kundrejt një pagese “të arsyeshme”. Incesti është legalizuar në Francë që nga koha e Napoleonit. Martesat “gay” tashmë “bekohen” nga Kisha protestante në vende “konservatore” si Britania e Madhe. Si është e mundur që të gjitha këto të jenë ndërkorkohë të palejuara nga ligji e madje shpesh përbëjnë edhe vepra penale, në vende të tjera demokratike anëtare të BE-së?
Standardet e dyfishta në politika të brendshme nuk janë i vetmi problem i fasadës së demokracisë europiane. Politika e jashtme duket në një gjendje më të mjeruar. Angazhimi për luftë globale ndaj “ISIS” përbën një element komiko-tragjik të tablosë së diplomacisë demokratike europiane. Njëkohësisht me fenomenin “ISIS” dhe ekzekutimet mediatike të disa civilëve perëndimorë, Rusia zbërthente Ukrainën në pjesë këmbimi, rrëzonte një avion me qindra civilë perëndimorë (por jo në mënyrë mediatike), ndërsa Izraeli ekzekutoi 500 fëmijë palestinezë dhe gjymtoi 3,000 të tjerë, duke i lënë pa sy, pa duar, pa këmbë e pa të ardhme (qindra civilë gra e burra të pafajshëm, nuk kanë shumë vlerë mediatike për tu përmendur).
A janë dakort popujt europianë për trajtimin e Rusisë me dorashka akoma më të buta se sa ato të luftës së ftohtë, ndërkohë që ajo përdor luftë të nxehtë ditën me diell? A janë dakort popujt europianë me mbrojtjen e sikletshme të Izraelit përballë opinionit publik botëror, ndërkohë që më shumë se 300 mbijetues hebrenj të Holokaustit publikojnë deklarata dënuese për genocid e terrorizëm kundër qeverisë e ushtrisë izraelite?
Të mos flasim edhe për krizën financiare të sistemeve demokratike, rritjen progresive të papunësisë, varfërisë si dhe degradimin e drejtësisë shoqërore. Apo qindra miliarda euro që europianët, në mirëbesim, paguajnë për shërbime publike (çerdhe, spitale, etj.) të cilat qeveritë i tyre i “shkurtojnë” për t’ua dhënë shkaktarëve të krizës financiare: bankave. Janë këto fakte empirike që po i shtyjnë europianët të votojnë parti ultra-nacionaliste, komuniste apo neo-naziste që shpallin haptas se duan të braktisin ëndrrën e Europës së bashkuar dhe të korrigjojnë dëmet e demokracisë së aplikuar deri tani në Europë.
Përse shqiptarët e dëshpëruar ende pa pasaporta të BE-së, ushqehen nga politikanët dhe mediat e tyre me shpresa për t’u bërë një ditë “plotësisht europianë”, kur europianët vetë janë plotësisht konfuzë se çfarë janë dhe çfarë duan të jenë?
Rënia simbolike e Romës kristiane në muajin tetor (midis çudive të tjera europiane) ndoshta konfirmoi që përfaqësuesit popullorë në Europë janë jo vetëm më pak të krishterë moralisht, por gjithnjë e më pak demokratikë apo besnikë në respektimin e kontratës së përfaqësimit me votuesit e tyre, gjithmonë nëse ekuacioni “demokraci=pushtet popullor” nuk ka qenë një mit romantik të cilit, me shumë keqardhje për romantikët dhe matrapazët, i ka ardhur koha për t’u vënë në diskutim. Ndoshta duhet menduar për një alternativë më të mirë.