Julian Ryall
The Daily Telegraph
Koreja e Veriut e “spastron” popullsinë e saj në mënyrë sistematike, duke i zhdukur personat me defekte fizike ose mendore, deklaroi një koreanoverior i arratasur.
Ji Seong-ho, 32 vjeç, i cili u arratis nga Koreja e Veriut pasi humbi këmbën e majtë sipër gjurit dhe dorën e majtë te kyçi, tha se personat me aftësi të kufizuara konsiderohen njollë për imazhin e Koresë së Veriut dhe “turp” për regjimin sundues.
Zoti Ji, i cili po punon për një libër në lidhje me vuajtjet e personave me aftësi të kufizuara në vendin e tij, tha se bebet me shenja paaftësie largohen nga stafi i spitalit dhe nuk shfaqen më kurrë. Ai shtoi se fëmijët me vështirësi në zhvillim lihen pa kujdes deri sa vdesin.
“Regjimi deklaron: ‘Në regjimin e Kim-it nuk ka njerëz me aftësi të kufizuara dhe të gjithë janë të barabartë dhe jetojnë mirë’,” tha ai. “Ndërsa vazhdon kjo propagandë, fëmijët me aftësi të kufizuara merren dhe largohen, duke vuajtur në mënyrë të pabesueshme deri sa vdesin,.”
Ai tha se dy të arratisur të tjerë i kishin treguar për një fshat të largët në zonën malore Ryanggang, ku dërgoheshin personat shtatshkurtër (xhuxhët).
“Ata e kishin të ndaluar të largoheshin dhe liheshin në mëshirë të fatit, pa asnjë ndihmë nga jashtë,” tha ai. “Meshkujt tridheshin, me qëllim të zhdukeshin. Tani s’ka mbetur asnjë prej tyre.”
Një komision i OKB tha në shkurt se kishte dëgjuar akuza për eksperimente mjekësore që bëheshin në “spitale të mbyllura” ndaj ‘personave me paaftësi”. Por shtoi se nuk kishte pasur mundësi t’i vërtetonte këto pretendime.
Një studim i veçuar, i kryer më 2013 nga Aleanca Qytetare për Të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut, 40 përqind e të arratisurve besonin që foshnjat me të meta vriten ose braktisen dhe 43 përqind pretenduan se kishin dijeni për “një ishull” ku dërgoheshin për të jetuar personat me aftësi të kufizuara.
Një nga të arratisurit tregoi për një spital ku personat me aftësi të kufizuara dërgohen “për eksperimente mjekësore, si studim anatomik të pjesëve të trupit, si dhe prova për armët atomike dhe biologjike.”
Një ish-oficer i forcave speciale në Korenë e Veriut, i cili u arratis më 1990 pasi pa eksperimentim të armëve bërthamore dhe biologjike në persona me aftësi të kufizuar, fëmijë dhe të rritur, i tregoi The Telegraph për këtë program.
“Regjimi do që ta bëjë këtë “ligjërisht” prandaj përpiqet t’i blejë fëmijët me afëtsi të kufizuara nga prindërit e tyre me pretendimin për t’u kujdesur për ta,” tha Im Cheon-yong.
“Nëse kjo nuk ecën, regjimi i kërcënon ata. I përdorin për të eksperimentuar armët kimike,” tha ai. “Jo vetëm fëmijë, edhe persona me aftësi të kufizuara në moshë të rritur.” Zoti Ir tha se i ka parë këto eksperimente, si përdorimi i antraksit dhe armë të tjera kimike, më 1984.
Ji Seong-ho i humbi gjymtyrët në moshën 14 vjeçare, pasi i ra të fikët nga uria dhe ishte duke mbledhur mbetje qymyri në trasenë e hekurudhës dhe e shkeli treni. Kur ai u rrëzua, treni kaloi sipër këmbës dhe dorës së majtë të tij, stafi i stacionit pranë e dërgoi në spitalin më të afërt.
“Kisha nevojë për operacion, por nuk kishin ilaç anestezie,” tha ai. “Më kujtohet doktori që më futi në sallën e operimit dhe iu desh të më mbanin shtrirë me forcë. E dëgjoja sharrën që më futej në kockë.”
Pas operacionit, stafi i spitalit i dha cigare dhe ilaçe qetësuese për dhimbjen, megjithëse këmba iu infektua dhe kishte nevojë për një prerje të dytë, kësaj radhe sipër gjurit. Përsëri pa anestezi. Pesëmbëdhjetë ditë më vonë, zoti Ji u dërgua në shtëpi pasi spitali nuk ishte më në gjendje të kujdesej për të.
Ndërsa u lejua të kalonte në Kinë për të lypur ushqim në vitin 2000, në kthim u arretsua dhe u mor në pyrtje për më shumë se dy javë.
“I pyeta pse,” tha ai. “Dhe më thanë se kisha ulur dinjitetin e Koresë së Veriut, ngaqë isha sakat. Duke lypur në Kinë kisha poshtëruar Kim Jong-il-in. Më thanë se populli në Kore ishte i lumutr, kështu që si guxoja unë të shkoja e të lypja.”
“Ata thanë se njerëz si puna ime thjesht duhet të vdesin,” shtoi ai. ‘Kjo ishte e dhemshme.”
“Regjimi pretendon se të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara në Korenë e Veriut respektohen dhe dërguan atletë në Lojërat Paraolimpike Aziatike këtë vit, por është thjeshtë reklamë,” thai.
“Realiteti është i tmerrshëm,” shtoi ai. “Gjatë viteve të urisë në vitet 90, personat me aftësi të kufizuara nuk morën tollona ushqimi, sepse nuk punonin dhe nuk ishin produktivë për shoqërinë. Afërsisht 80 për qind e tyre vdiqën nga uria.”
“Regjimi e merr të mirëqenë që ne jemi të padobishëm dhe ky është mesazhi që përcillet në shoqëri,” tha ai.
“Afër shtëpisë sime lindi një fëmijë këmbë të deformuara. Vdiq në moshën 1 vjeç.”
“Njerëzit në Korenë e Veriut jetojnë me vështirësi dhe nuk janë në gjendje të kujdesen për personat me afëtsi të kufizuara,” shtoi ai.
Zoti Ji vendosi të arratisej më 2006 dhe ia doli të mbërrijë në Korenë e Jugut dhe, shumë shpejt, ndihmoi nënën dhe vëllain e vogël të mbërrinin në Seul. Babai i tij, minator, i cili u përpoq të arratisej atë vit, u kap, u burgos, dhe vdiq gjatë torturave.
______________________
Titulli, i përshtatur nga redaksia