Qeveria Rama ka shkaktuar tërmet në botën akademike me vendimin për të mbyllur 18 universitete private e për të pezulluar regjistrimet për vitin e parë për 13 të tjerëve. Vendimi përfshin gjithashtu mbylljen e disa universiteteve e filialeve publike në rrethe, duke ekzekutuar kështu në total rreth 38 institucione të larta arsimore, ndërkohë që janë lënë të ushtrojnë aktivitetin e tyre, me disa vërejtje të vogla, vetëm 13 universitete private. Sipas ministrisë, këto masa u morën pas konstatimit të mangësive të mëdha administrative të paraqitura në dokumentacion ndërsaa pritet që në fund të vitit të kemi edhe një tjetër kontroll, që, me gjasë, do të mbyllë subjekte të tjera.
Me një veprim të vetëm kreu i qeverisë ka nxjerrë nga gara arbitrarisht treçerekun e operatorëve privatë në treg. Kjo është goditja më e madhe që ka pësuar ndonjëherë hapësira univeristare në Shqipëri, efektet e të cilave do të ndjehen doemos tek shumë njerëz. Kryeministri u shpreh se i vjen keq për familjet që kanë derdhur mundin dhe paratë duke investuar për formimin e fëmijëve të tyre në këto universitete, por i fajson ata për shkak të mosinformimit të duhur në zgjedhjen e bërë për të studiuar në to. Në fakt, situata bëhet qesharake kur vetë Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ka një diplomë masteri në një prej këtyre universiteteve të ndëshkuara prej saj. Nëse vetë ministrja nuk paksa qenë e informuar, kush e ka patur këtë mundësi?
Monopolizim i tregut
Megjithë problemet e mëdha të arsimit të lartë, të cilat janë reale dhe vërtetë revoltuese siç thotë Kryeministri, përsëri zgjidhja nuk mund të jetë mbyllja e menjëhershme, pa një plan masash rregulluese, për të bërë të mundur transformimin e sistemit pa efekte të rënda. Logjika me të cilën vepron Rama është ajo e tritolit, si në rastin e shembjeve të ndërtimeve, me dhe pa leje, mbylljen (e më pas rihapjen) e kazinove dhe lojërave të fatit, ndalimin furgonëve, etj. Qeveria duket se nuk ka të qartë absolutisht instrumentet e një reforme dhe mendon t’i zgjidhë nyjet me sëpatë, në logjikën e vjetër të doktor Adhamudhit: Të dhëmb dora, prije, të shpëtosh tjetrën!
Por më e keqja është se përzgjedhja e kurbanit nuk ka qenë mbi bazë të standardeve të përcaktuara, por mbi bazë të selektivitetit klientelist të maxhorancës. Kushdo që ka sadopak informacion e ka të qartë tashmë se, si çdo aktivitet tjetër fitimprurës, edhe universitetet jopublike janë lidhur me interesa e fije të ndryshme midis forcave politike. Parë nga kjo pikë lista e universiteteve të mbijetuar nga drapëri qeveritar kuqëlon fort në krahasim me atë të atyre që janë penalizuar, gjë që do të thotë se standardi kryesor mbi të cilin këta subjekte janë diferencuar ka qenë ai politik e klanor.
Qeveria ka vlerësuar pozitivisht universitete që nuk plotësojnë as kriteret më minimale për të ekzistuar, ku nuk bëhet mësim e ku nuk ka as studentë, ndërsa janë ekzekutuar universitete me staf shumë serioz e me projekte ambicioze në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Kjo tregon qartë se qeveria po ndërhyn në treg duke përjashtuar shumicën e subjekteve, e duke transferuar klientelën e tyre tek këta pak që mbeten.
Mënyra sesi po zhvillohet e gjithë kjo tregon papërgjegjshmëri dhe moskokëçarje për raportet që shteti krijon me subjektet private dhe ligjin. Ka shumë mënyra sesi mund të vësh rregull në këtë fushë dhe nuk janë pasaktësitë në dokumentacion, arsyeja për të mbyllur një universitet. Mbi të gjitha, për shumë subjekte, masat janë marrë pa asnjë bazë ligjore. Ligji përcakton, jo vetëm detyrimet administrative të një subjekti, por edhe penalitetet në rastin e moszbatimit të tyre. Kryeministri i nxjerr penalizimet nga xhepi si t’i teket, duke i dënuar të gjithë, me të njëjtën masë ndëshkimore, pavarësisht se pasaktësitë administrative janë të ndryshme. Mbi të gjitha, nuk mund të nxjerrësh masa ndëshkimore në mes të garës, pasi konstaton veprimin e kryer. Kjo është njësoj sikur, arbitri të marrë vendim në mes të një ndeshje që edhe një faull jashtë zone të konsiderohet penallti.
Mungesa e një përshkallëzimi të masave të ndërmarra, tregon se Kryeministri nuk është i interesuar t’i përmirësojë këto institucione, por kërkon vetëm t’i zhdukë. Ai i ka ndarë ato në dy grupe: Ata që duhet të jetojnë dhe ata që duhet të vdesin. Nuk ka një subjekt që meriton të ndëshkohet në mënyrë të ndërmjetme. Fasha e mesit, ajo e subjekteve që penalizohen vetëm duke mos u lejuar të marrin studentë në vitin e parë, në fakt është dënim me vdekje të ngadaltë. T’i pezullosh një subjekti shkollor një vit akademik, do të thotë ta kesh dërguar atë drejt falimentimit të sigurt, pasi i ke shkatërruar një të tretën e aktivitetit (ndërsa i ke çekuilibruar raportin midis investimit dhe të ardhurave), e kjo do të duhet të vijojë për 3 vjet rresht, përgjatë të cilave ky brez studentësh mbetet bosh. Përveç kësaj, ky institucion është i dënuar përfundimisht pasi askush nuk do të preferojë të regjistrohet në një universitet të listuar për t’u mbyllur. Pra Kryeministri nuk njeh dënim tjetër përveç dënimit kapital, ndaj cilido qoftë gabimi i kryer dënimi është vetëm një: me vdekje!
Shtetërori duhet mbyllur i pari
Nga ana tjetër, problemi i arsimit të lartë në Shqipëri nuk është tek sektori privat, por kryesisht tek ai shtetëror. Nuk ka kuptim që shteti të jetë kaq i ashpër me privatët kur universitetet e veta i ka më keq. Përsa i përket kushteve të mësimdhënies, mjeteve në përdorim (hapësira, laboratorë, mjete mësimore), korrektesës në zhvillimin e orëve mësimore etj, universitetet private qëndrojnë shumë më lart, për vetë faktin se kanë shumë më tepër kërkesë llogarie ndaj pedagogëve dhe administratës.
Universitetet shtetërore janë vërtetë për të ardhur keq: Orare të tejzgjatur për mungesë klasash e hapësirash, orë që nuk zhvillohen fare për neglizhencë të pedagogëve, kurrikula skandaloze të hartuara pa kurrfarë profesionalizmi, tekste të mangëta, të hartuara me qëllime komerciale nga pedagogët, administratë kaotike që ua nxin jetën studentëve… janë vetëm disa nga treguesit e rrënimit të arsimit të lartë në Shqipëri. Për të mos dalë pastaj tek nepotizmi i stafeve akademike në shpërndarjen e posteve, gradave dhe privilegjeve, të motivuara e ngatërruara edhe nga politika. Pa dyshim universitetet shtetërore janë shumë më të dobët në plotësimin e standardeve se shumica e atyre private dhe kjo konfirmohet edhe në të gjitha rankimimet ndërkombëtare.
Atëher pyetja lind: Çfarë të drejte ka shteti t’u mbyllë aktivitetin privatëve kur vetë është më keq? Përse nuk mbyllim fillimisht universitetet shtetërore, nëse qeveria kërkon vërtetë ta vendosë sistemin mbi standarde?
Kjo vlen edhe më shumë kur pesha që shteti zë në treg është disa fish më e madhe sesa ajo e universiteteve private. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, gjatë këtij viti akademik që kaloi treçereku i maturantëve që mbaruan shkollën e mesme u regjistruan në universitetet shtetërore. Duke llogaritur se shumë studentë shkojnë jashtë shtetit dhe shumë të tjerë nuk duan të bëjnë shkollë të lartë, mbetet që universitetet jopublike të zenë një pjesë shumë të vogël të studentëve në krahasim me shtetin.
Në fakt, përtej interesave gjithçka është më shumë një show. Kjo mënyrë veprimi është në vazhdën e strategjisë mediatike të kësaj maxhorance, e cila kërkon të krijojë përshtypjen se po kryen transformime rrënjësore. Një zinxhir i gjatë nismash të tilla kanë kaluar me shpejtësi, pa ndryshuar përgjithësisht asgjë në realitet: mbyllja e kazinove, ndalimi i furgonëve, shembja e ndërtesave me tritol, pushtimi i Lazaratit, ndarja territoriale etj. Ky aksion është në vijimisi të metodës së punës, ose më mirë, të shfaqjes që përpiqet të na dhurojë «qeveria e spektaklit». Përtej mekanizmit retorik, asgjë nuk pritet të ndryshojë në botën universitare, pas masave të tilla drastike. Do të ndryshojnë vetëm individët që do të pasurohen nga pazari me diplomat.