Fabian Zhilla
Sot nevoja për reformën në gjyqësor është intensifikuar në retorikën politike. Megjithatë, eksperienca ka treguar që shpesh iniciativat e menjëhershme për të reformuar sistemin e drejtësisë janë deformuar dhe reforma është shndërruar në një mjet për të instrumentalizuar gjyqësorin për qëllime politike. Dhe kjo ka bërë që çdo iniciativë pozitive në fund të përfundojë me disa ligje difektoze apo emërime politike në gjykatat e larta apo KLD. Me pak fjalë në fund të pseudo reformave apo iniciativave shoqëria zhgënjehet dhe me të drejtë lëshon psherëtimën e zakonshme se reformat e radhës janë thjesht “dokrra hini”. Në zhargonin popullor idioma “dokrrat e hinit” përdoret kryesisht për të treguar se ajo që thuhet është pa vlerë ose nuk do të ketë vlerë.
Së fundmi Presidenti i Republikës organizoi një tavolinë të rrumbullakët në lidhje me “Reformimin në sistemin gjyqësor”. Në këtë “kuvendim” morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar por dhe të opozitës. Edhe prezenca e ndërkombëtarëve ishte mjaft aktive. Megjithatë mesazhet e dhëna në këtë takim nga klasa politike nuk përbënin ndonjë lajm të veçantë. Notat e larta për korrupsionin në sistemin gjyqësor nga ndërkombëtarët gjithashtu nuk përbënin ndonjë gjë të padëgjuar. Mjafton të lexosh raportet e Këshillit të Evropës në dekadën e fundit, të cilave ju ngelet shpesh të huazojnë të njëjtat paragrafë me ndonjë perifrazim të lehtë, të kuptosh se flitet për të njëjtin problem.
Nga ana tjetër, as ky “kuvend” presidencial nuk është risi. Të njëjtin format kanë ndjekur edhe paraardhësit e presidentit Nishani, të cilët nuk e kanë pasur të lehtë të ulin bashkë pozitën dhe opozitën për reformën në sistemin e drejtësisë. Eksperienca të ngjashme me këtë “kuvend”presidencial kanë treguar se në përgjithësi nëse forcat politike nuk angazhohen sinqerisht për reformën në drejtësi, ndaj publiku fare mirë me cinizëm ta konsideroj këtë “kuvend”presidencial dokrrën e hinit të radhës.
Sidoqoftë, reformat në përgjithësi, që të ofrojnë garancitë ligjore dhe politike duhet të kenë dy kritere kryesore, e para vullnet politik dhe e dyta një metodologji pune e cila garanton standardet e procesit. Pyetja që ngrihet është a i plotëson ky “kuvend” presidencial këto dy kritere?
Për të qenë optimist për substancën, pasi forma nuk është risi, në pamje të parë, iniciativa Nishani për drejtësinë duket se i përmbush këto kritere dhe duhet inkurajuar.
Së pari, megjithëse Nishani paragjykohet nga pozita si një president jo neutral dhe jo në kredencialet politike për të qenë mbi palët, institucioni presidentit hodhi një hap pozitiv që forcat politike të bashkëpunojnë seriozisht për këtë reformë. Megjithëse me qasje të ndryshme për reformën, si Rama ashtu edhe Basha, përshëndetën iniciativën e presidentit. Të dy palët politike nënvizuan nevojën për reformë të menjëhershme. Nuk kishte asnjë kontestim politik në parim dhe më së shumti qasjet e Ramës dhe të Bashës ndryshonin në formë. Rama e shikon reformë si proces i dirigjuar nga ekzekutivi , ndërsa Basha e sheh si proces që duhet të vijë nga vetë sistemi gjyqësor. Nga ana tjetër, edhe ndërkombëtarët ishin shumë të drejtpërdrejtë dhe tonet e tyre ishin të zhveshura nga luku diplomatik dhe të drejtpërdrejta. Deri diku retorika e të gjithë aktorëve në këtë “kuvend” ishte e ngarkuar, fakt që të jep shpresë që palët tashmë po përveshin “mëngët” politike për një reformë në drejtësi.
Së dyti, dakortësia a palëve në transparencën e procesit u nënvizua nga presidenti si konkluzioni i parë dhe i rëndësishëm i takimit. Por ajo që është me rëndësishme në këtë konkluzioni është qasja. Nishani cilësoi se kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përfshijë një numër të gjerë aktorësh jashtë kufijve të kontrollit politik, pra të përfshiheshin edhe përfaqësues të shoqërisë civile, akademike, partnerë të misioneve ndërkombëtare të specializuar në reformat në gjyqësor etj. Sidoqoftë, kriteret e propozuara (transparent edhe gjithë përfshirës) nga institucioni i presidentit për reformën nuk do të ishin të mjaftueshme nëse ato nuk mbështeten në një metodologji shkencore e cila reflekton kriteret e qasjes së mësipërme (transparencën dhe gjithë përfshirjen). Dhe në këtë kontekst filtri politik duhet të marri më shumë karakter monitorues sesa dirigjues dhe përcaktues.
Sot ka iniciativa serioze nga shoqëria civile siç është ajo e ndërmarr nga Fondacioni Soros së fundmi, në lidhje me reformën kushtetuese. Metodologjia e ndjekur në këtë iniciativë përfshin sondazhe, fokus grupe dhe përgatitje dokumentesh teknike me të gjithë aktorët në sistemin e drejtësisë duke filluar që nga studentët e fakulteteve të drejtësisë, akademikë, ekspertë, gjyqtarët, prokuroret por dhe ish gjyqtarë dhe ish funksionar të lartë politik aktiv në reformat e mëparshme. Mbase do të ishte e udhës që një iniciativë e tillë apo të ngjashme në shoqërinë civile, të sinkronizohej me iniciativën e komisionit parlamentar të ngritur për këtë qëllim por dhe me këtë sugjerim të presidentit drejtuar Ministrit të Drejtësisë. Shpesh përfshirja e shoqërisë civile në proceset reformuese ka shërbyer më shumë si fasadë për të pastruar makijazhin e ngarkuar politik që kanë shoqëruar këto reforma. Dhe në rastin konkret janë të gjitha mundësitë që roli i shoqërisë civile të mos jetë kozmetik por thelbësor. Kjo do të ofronte disa garanci më shumë që reforma të funksiononte dhe të mos ishte dokrra e radhës e hinit.