Çelo Hoxha
Sikur gjykatësit shqiptarë të gjykoheshin nga një panel engjëjsh, dërgimi i tyre në Ferr – për ndëshkim – do t’i ngjante jetës në një kamp turistik. Perceptimi publik për punën e tyre është aq negativ, sa qendrat ndëshkimore që ata meritojnë nuk ekzistojnë as në realitet, as në mitologji. Megjithatë, sado e rëndë të jetë gjendja, reforma në drejtësi, për mendimin tim, vjen e dyta (ose më poshtë) në radhë. Rrënjët e të keqes shtrihen thellë e gjerë, jashtë territorit të sistemit të drejtësisë.
Pushteti gjyqësor në Shqipëri, sipas Kushtetutës, ushtrohet nga Gjykata e Lartë, gjykatat e apelit dhe gjykatat e shkallës së parë (neni 135/1). Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendi (neni 136/1). Me të njëjtën procedurë emërohet dhe kryetari i GJ. L. (neni 136/2). Emërimi nga Presidenti është formal. Emërimin faktik të gjykatësve të lartë dhe kryetarit të tyre e bën Kuvendi i Shqipërisë. Kuvendi mund të rrëzojë çdo kandidaturë të Presidentit, derisa ai të propozojë kanditaturën e pëlqyer nga deputetët. Figurativisht, Presidenti është çiraku që çon deshtë te kasapi, kurse kasapi zgjedh dhe pret atë që i pëlqen. Autoriteti i Presidnetit në këtë proces është nul.
Për emërimin e gjyqtarëve të apelit dhe shkallës së parë ekziston një hallkë e ndërmjetme, e përkufizuar në Kushtetutë, por e pa përfshirë në përkufizimin e pushtetit të drejtësisë, neni 135/1. Kjo hallkë quhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD), dhe përbërjen e ka një sallatë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët i zgjedh Konferenca Gjyqësore Kombëtare (neni 147/1).
Në bazë të numrave, Konferenca Gjyqësore i takon të jetë organi që ka më shumë ndikim në KLD. Presidenti është relikt, në karrigen e kryetarit, kurse ministri i Drejtësisë është futur pykë, duke i shkaktuar ministrisë konflikt interesi me punën e saj. Ministria “kryen inspektime dhe bën procedimin disiplinor të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit sipas ligjit.”
Një hallkë e sistemit të drejtësisë është Prokuroria, e cila ngre akuzat në emër të shtetit. Ajo është organi centralizuar dhe rëndësi ka (në këtë diskutim) vetëm Prokurori i Përgjithshëm. Ai emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Për arsye që thamë më lartë, Prokurorin e Përgjithshëm e emëron Kuvendi.
Përderisa gjithë pushteti gjyqësor buron nga Kuvendi dhe, atëherë e keqja duhet kërkuar aty dhe përtej tij. Kur një lumë sjell vetëm ujë të helmuar, atëherë e keqja është te burimi e në thellësitë e tij.
Kuvendi, nga ana e tij, nuk është institucion i pavarur, ose mund të jetë formalisht, por fuqia e tij reale buron nga partitë politike. Pra, në Kuvend (burimi i pushteteve) del në sipërfaqe uji që grumbullon (nëntokë) politika. Dhe kjo ka kuptim, kur gjykon realitetin shqiptar. Politikanët shqiptarë akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje vote, për vjedhje parash, për abuzime të llojllojshme, dhe ky moral i kalbur është përcjellë, përmes Kuvendit, edhe në sistemin e drejtësisë apo fusha të tjera.
Le të shikojmë dhe realitetin, pas teorisë. Vitin e kaluar në Shqipëri pati një ndërrim pushteti. Ky ndryshim do të legjitimonte, moralisht, dhe një sulm të ashpër ndaj sistemit gjyqësor. Përveçse nga pushteti, e drejta morale e politikës për ndryshime buron dhe nga sjellja e saj në raport me të mirën dhe të keqen.
Dihet që korrupsioni është një gjë e keqe. Partia më e madhe në Kuvend (PS) e ka kënduar këtë refren gjatë gjithë kohës në opozitë. Mirëpo, pak para zgjedhjeve, ajo bëri koalicion me një parti (LSI) të cilën e konsideronte të korruptuar dhe kryetarin e saj e sulmonte vazhdimisht si të tillë. Kjo tregoi që PS ishte e gatshme që të bënte koalicion me “korrupsionin” për hir të pushtetit. Kjo deligjitimon të drejtën e saj për bërë reforma puritane në drejtësi.
Në grupin parlamentar të mazhornacë ka aktualisht persona të dënuar me vendim gjykate, shqiptare ose jo, për krime të rënda. Faktet janë bërë publike, mazhoranca nuk ka reaguar. Kjo krijon një paradoks: njerëzit me precedentë penalë nuk lejohet të punësohen në administratë, kurse në Kuvend po. As Kushtetuta nuk e ka parashikuar një realitet të tillë, pra të parandalojë hyrjen në Kuvend të vrasësve, trafikantëve apo autorëve të krimeve të tjera të dënuar me vendim gjykate. Këto janë raste të rënda, por marrëdhënia e politikanëve me ligjin është kriminale në nivele vulgare. Çdo të enjte që ka seancë parlamentare, deputetët parkojnë në mënyrë të paligjshme, gjithë arrogancë, makinat e tyre luksoze, duke shkaktuar një kaos të vërtetë përballë Kuvendit.
Me pak fjalë, gjithë të këqijat në institucionet shqiptare burojnë nga politika dhe minimizimi i tyre mund të bëhet duke i nxjerrë disa institucione jashtë kthetrave të saj. Kjo kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Presidenti nuk duhet të jetë kukull në duart e Kuvendit, por të zgjidhet drejtpërsëdrejti nga populli. Kështu ai bëhet realisht i pavarur nga partitë, si e përcakton Kushtetuta në nenin 89. Duke ia hequr Kuvendit të drejtën e dhënies “së pëlqimit” për emërimet e Presidentit, emërimet e tij do të marrin fuqi. Përballë një Presidenti fuqia e të cilit buron nga populli dhe jo Kuvendi (i kontrolluar nga kryeministri), kryeministri do të mendohej mirë në propozimet e tij për ambasadorë apo kryetarin e shërbimit informativ. Nga ana tjetër, Presidentit, i cili do të ketë nën varësi gjyqësorin, mund t’i hiqet e drejta të emërojë prokurorin, e cila mund t’i shkojë ose kryeministrit, ose mund t’i lihet Kuvendit, ose, dhe kjo ishte më e mira, të gjendej një mundësi që Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhej me votim në popull. Kjo do ta bënte atë të fuqishëm në nivel të përballej me politikën.
Mund të ketë dhe zgjidhje të tjera, jam i bindur që Shqipërisë nuk i mungojnë specialistët për hartimin e një reforme cilësore. Ajo që unë doja të thoja mund të mblidhet dhe në një fjali: meqenëse burimi i krizës morale të institucioneve shqiptare rrjedh nga politika, atëherë zgjidhja është pakësimi i institucioneve në varësi direkte prej saj.
E keqja është se pikërisht këtë reformë duhet ta ndërmarrë politika.