Përshkrimet e Marksit mbi jetën e vështirë të punëtorëve në Angli janë shumë pranë të vërtetës. Pranë të vërtetës kanë qenë edhe përshkrimet e themeluesit të inkuizicionit Tomás de Torquemada mbi gjendjen e krishtërimit, i cili ngriti një mekanizëm, ulërimat e dhimbjes të cilat jehojnë edhe sot. Kështu ka ndodhur edhe me ata që ideuan dhe realizuan revolucionin jakobin në Francë apo me Leninin para se të përmbysej cari. Disa të vërteta janë thënë edhe nga Mao Ce Duni, Fidel Kastro, Che Guevara, Koçi Xoxe etj. etj. Fakti që thuhet e vërteta nuk tregon domosdo se nuk kemi të bëjmë me mashtrim. Një gënjeshtar që përmend të vërteta me qëllimin për të mashtruar është provuar gjatë gjithë historisë se është një fuqi shkatërruese.
Shqipëria vuan nga shumëçka, ndër to shkëlqen me mizerjen e saj drejtësia. Shumica në qeveri ka nisur, që prej një viti, një betejë ekranesh, fjalësh e metaforash për të reformuar drejtësinë. Peshën më të madhe e ka mbajtur ministri drejtësisë, por kryeministri, në mjaft raste, nuk ka mënuar të përdorë metafora më banale dhe më të forta. Në këtë zabullimë gjykatat dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përpjekje për të treguar se janë brenda detyrës së tyre, kanë folur për sulme politike, por nuk kanë dëshmuar në asnjë rast se janë në anën e të drejtës. Gjithkush e ka të qartë se gjyqtarët, prokurorët, pushteti gjyqësor dhe në tërësi sistemi i drejtësisë është në një gjendje aq të errët sa do të duhej heroizëm i rrallë për të gjetur momente apo raste ku e drejta dhe ligji janë e drejta dhe ligji.Është pikërisht kjo gjendje e shëmtuar, që e ka bërë dëshpërimisht të nevojshme reformën në këtë degë kaq jetike të pushtetit. Pikërisht këtë të vërtetë po përdor shumica në qeveri për të mashtruar.
Drejtësia është një ideal të cilit shoqëria njerëzore i qaset duke ndërtuar një shtet të sundimit të ligjit. Që herët, në Greqinë e vjetër sundimi i ligjit nënkuptonte më së pari mosvënien e askujt mbi ligjin. Aristoteli duke kundërshtuar Platonin mbi filozofin mbret që duhet të ishte mbi ligjin, ishte ndër zërat më me ndikim atëbotë, por edhe mbi të gjithë qytetërimin që u ngrit më pas me idenë e tij për ligjin si autoritet suprem. Edhe në Romën e vjetër u qeveris mbi këtë parim. Madje të qenit shërbëtor i ligjit shihej si mjeti i vetëm për të qenë i lirë. Në Kinën e vjetër jetuan bashkë dy ide: konfucianzmi që mbronte idenë e ligjit si qeveritari më i lartë dhe legalizmi që i jepte imunitet mbretit dhe aristokracisë, domethënë e vinte mbi ligjin. Qytetërimi islam njihte qartë, që në shekullin e shtatë, ligjin si autoritet suprem dhe ndaj tij nuk kishte imunitet as Kalifi. Ishte kryepeshkopi i kanterbury-t në Angli ai që udhëhoqi betejën për mosqenien e mbretit mbi ligjin. Pak më vonë me miratimin e Magna Carta dhe Habeas Corpus e bënë realitet përpjekjen e kryepeshkopit. Më tej e gjithë historia vijon në këtë drejtim me përjashtim të totalitarizmave si komunizmi apo nazizmi.
Shqipëria, ndonëse 24 vjet nga rënia e komunizmit, një totalitarizmi kriminal, nuk po mundet të ndërtojë një shoqëri dhe një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin. Gjithë përpjekja për reformim në drejtësi ka tipar të sajin të pandashëm faktin se disa janë mbi ligjin, pasi reformimi i drejtësisë nuk kërkohet nëpërmjet mjeteve të drejtave dhe rrugës së duhur. Në doktrinën e së drejtës që gjendet e tretur në dokumentat e OKB-së dhe kartat ndërkombëtare thuhet se sundimi nënkupton: 1) qeveritarët dhe zyrtarët e lartë, ashtu si dhe qytetarët, japin llogari para ligjit, 2) miratimin e ligjieve të qarta, publikimin, zbatimin e tyre dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut përfshirë sigurinë dhe pronën etj, 3) procesi i miratimit të ligjeve duhet të jetë transparent, i ndershëm, demokratik dhe ku të gjithë grupet e interesit të kenë zërin e tyre në diskutime, dhe 4) dhënia e drejtësië në kohë si dhe emerimi i gjyqtarëve kompetentë, të moralshëm dhe të pavarur.
Tani të shohim pak se si qeveria e sheh sundimin e ligjit. Pasi ka luftuar ekraneve dhe sallave para mikrofonëve, qeveria ndryshoi ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë duke i marrë këtij këshilli disa kompetenca dhe duke e ekspozuar atë ndaj ndërhyrjeve të parlamentit. Pas këtyre ndryshimeve ajo ngriti një komision hetimor për shkakrkimin e dy anëtarëve të Këshillit. Presidenti, si kryetar i KLD-së, i kundërshtoi ndryshimet dhe ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese. Qeveria me shumicën e saj parlamentare vendos ti shkarkojë dy anëtarët pa pritur vendimin e gjykatës kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e ndryshimeve të ligjit, ndryshime që bëjnë të mundur shkarkimin.
Ndërkohë qeveria në sy të të gjithëve emëron njerëz të cilët dyshohen se kanë probleme me drejtësinë, prish ndërtesa dhe nxjerr njerëz në rrugë duke zbatuar në disa raste vendime gjykatash ndërkohë në rastin e godinës së partisë socialdemokrate të z Gjinushi nuk e zbaton vendimin e gjykatës për t’ia kthyer pronën pronarit. Kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, një nga iniciatorët e shkarkimit të anëtarëve të KLD-së, flet për gjyqtarë banditë, për president që duhet të japë llogari, për krime monstruoze që janë kryer mandatin e kaluar (partia e tij ka qenë në qeveri edhe mandatin e kaluar). Më herët ai u kap duke hyrë paligjshmërisht në serverat e tatimeve dhe shumica nuk lejoi hetimin parlamentar të tij dhe ngjarjes. Kjo sa i takon pikës së parë të nevojshme për një vend ku sundon ligji.
Është e kotë të flasësh se si e kupton shumica dhe qeveria këtë pikën e dytë, por po japim një shembull. Kur gjykata kushtetuese vendosi të rrëzojë aktin normativ për statusin e nëpunësit qeveria e publikoi atë reth 25 ditë pasi vendimi u zbardh. Ndërkohë që qeveria e publikoi aktin e saj normativ disa orë pasi ai u miratua në 30 tetor të vitit që shkoi. Vetë deputetët shprehen se nuk i kuptojnë shumë ligje ose shumë ligje janë të paqarta. Nuk po flasim për jetën dhe pronën dhe për mënyrën se si qeveria i trajton ato. Ndërsa sa i takon procesit të miratimit të ligjieve duhet thënë se jemi një vend spektakolar. Qeveria miratoi një amnisti vitin që shkoi. Kur u botua ligji në fletoren zyrtare u pa që amnistohej edhe blerja e votave e cila nuk ishte miratuar nga parlamenti. Me anë të këtij ligji u mbyll hetimi për blerje votash në bashkinë e Korçës. PD kundërshtoi me forcë dhe PS tha se do ta rikthente ligjin, gjë që nuk ndodhi. Pra ka hyrë në fuqi një ligj i pamiratuar nga parlamenti.
Pika e katërt ajo që ka të bëjë me dhënien e drejtësisë në kohë nga gjyqtarë kompetentë, të moralshëm dhe të pavarur është fushëbeteja e qeverisë. Gjendja në këtë pikë është e lemerishme, por fakti që shumica kërkon të reformojë drejtësinë vetëm në këtë pikë tregon se ajo që gjyqtarët këta që janë ose si këta që janë por të sajët. Në këtë mënyrë e nisi reformën në drejtësi edhe qeveria Berisha 9 vite më parë dhe gjendja që shohim është pasojë e reformës së tij. Ajo kërkoi të ndryshojë KLD-në, të marrë në dorë emërimin e gjyqtarëve. Këtë rol tashmë e ka marrë shumica e re. Ajo nuk ka nevojë as për shembull. Shembulli jeton kahmot me ata vetë.