Media në gjithë botën e raportoi gjerësisht deklaratën e Papa Françeskut se liria e fjalës duhet të ketë kufij, sidomos kur ajo fyen ose vë në lojë besimin fetar.
Shumë nga mediet theksojnë një imazh të shumëngjyrshëm të përdorur nga Papa – kur thotë se ishte e natyrshme për dikë, të cilin dikush e shan nga nëna, që të kërkojë ta grushtojnë personin që e shau.
Më poshtë është një përmbledhje e reagimi të medieve botërore, mbledhur nga BBC.
Europë
E përditshmja spanjolle El Pais thotë në faqen e parë: “Papa: ‘Nëse më shan nga nëna, duhet të presësh një grusht’.”
Bergamo Post e Italisë thotë që Papa deklaron se ai është i justifikuar të qëllojë dikë me grusht, i cili e shan nga nëna, [kjo] është një përgjigje “krejtësisht normale”. Lapsuse të tilla mund t’i ndodhin “një pape që e di se nuk duhet të qëllojë njeri”, thotë gazeta.
Në një artikull për të përditshmen italiane Corriere della Sera, komentatori Luigi Accattoli thotë se Papa ka lëshuar “një nga ato deklaratat e tij me synimin të ketë maksimumin e ndikimit”, që është “nëse shan besimin e të tjerëve… duhet të presësh një grusht.” Ai shton se komentet e Papës në lidhje me lirinë e fjalës të kujtojnë fjalët e paraardhësit të tij, Papa Benediktit, më 2006, ndaj botimit të karikaturave daneze që vinin në lojë profetin Muhamet.
Komentatori Franca Giansoldati shkruan në të përditshmen italiane, Il Messagero, se gjuha e Papës “po merr gjithnjë e më shumë ngjyrime dhe po bëhet më direkte.”
Jan-Christoph Kitzler, korrespondent në Romë i televizioni gjerman shtetëror, thotë se është “një shembull jo i zakonshëm për t’u marrë nga një Papë.” Gazeta e Hamburgut Die Zeit i quajti fjalët papës si “e folur e drejtpërdrejtë”.
Amerika Latine
Kjo ngjarje zë një vend të dukshëm edhe në faqet e para të të përditshmeve të Argjentinës, Nacion, Clarin dhe Tiempo. La Nacion thotë që Papa “ngjalli kundërshtime kur tha se, nëse dikush më shan nga nëna, atëherë ai duhet të presë grushtin.”
E përditshmja braziliane, Folha de Sao Paolo, është më agresive. “Francisko, pse nuk e qep gojën” këlthet titulli kryesor i faqes së parë. Komentatori Reinaldo Azevedo e krahason Papën “e politizuar” me një prift fshati dhe thotë se deklarata e tij për lirinë e shprehjes ishte “e pasaktë dhe frikacake”.
Por e përditshmja meksikane, El Universal, e përcjell opinionin e papës duke thënë: “Nuk mund të fyeni fenë e tjetrit pa shkaktuar zemërim.”
Lindja e Mesme
Gazeta algjeriane Echourouk El Youmi thotë: “Papa Françesku ka thënë se liria e shprehjes është një e drejtë themelore, por kjo nuk do të thotë që të fyejmë fenë e të tjerëve.”
E përditshmja saudite pan-arabe Al-Sharq Al-Aswat lëshon një paralajmërim për Kishën Katolike. Ajo thotë se ndërsa sulmet e tanishme ekstremiste janë pritur me habi, “Kisha duhet të kujtojë luftërat fetare që ne kemi parë” përgjatë historisë. Portali Libyan Al-Tadamun News Agency i përcjell komentet e Papës duke thënë se “vrasja në emër të Zotit është absurde.”
Pakistan
E përditshmja pakistaneze The Frontier Post thotë se deklarata e Papës u bë në “kohën e duhur”. Ajo i bën thirrje Papës të hedhë “një hap më tej” dhe t’i bëjë thirrje OKB të krijojë ligje ndërkombëtare që respektojnë të gjitha fetë dhe besimet. “Bravo Papë Françesku për marrjen e iniciativës.”