Shpesh-herë gjëja e parë që duhet bërë është ripohimi i asaj që duket. Kjo bëhet e nevojshme teksa gjuha kalbëzohet paprerë në përpjekje për ti dhënë kuptim tjetër të vërtetës. “I hapim rrugë hetimit, nuk mund të imagjinohet pengimi i hetimit”, “As në shtëpinë e oficerëve nuk veprohet kështu, të marrë fund kjo gjë”, “me qetësi me dashuri”, “synohet destabilizimi i institucioneve”, “mbrojmë interesin e qytetarëve”, “telenovela do marrë fund”, etj. etj, janë disa nga klishetë që dëgjohen rëndom në kuvend apo para telekamerave në lidhje me çështjen e deputetëve Doshi e Frroku. Klishetë janë mjeti tipik i manipulimit (përdorur gjerësisht në totalitarizmat komuniste apo nazsiste) pasi ato shkëpusin kontaktin e menjëhershëm me realitetin dhe përpiqen të ndërtojnë një tjetër. Në të vërtetë çfarëdo përpjekjeje në rastin tonë do të ishte si të vendosje një lokomotivë me motorr lodër për të tërhequr vagonët.
Gjithë kjo ndodhi ka nxjerrë në pah natyrën e qeverisë, të shtetit dhe të politikanëve që kemi. Për ta bërë më të qartë gjithë këtë të vërtetë do ta shohim atë përmes një prej tezave më të pranuara dhe më dominuese të shkencave politike sot në lidhje me pafuqinë e shumë shteve dhe shoqërive për të qenë demokratike.
Douglass North, fitues i çmimit Nobel, dhe John Wallis professor i universitetit të Maryland-it, të cilëve më vonë iu është bashkangjitur edhe Barry Weingast i univesitetit të Stanfordit nisen nga premisa se shqetësimi më i madh i shtetit dhe i shoqërisë, që prej fillimit, ka qenë çështja e administrimit të dhunës dhe e organizmit shoqëror. Pas shoqërisë primitive kanë qenë dy llojet e qasjeve të shtetit ndaj dhunës dhe organizmit shoqëror.
Rendi shoqëror me akses të kufizuar e zgjidh çështjen e dhunës duke krijuar renta. Ky shtet iu shpërndan privilegje njerëzve të fuqishëm ose grupeve të fuqishme. Këta njerëz ose këto grupe marrin monopole në tregti, në biznes, në sistemin bankar etj. Logjika qendrore e e këtij lloj shteti thonë North dhe Wallis është kjo: duke qenë se të luftuarit ul fitimet nga rentat dhe privilegjet atëherë iu shpërndahen privilegjeve njerëzve apo grupeve me pushtet, që kanë akses tek dhuna, gjë që iu jep atyre stimul të mos luftojnë, por të bashkëpunojnë. Kjo krijon një balancë mes pushtetit dhe privilegjit. Në momentin që kjo balancë prishet, domethënë dikush ka më shumë pushtet se sa privilegje ose anasjelltas, atëherë nis lufta, deri në rivendosjen e balancës.
Quhet rendi social me akses të kufizuar për shkak të hierarkisë që ndërtohet dhe për shkak të pamundësisë për të hyrë në biznes, në administratë, në gjyqësor e kudo, pa qenë pjesë e këtyre grupeve, njerëzve apo organizimeve që kanë pushtet. Tipari kryesor i këtij shteti është marrëdhënia plotësisht personale e cila garanton shkëmbimet , ndërveprimet dhe iu jep zgjidhje çështjeve. Këto shtete nuk kanë asnjë mundësi t’iu japin të mira grupeve të gjera shoqërore apo edhe njerëzve të tjerë përtej marrëdhneies personale. Shtete të tilla sot kemi në Afrikën Subsahariane, në Amerikën Latine, në Azi.
Rasti i akuzave të deputetit Tom Doshi zbuloi plotësisht se vendi ynë është një tip i tillë shteti. Që prej gushtit të kaluar kur deputeti kishte njoftuar prokurorin e përgjithshëm, kryeministrin, ministrin e brendshëm, kreun e kuvendit etj, për rreth gjashtë muaj gjithkush veproi vetëm në bazë të marrëdhënieve personale. Askush nuk u soll institucionalisht, askush nuk u udhëhoq nga ligji. Shkalla e marrëdhënies personale ishte në përmasa të frikshme. Prokurori i përgjithshëm ka darkuar me deputetin Doshi dhe nuk ka vepruar sipas ligjit. Kryeministri e ka pritur në zyrë, e ka takuar në vilë qeveritare dhe i ka thënë: shko tek ministri Tahiri. Ministri Tahiri e ka pritur së bashku me të akuzuarin prerj Doshit si ekzetues i mundshëm dhe nuk ka vepruar siaps ligjit. Kreu i kuvendit ka biseduar me Doshin, ka takuar vëllanë e deputetit Fufi, ka biseduar me kryeministrin, ministrin e brendshëm dhe me të tjerë vetëm mbi baza personale. Të gjithë janë sjelljë si njerëz dhe grupe pushteti me akses tek dhuna, njerëz që gëzojnë privilegje, që marrin renta, por që nuk janë krerë institucionesh dhe nuk drejtohen nga ligji.
Edhe me parë dihej nga të gjithë që qeveria (jo vetëm kjo e sotmja) shpërndan privilegje tek njerëz apo grupe me pushtet, që kanë akses tek dhuna. Dihej që ka monopole në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë që zotërohen nga njerëz apo grupe të fuqishme. Dihej që është e pamundur të kesh akses në biznes në qoftë se nuk zotëron fuqi, nuk mund të futesh në punë në administratë në qoftë se nuk merr pëlqimin nga një njeri apo një organizmim i fuqishëm. Dihej edhe marrëdhënia personale e shtetarëve dhe njerëzve të fuqishëm, por një shkallë kaq e lartë e gjithë këtij degradimi u zbulua nga rasti Doshi.
Zyrat e shtetit në Shqipëri janë të mbushura me njerëz të tillë, parlamenti gjithashtu. Të tjerë njerëz të fuqishëm me akses tek dhuna janë biznesmenë dhe partnerë të funksionarëve të lartë shtetërorë. Ka shumë mundësi që e gjithë kjo betejë, gjithë këto akuza, gjithë kjo përpjekje për vrasje apo sajim vrasjeje të kenë ardhur si shkak i prishjes së balancës mes pushtetit dhe privilegjeve që kanë patur Doshi, Frroku, Meta, Tahiri, Rama, Llalla dhe njerëz apo grupe të tjera të biznesit dhe politikës.
Kështu veprohet në një shtet të rendit shoqëror me akses të kufizuar. Ndërkohë, nga ana tjetër shteti demokratik është ai që sipas Douglas North dhe John Wallis ndërton atë që quhet rend shoqëror me akses të hapur. Ky lloj rendi funksion në marrëdhënie jo personale, çështja e dhunës nuk zgjidhet duke ndarë privilegje dhe duke krijuar renta. Në këtë rend social të gjithë kanë akses në biznes, në administratë, është i mundur mobiliteti social dhe kërkimi i të drejtës. Në këtë këndvështrim ngjarjet e fundit thjesht dëshmojnë këtë gjendje krejtësisht parademokratike, ripohimi të cilës gjithsesi bëhet domosdoshmëri përballë një maskarade që kërkon ti japë asaj emër