CIA ka keqinformuar Shtëpinë e Bardhë dhe publikun në lidhje me torturat ndaj të burgosurve prej saj pas sulmeve të 11 shtatorit dhe ka vepruar në mënyrë më brutale seç ka pranuar, tha një raport i senatit të SHBA të martën, duke nxitur kërkesa për ndëshkimin e zyrtarëve amerikanë.
Këqyrja 5-vjeçare e 6.3 milionë dokumenteve të CIA-s nga Komisioni i Senatit për Inteligjencën çoi në përfundimi se agjencia e inteligjencës nuk arriti të parandalonte qoftë edhe një plan të vetëm (të kriminelëve), pavarësisht se torturoi anëtarë të al Kaedas dhe të arrestuar të tjerë në ndërtesa sekrete në vende të ndryshme të botës në periudhën 2002-2006, kur president ishte George W. Bush.
Programi hetimor i CIA-s ishte përgatitur nga dy agjenci të kontraktuara për të nxjerrë informacion nga të dyshuarit pas sulmeve të 11 shtatorit 2011. Hetimet u zhvilluan në vende që përfshijnë Afganistanin, Poloninë dhe Rumaninë.
Disa nga të arrestuarit janë lënë pa gjumë deri në 180 orë, herë-herë me duart lidhur prapa kokës, dhe raporti ka gjetur raste të mbytjes së stimuluar dhe abuzimi seksual.
Raporti e përshkroi një burg të CIA-s, pa e identifikuar vendodhjen e tij, si “tunel” ku të burgosurit mbaheshin në errësirë të plotë dhe të prangosur në qeli të izoluara, ku bombardoheshin me zhurmë të lartë dhe u jepej vetëm një kovë për jashtëqitje.
Kryetarja e komisionit, Dianne Feinstein, duk folur në senat me rastin e publikimi të raportit, tha se teknikat në disa raste mund të vlerësoheshin si torturë dhe se “veprimet e CIA-s një dekadë më parë janë një njollë për vlerat tona dhe historinë tonë.”
Reporteri special i OKB-së për të drejtat e njeriut dhe kundërterrorizmin, Ben Emmerson, tha se raporti zbuloi “një politikë të qartë të orkestruar në nivel të lartë në administratën e Bushit” dhe bëri thirrje për ndëshkimin e zyrtarëve amerikanë.
Edhe mbrojtësit e të drejtave civile bënë thirrje për dhënie llogarie.
“Po qe se ky proces i madh i thënies së të vërtetës nuk çon në ndëshkimin e zyrtarëve përgjegjës, tortura do të mbetet një “mundësi të përdoret nga presidentët e ardhshëm,” tha Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch në Nju Jork.
CIA i hodhi poshtë konkluzionet, duke thënë se hetimet e saj siguruan informacion të çmuar. Shumë republikanë e kritikuan vendimin e ligjvënësve demokratë për të publikuar raportin, i cili u përgatit nga shumica demokrate e komisionit, me pretendimin se kjo do të rrezikonte amerikanët.
Sipas raportit, teknikat e përdorura ishin “shumë më brutale” se sa CIA kishte deklaruar për publikun ose politikanët. Para publikimit të raportit, SHBA shtoi sigurinë në mjediset e saj ushtarake dhe diplomatike jashtë vendit.
Raporti thotë se CIA-s ishte përpjekur ta justifikonte përdorimin e torturës duke dhënë shembuj asaj që ata e quajnë “parandalim” i akteve terroriste, por “dëshmitë ishin të pasakta dhe kontradiktore bazuar në vetë dokumentet e CIA-s.”
NDËSHKIMI PENAL JO FORT MUNDSHËM
Pavarësisht thirrjeve për dhënie llogarie, shenjat për ndëshkime penale ndaj atyre që kanë zbatuar programin, ose marrje masash ndaj politikanëve që autorizuan atë, janë fare të pakta.
Një zyrtar tha se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (Ministria e Drejtësisë) nuk kishte plane për hetim të veprimeve të CIA-s.
Zyrtarë të shërbimeve inteligjente thanë se në një periudhë, Departamenti i Drejtësisë bëri një hetim penal për rreth 20 raste të dyshuara për abuzimin të CIA-s me të burgosurit. Megjithatë, hetimi u mbyll pa akuzuar ndokënd.
Presidenti Barak Obama dha shenjë se ishte më i interesuar për t’u përqendruar drejt së ardhmes sesa të rihapte një periudhë të errët nga shkuara e afërt e vendit.
Kur ishin në detyrë, zëvendëspresidenti Dick Cheney dhe zyrtarë të tjerë të administratës së Bushit thanë se programi i “hetimit të ashpër” ishte i justifikuar prej rezultateve, parandalimi i planeve dhe kapja e terroristëve.
Bush-i u dha fund shumë aspekteve të programit të “hetimit të ashpër” pa u larguar ende nga detyra, ndërsa Obama i ndaloi ngadalë “teknikat e hetimit të zgjeruar” pas përurimit të tij në 2009.
INTELIGJENCË E GABUAR
Raporti tha se dokumentet e CIA-s tregojnë se 7 nga 39 të burgosurit e CIA-s që iu nënshtruan hetimit të ashpër nuk prodhuan asnjë lloj informacioni në burgjet e CIA-s. Të tjerë rrëfenin histori të sajuara, “duke çuar në inteligjencë të gabuar”.
Sipas raportit, CIA-a ka dështuar në përdorimin e personelit të trajnuar mjaftueshëm. Dy psikologët e kontraktuar për ndërtimin e programit dhe ta drejtonin atë nuk kishin eksperiencë në hetime ose njohje të specializuar për al-Kaedan.
Raporti e akuzon CIA-n se ka dështuar të informojë presidentin Bush në lidhje me teknikat e hetimit.
Hetuesit e senatit thonë se Bush-i nuk ishte informuar plotësisht për programin deri në vitin 2006, afërsisht në kohën që ai e mbylli. Në kujtimet e tij Bush-i shkruan se ishte informuar për programin.
Senatori republikan John McCain, i cili u torturua si rob lufte në Vietnam në vitet 60, tha se amerikanët meritonin të njihnin të vërtetën në lidhje me programin dhe zbulimin se metoda të tilla ishte pa dobi.