Kryeministri i Shtëpisë Re-Publike të Shqipërisë Sir Edi Rama në një prononcim për portalin ndërpalentar Foxy Black Hole News, tha se Donald Trump është një shpresë e madhe për Amerikën dhe se ai do të sjellë transformime të mëdha, të paimagjinueshme. «Me zgjedhjen e z. Trump për president, SHBA-të nënshkruan themelimin e një epoke të re historike, fillimin e një rilindjeje të madhe që do t’i ndërrojë faqen globit. SHBA, po rilind!» – u shpreh Rama në fjalën e tij.
Kryeministri foli gjithashtu për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësinë e fortë që ai personalisht ka me presidentin e sapozgjedhur. Sipas tij, kjo është një miqësi e sinqertë, e ndërtuar mbi bazën e një mirkuptimi të plotë për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve dhe fitorja e tij është një ogur i mirë për të ardhmen. Ai thotë se është frymëzuar shumë nga kjo fitore edhe si artist, dhe se ka filluar të punojë disa piktura me portrete të Trump-it, me të cilat do të çelë së shpejti një ekspozitë në New York. «Si Kryeministër i Shqipërisë, kam eskperimentuar të sjell artin në politikë, – thotë Rama, – dhe do ta çoj atë edhe në SHBA. Amerika ka nevojë për një dimension të fortë estetik në lidershipin e saj dhe Trump, e ofron këtë edhe me pamjen e tij. Ai është shumë tërheqës për objektivët e fotografëve, por mund të jetë i tillë edhe për penelin e piktorit».
Rama nuk ngurroi gjithashtu të dënojë të gjitha ato media e portale, që përfshijnë mbi 80 përqind të shtypit «të kazanit amerikan», të cilat për muaj me rradhë hodhën baltë mbi figurën e tij, duke u munduar të rreshtohen në anën e penguesve të ndryshimit të shumëpritur:
“Pjesa dërrmuese e mediave dhe analistëve, janë kthyer në një parti politike, e cila as votohet dhe as i jep llogari kujt. Një parti allasoj, ku të gjithë bashkë e kanë braktisur detyrën e informimit të publikut. Një rrjet veprimtarësh që prodhon tituj abuzues, editoriale diskreditues, raportime shantazhuese, dokumente false, histori të sajuara, fotomontazh i gjithfarësoj… çfarë të mundet. Në një përpjekje si të tërbuar për të pasur sa më shumë vëmendje, pa asnjë qetësi profesionale në gjykim, pa asnjë arsyetim të thelluar në argumentim dhe pa asnjë ndjeshmëri njerëzore dhe qytetare në qëndrimin e vet.”
I pyetur nga gazetari sesi ka mundësi që ai kish ndryshuar mendim totalisht, Rama tha se kjo është një pyetje kazanxhinjsh të cilës nuk ia vlen t’i përgjigjesh. Sipas tij, ai e ka pohuar disa herë, por mediat e kazanit dhe Barrakës Obama-Clinton, nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë. «Unë nuk jam shprehur kundër presidentit Trump, por kundër kandidatit për president Donald Trump, gjë që e kanë bërë shumë kolegë të mij në të gjithë mediat botërore. Po nuk është faji jonë se gazetarët injorantë, nuk marrin vesh nga arti dhe as nga politika si shprehje më e lartë e veprimit estetik.»
Rama potencoi se kjo lloj gazetarie nuk ka aftësinë ti dallojë gjërat dhe ashtu siç nuk bën dot dallimin midis plehrave dhe mbetjeve, nuk arrin të bëjë as dallimin midis qendrimit për një kadidat për president, me atë për një president tashmë të zgjedhur. Qëllimi i tyre, sipas tij, është të prishin miqësinë e tij me presidentin amerikan, dhe për këtë janë gati të sajojnë e fantazojnë gjithfarë gënjeshtrash. Por, sipas tij, kjo epokë ka marrë fund. Një epokë e re po vjen dhe rilindja e e Trump, do të bëjë që kakarisjet e këtij koteci të mbeten një emblemë satirike e së shkuarës së pariciklueshme.
Rama ka sulmuar gjithashtu edhe protestuesit demokratë gjatë këtyre ditëve në disa qytete amerikane kundër fitores së Trump. Ai i ka konsideruar protestuesit «një tufë të verbërish të cilët shajnë në hava, pa ditur për çfarë e pse, të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabël”. Sipas tij këto protesta janë: «Një shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila, ashtu si PD-ja e Saliut, përpëlitet sot mes baltës së mendjeve të errëta të shtëpisë pa ngjyra (e ka fjalën për shtëpinë e Bardhë), ku babagjyshi me ngjyrë (Obama) nuk pranon dot faktin se duhet të dorëzojë çelësat, për të lejuar një banor të ri, që do t’i ktheje ngjyrat dhe sharmin kësaj ndërtese.”
Rama madje u shpreh se i është vetofruar stafit të Trump, për të sjellë në SHBA përvojën më të mirë të Shqipërisë, me një projekt restaurimi për Shtëpinë e Bardhë. Në hyrje të saj, ai ka menduar një platformë ku projektohen lojra dritash e neonësh, të cilat reflektohen në një fasadë multicolor, ku përthyhen thuajse të gjithë frekuencat e dritës, e cila do të simbolizojë të gjithë larminë e racave dhe etnive që bashkëjetojnë në paqe në këtë vend. Një kërpudhë e stërmadhe do të bëjë hije në oborrin e saj, e cila mund të shërbejë edhe si strehë për konferenca të ndryshme në natyre, apo si stage, për koncerte të ndryshme që Shtëpia e Bardhë (e cila nuk do të jetë më e bardhë) do të ofrojë falas për popullin amerikan. “Duhet që populli ta ndjejë më pranë qeverisjen, ndaj dhe do të jetë e nevojshme që kjo rezidencë të jetë e hapur për qytetarët”, – u shpreh Rama.