Takimi i Ramës me Kryeministrin serb Vuçiç në Beograd u duk si vazhdim i pjesës së dytë të ndeshjes së lënë përgjysëm. Më shumë se takim, ishte një demonstrim absurd i nevojës së të dyja palëve për të demonstruar gangsterrllëk etnik. Paradoksi është se kemi të bëjmë me një vizitë diplomatike ku më shumë u fol për futboll sesa për axhendë politike apo projekte, ashtu siç një muaj më parë, në stadiumin e atij qyteti, më shumë u shfaq politikë se u luajt fuboll.
Tension, debate të kota, retorikë boshe… ku, teksa të dyja palët ngulin këmbë se kanë vullnet të plotë për të pasur marrëdhënie të mira, ndërkohë tringëllijnë shpatat në një ndeshje ku as nuk luftojnë e as nuk tërhiqen. Ndryshe nga ajo në stadium, kjo ndeshje nuk u luajt për asnjë kompeticion dhe, në fakt, palët në fushë nuk luajtën fare. Ishte thjesht një ndeshje e sajuar, një miqësore e stisur sa për të ushtruar armiqësinë, në mënyrë që të shkarkojmë ca valvola të impulseve tona agresive. U duk qartë që të dyja palët nuk janë të interesuar as për paqe e as për sherr. Secili ka nga një mijë halle në vendin e vet, ku i duhet të luftojë fort me pakënaqësitë në rritje tek qytetarët, mirëpo janë të detyruar të bëjnë një ndeshje të trukuar, sa për t’iu bërë qejfin tifozëve të etur për boks. Ndeshja luhej në fusha të kithta, ku çdo gol i secilit, midis dy palëve pa asnjë miqësi apo armiqësi, shënohej në portën e opozitave respektive.
Realisht, takimi i Ramës me Vuçiçin nuk pati asnjë qëllim konkret. Tre marrëveshje të nënshkruara, të cilat u përmendën sa për kronikë dhe disa takime formale pa asnjë peshë, të cilat realisht nuk janë shoqëruar e as do të shoqërohen nga ndonjë axhendë konkrete. Ndërkohë vizita e Ramës në Preshevë është gjithashtu pjesë e teatrit pa asnjë produkt. Kjo nuk është vizita e parë e tij në këtë vend, ndërsa Presheva, Medvegja dhe Bujanovci as që ekzistojnë në ndonjë cep të axhendesë së tij, ashtu si edhe zonat e banuara nga shqiptarët në Maqedoni e Malin e Zi. Në fakt, edhe Kosova ekziston më shumë si kokëçarje në politikën e ditës së Kryeministrit sesa si një projekt, e aq më pak si mision.
Nga ky aspekt, Rama – ashtu si edhe Vuçiç, nga ana tjetër – shkoi në Beograd për të marrë një barazim, ndërsa fut në xhep tre pikët e tij në politikën e brendshme, për të shlyer të gjithë pakënaqësitë e krijuara si pasojë e indiferencës së tij ndaj shqiptarëve në rajon. Nga njëra anë ai kreu shërbimet ndaj ndërkombëtarëve, për t’u shfaqur si paqtues ndaj serbëve, nga ana tjetër, fërkimi me Vuçiçin, ofron spektaklin e duhur për të ledhatuar sedrën e nacionalizmit ekzibicionist të shumë njerëzve që kënaqen vetëm duke dëshmuar ekzistencën.
Për këtë u desh një truk, dhe Rama nxorri Kosovën nga çorapet, jashtë protokolli, për ta valëvitur si një dron klandestin “në mes të Beogradit”, pavarësisht se u detyrua ta fusë prapë andej nga e nxorri, duke deklaruar se secili ka të drejtë të ketë dhe të shprehë mendimin e vet – gjë që legjitimon qendrimet shoviniste serbe ndaj vullnetit të një populli të tërë, të dhunuar e martirizuar nga kjo politikë. Por qëllimi i Ramës nuk ishte t’ua valëviste serbëve dronin e tij, por t’ua tundë shqiptarëve si trofe, duke u shfaqur si, Kryeministri që ua përmendi Kosovën serbëve “në mes të Beogradit”.
Parë nga ky aspekt, tifozët shqiptarë mund të ndjehen të entuzjazmuar dhe t’a interpretojnë si fitore edhe këtë ndeshje. Si gjithmonë nevojat tona mjaftohen me fitore morale, ndërsa UEFA do t’i japë edhe kësaj rradhe serbëve 3 pikët në tavolinë. Fundja jemi mësuar vazhdimisht të gëzojmë se luajtëm mirë, ndonëse ndeshjen e fiton gjithmonë kundërshtari dhe ne vazhdojmë të qendrojmë në fund të tabelës së klasifikimit.