Nishani shqiptaro-amerikanëve: Ruani identitetin dhe kulturën shqiptare
E përditshmja The Michigan Daily i ka kushtuar një artikull veprimtarisë përmbyllëse të presidentit Bujar Nishani gjatë vizitës së tij në SHBA, me rastin e pjesëmarrjes në në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Artikulli, i shkruar nga një gazetar greko-amerikan (Anastassios Adamopoulos), ka titull provokues (Albanian president talks pride in ethnicity/ Presidenti shqiptar flet për krenarinë etnike), por në përmbajtje të artikullit nuk citohet asnjë deklaratë e kësaj natyre. Presidenti uron shqiptarët e diasporës së Miçiganit për suksesin e tyre në SHBA dhe u bën thirrje atyre që të ruajnë identitetin dhe kulturën e tyre dhe t’i bëjnë ato pjesë të kulturës amerikane. “U kërkova atyre, komunitetit shqiparo-amerikan, të ruajnë identitetin, të ruajnë kulturën, madje ta bëjnë kulturën e vendit të tyre të origjinës pjesë të kulturës së këtij vendi [SHBA], e cila është tashmë një kulturë e pasur,” deklaroi Nishani për The Michigan Daily.
Rama: Papa vizitoi Shqipërinë si shteti më i varfër në Europë
Papa zgjodhi Shqipërinë për të bërë vizitën e tij të parë në një vend të Europës, për shkak se ajo është vendi më i varfër i kontinetit, – ka deklaruar kryeministri shqiptar Edi Rama, në një artikull për revistën ekonomike amerikane Forbes, dhe ai ndihet krenar për këtë. Ai vlerëson si domethënëse vizitën e Papës për këto arsye: se Shqipëria është një vend me shumicë myslimane dhe se Shqipëria ndodhet në Ballkan, një rajon i njohur, sipas tij, për konflikte gjatë historisë. Nga gjysmë shekulli diktaturë, kryeministri Rama thekson faktin që regjimi komunist vrau klerikë katolikë dhe shembi kisha, por nuk i përmend klerikët myslimanë e ortodoksë, apo xhamitë, teqetë, dhe objekte të tjera fetare që u shkatërruan me të njëjtën egërsi dhe me shumicë. Pargrafët e fundit të artikullit janë më shumë të fokusuar te dy personazhe që, sipas autorit, janë liderët e Europës: Para Françesku dhe Agela Merkel. “Sfida jonë sot është të qëndrojmë larg epidemisë së konflikteve fetare, të cilat në këtë rajon [Ballkani] do të ktheheshin automatikisht në konflikte etnike dhe do të çojë në momarrëveshje për kufijtë e tanishëm të paqes. Kjo është sfida jonë. Por është një sfidë për gjithçë Europën, sfidë që duhet ta përballojmë bashkë, me kurajë. Angela Merkel dhe Papa na kanë treguar rrugën. Të tjerët duhet ta ndjekim. Kjo është një luftë që Europa duhet ta bëjë bashkë,” përfundon artikulli i kryeministrit shqiptar.
Rusia kundër Ballkanit në NATO
Agjencia Reuters njofton se Rusia e shikon si provokimin zgjerimin e NATO në Ballkan, duke patur parasysh anëtarësimin e disa republikave ish-jugosllave: Bosnja, Maqedonia dhe Mali i Zi. Artikulli i referohet, për qëndrimin rus, një interviste të ministrit të Jashtëm rus, e botuar të hënën e kaluar. “Në lidhje me zgjerimin e NATO-s, unë e shikoj atë si gabim, madje si provokim,” deklaroi Sergei Lavrov, citon Reuters. Sipas agjencisë britanike, Rusia ka interesa për energjinë në Ballkan dhe lidhje historike me sllavët, shumica e tyre ortodoksë si rusët.