Platoni tek Republika, flet për idealin e një shteti të sunduar nga intelektualët që kombinojnë njohjen teorike me aftësinë praktike për zbatimin e saj në problemet konkrete. Në realitet, askush nuk ka ekspertizë teorike në subjekte të veçanta dhe nuk ka ndonjë lidhje mes zotërimit të një një njohjeje të tillë dhe të qenit i aftë për ta përdorur atë në zgjidhjen e problemeve komplekse.
Edi Rama dhe Ilir Meta dëshmuan në një takim me veteranët se ata mund të sfidojnë gjithçka. Ata provuan se zotërojnë ekspertizën teorike në çfarëdolloj lamie dhe zotërojnë po ashtu edhe aftësinë për për të zgjidhur probleme komplekse. Edi Rama tha se kushdo që nuk respekton 29 nëntorin si datë të çlirimit të Shqipërisë është tradhëtar. Ai pohoi se është e turpshme që për luftën nuk flasin ata që e bënë atë, por tradhëtarët. Mesa duket Rama mendon se për “luftën” duhet të flasin vetëm “veteranët”, të cilët duhet të tregojnë se sa e lavdishme qe përpjekja e tyre, se sa e papërshkrueshme qe ajo “epope”, se sa madhështor ishte roli i Enver Hoxhës, se sa vegla të verbra të armikut ishin nacionalistët, ballistët e legalistët, se sa poshtë e cuan emrin e Shqipërisë “tradhëtarët” dhe sa lart e ngritën atë “heronjtë partizanë”.
Ka patur këto ditë dëshmi “veteranësh” që flasin, në shtyp dhe televizione, me këtë gjuhë. Çështja është se ka edhe dëshmi të tjera, si ajo e At Zef Pllumit në librin “Rrno për me tregue” që thotë :
“Shkodra kish pas pa shumë ushtri të hueja, por nji ushtri si kjo e partizanvet kurrë. Kjo ushtri hyni në Shkodër më 28 nandor me flamurin jugosllav në krye.”
At Zef Pllumi flet edhe për terrorin që ushtroi kjo ushtri “çlirimtare” në qytet dhe si kërkoi të vendosë që atë natë flamurin jugosllav tek këmbana e katedrales së Kuvendit Françeskan.
Disa orë pasi Edi Rama bëri këtë deklaratë para veteranëve ku quajti tradhtar gjithkënd që nuk njeh 29 nëntorin për datë çlirimi, në sheshin Nënë Tereza u mbajt një koncert. Në muret e akademisë së arteve dhe të universitetit të Tiranës shfaqeshin me projektorë, veç reklamave, logove për 70 vjetorin, fjongove dhe tollumbaceeve, edhe pamje nga vizita e Papa Françeskut dy muaj më parë. Çdo një minute, në mure shfaqej papa Françesku ma makinën e tij, duke përshëndetur njerëzit në shesh. Askush nuk mund të kuptonte domethënien e këtyre pamjeve teksa në shesh këndonin për dashurinë, jetën e qejfit, seksin, këngëtarë të rinj shqiptarë dhe një këngëtare britanike, me rastin e 29 nëntorit. A përbënte kjo cënim të laicitetit, a ka lidhje vizita e Papës me çlirimin e Shqipërisë? Duhet të rrëmojmë tek vetdija intelektuale e kryeministrit për këtë.
Edi Rama tha në takim me veteranët se duhet ndarë lufta nga paslufta. Pra ai foli për metodologjinë e qasjes ndaj këtyre ngjarjeve. Filozofia e historisë, filozofia e njohjes, filozofia e shkencës me sa duket kanë nevojë të ripërkufizohen, sipas Ramës. Nën këtë prizëm duhet të ndahet edhe cilësimi “tradhëtar”, i atyre që – si At Zef Pllumi – nuk e njohin datën 29 nëntor si datë çlirimi nga vizita e Papa Franceskut. Pra portreti i Papa Franceskut mund të shkojë shumë mirë me festimet për 29 nëntorin, pavarësiht se kisha që ai drejton ka patur martirë në Shqipëri që kanë menduar bash si at Zef Pllumi, që në 28 nandor, në Shkodër (qyteti i fundit i çliruar) hyni nji ushtri partizane me flamur jugoslav.
Ndërsa Ilir Meta në takimin me veteranët tha se lufta çlirimtare, jo vetëm që çliroi vendin nga pushtuesi, por bëri të mundur edhe pavarësinë e Kosovës në ditët e sotme. Teza e Ilir Metës është diçka e papërkufizueshme. Tek ajo gjen të bëra bashkë histori, filozofi, fiction, sociologji, gjeopolitikë, astrologji etj. Ideja e Platonit me sa duket nuk është dhe aq utopi.
Studiuesit e shkencave politike, historianët, sociologët etj, kur flasin për cilësitë e politikanit nënvizojnë si thelbësor karakterin. Ai, informacionin dhe ekspertizën mund ti marrë tek këshilltarët dhe ndihmësit, organizimin e punës mund t’ia bëjë një staf i mirë njerëzish që dinë të veprojnë, por karakterin, (sinqeritetin, ndjenjën e të vërtetës dhe të drejtës) nuk e gjen askund. Peggy Noonan thotë se Truman nuk dallohej për ndonjë cilësi të veçantë, por karakteri I tij shpëtoi Europën nga stalinizmi. Presdienti Reagan nuk ishte as jurist, as ekonomist e as intelektual i madh, por ai shpëtoi Amerikën nga kriza ekonomike dhe botën nga komunizmi. Thatçher nuk ishte dijetare por kishte një karakter të rrallë. Rama dhe Meta nuk janë zgjedhur dhe as nuk është detyrë e tyre të reformojnë dijen dhe mendimin botëror në filozofi, histori apo kudo.