Ajo që do të quhej lajm sot, është dalja e pakursyer e tifozëve anembanë vendit, rajonit dhe diasporës, në një festë të përmasave mbarkombëtare. Dolën edhe ata që flamujt kombetarë diku i hodhën në trotuar, diku i dogjën me duart e tyre (…si në një ambjent përball selisë qëndrore të LSI).
Doemos gëzojmë. U bëmë pjesë e europianit për herë të parë dhe këtë mbrëmjen e sotme do ta rrëmbejë historia ashtu siç ndodhi: me përlotjen e lojtarëve me në krye De Biasin në fund të minutës së 90’ të ndeshjes, ndërhyrjen e ndërkryer te Dukës, gjatë intervistimit të lojtarëve, mosdaljen zyrtare të kreut të qeverisë, por prononcimin e tij në linja private, përgatitja për nderimin e kombëtares historike të 2015 me Urdhërin “Nderi i Kombit”.
Sukses shumë i madh i kombëtares. Kemi thënë fjalën e fundit dhe kemi prerë biletën historike. Brenga do të jetë e kahershme me Serbinë, por tek e fundit nuk është e vetmja brengë. Në fakt e vetmja kënaqësi që do ta bënte më të kapërdishme kafshatën e përlotur të humbjes në shtëpi me fqinjët, është kënaqësia e ndjerë thellë për kualifikimin në europian.
Qytetaria fitoi sot. Sepse nuk mund të konceptohet një fitore pa lumturi të përgjithshme. Fitorja e Pirros është një mit, fitoret e Napoleonit janë gënjeshtra politike. Fitorja e qytetarisë quhet e tillë me aprovimin e qytetarëve, jo me dekretime formale televizive. Sot fitoi qytetaria jonë çiltër. Kur populli shpërfillshëm feston në shesh i pathirrur nga subjekte brenda subjekteve, pa zarfe, pa sforcime, pa prezenca fantazmash që i friksojnë nëse brohorasin me fjalë të papranueshme e patolerueshme nga çensura. Sot fitoi qytetaria sepse festa më legjitime në botë është ajo ku valon demokracia pa dorashka për të gjithë. Demokraci e pangushtuar, e pandrydhur për të shprehur atë qytetari që ne kemi e për të qenë ata qytetetarë që ne realisht jemi.
Jam mëse i bindur se atmosfera në Elbasan do të qe normale edhe pa shumë masa shtrënguese, atëherë po që do të mund të deklarohej fitorja e qytetarisë. Brohoritjet e dëgjuara në mes të Shkupit “Ubi, ubi Serbia”, janë të kuptueshme. Më katolik se Papa nuk bëhemi dot. Nuk ka se si të keqkuptohet, sepse përpos gjëmës së Beograd, përpos fitores në Elbasan, pala Serbe dërgon notë proteste në UEFA, për fishkëllimën e himnit dhe për xhamin e autobusit. Ne para një viti i luteshim Zotit që djemte e kombëtares të dilnin gjallë nga ajo ferrë e ngatërruar grushtash, shkelmash, sendesh të forta që fluturonin nga të katër anët, të shoqëruar me urrejtjen e vargjeve të këngëve çetnike dhe “…ubi, ubi siptara”-në e famshme që ne nga Serbët e mësuam.
Përpos të gjitha këtyre, ne sot kemi të bëjmë jo më me përfaqësuesen e një shteti, por me një ekip kombëtar, me përfaqësuesen e një kombi. Pasi një falenderim i vaçant i shkon lojtarëve me orgjinë nga troje, për arsye historike, jashtë trungut amësor të shtetetit shqiptar në Ballkan. Jo më kot kjo kombëtare përshëndetet me brohorimat “Shqipëri etnike”. Jashtë interpretimeve të turpshme që dëshirojnë t’i bëjnë dashakeqët politikë. Kjo kombëtare përfaqëson etnikisht të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Parulla “Shqipëri etnike”, më së shumti këtë glorifikon se sa një plan konkret për ribashkimin e dheut të sakatuar të shqipëtarëve të lodhur me dhunën. Këtë edhe vete populli serb e di. Por nuk po e mësojnë, sepse nuk duan, ata megafonët e prishur elektoralo-politikë që e quajnë veten media, në vendin fqinj.
Ajo që mund të quhet lajm sot, është se ajo qytetaria e gjumit në stadium dhe justikimi “në fund fitoi qytetaria”, bien kryekëput poshtë. Cila qytetari dreqi e mori?! Ajo qytetaria që të bën tapë, karroqe gjatë ditës e nuk ke takat në darkë, si tifozët në Elbasan? Ajo qytetari që i bëri rreshtore shqiptarëve para stadiumit, në emër të serbëve? Ajo qytetari që prangos Ballist Morinën më pak se 24 orë para ndeshjes, për faktin se kryeministri fqinj u intimidua nga nje video në rrjet? Ballistin, (Këtë krijesë të thjeshtë të Perëndisë) fare mirë mund ta kishin ndaluar shumë më herët. Pse pikerisht tani? A është kjo diplomaci që shpreh qytetari, apo nënshtim? Bogdanovi udhëhiqte turmat në stadium!
Nuk quhet qytetari ajo që e mbushi stadiumin me disa buxhetorë, që dyert e stadiumit kanë një jetë që nuk i shohin. Tifozë pa gjak! Pse nuk i njohim këta lloj tifozësh ne?! Njësoj janë në të gjithë botën. Indiferentë dhe moskokçarës. Kur i nderon, të lajnë e të lyejnë, kur i zhgënjen, të hedhin poshte e të lënë vetëm, si flamujt lovaçe në trotuar. Njerëz të lindur vetëm për të shkuar në punë ç’do ditë, për të paguar taksat, për të votuar periodikisht me porosi dhe për të vdekur. Këta nuk janë qytetarët e shqipërisë. Këta janë shembulli i qytetarit që dëshiron të farkëtojë ky shtet. Qytetarë të strukur brenda disa normave konfuze që nuk janë të qarta as për ata që i kanë shkruar e imponuar historikisht. Qytetaria do të qe një nonsens filozofik nëse e shkëpusim nga qytetari dhe nga liria e këtij të fundit për ta ushtruar atë.
Sot jam përlotur bashkë me gjithë shqipëtarët e tjerë me zemër. Jam pjesë e atij brezi që ndeshjet zyrtare të përfaqësueses i ndiqte me një gjysmëshpresë të shuar. Gëzonim të kushtëzuar nga pamundësitë dhe niveli i kombëtares. Ndërsa sot mund të thuhet se ky është vetëm hapi i rradhës së një ekipi me kapacitet të plotë. Që gëzon mbështetje mbarëkombëtare dhe respekt ndërkombëtar.