Timothy Heritage dhe Alexei Anishchuk
Reuters
Presidenti Vladimir Putin akuzoi armiqtë e Rusisë të enjten se kërkojnë të izolojnë dhe shkatërrojnë ekonominë e saj, për ta ndëshkuar për shkak se ajo po bëhet e fortë, por ai shtoi se vendi i tij do t’i përballojë të gjitha sfidat.
Në një fjalimin e tij të përvitshëm në parlament, lideri i Kremlinit trumbetoi aneksimin e Krimesë nga Ukraina, përgëzoi popullin rus për forcën e tij, akuzoi perëndimin për “cinizëm të kulluar” në Ukrainë dhe tha se sanksionet ekonomike duhet t’i shtyjnë rusët të zhvillojnë ekonominë e tyre.
“Jemi gati të përballojmë çdo sfidë të kohërave dhe të fitojmë,” deklaroi ai, ndërkoh që u duartrokit nga audienca me 1000 personalitete, thuajse të gjithë përkrahës besnikë të tij.
Ai mbajti një fjalim që nuk tregoi asnjë shenjë tërheqjeje nga politikat që e çuan vendin e tij në përplasje me perëndimin, një përplasje e paparë qysh prej luftës së ftohtë.
Duke i zhgënjyer shpresat e shumë investitorëve, ai nuk prezantoi ndonjë plan të madh për të nxjerrë ekonominë nga një krizë e thelluar me rënien e çmimeve të naftës dhe nga sanksionet e perëndimit për shkak të qëndrimit të tij ndaj Ukrainës.
Ai fajësoi perëndimin për problemet e Rusisë, duke akuzuar “armiqtë e djeshëm” që përpiqen të rikthejnë një Perde Hekuri të re rreth Rusisë. Armiqtë, tha ai, dëshirojnë për Rusinë të njëjtin fat me Jugosllavinë më 1990:
“Nuk ka asnjë dyshim, ata duan të shikojnë skenarin e kolapsit të Jugosllavisë dhe shpërbërjen e tonë – me gjithë pasojat tragjike që do të ketë për popujt e Rusisë. Kjo nuk ka ndodhur. Ne nuk e lejuam këtë.”
Kaq i vendosur ishte perëndimi për të shkatërruar Rusinë, tha ai, saqë sanksionet do të ishin vendosur dhe pa krizën në Ukrainë:
“Jam i qartë që dhe sikur kjo të mos kishte ndodhur… ata do të kishin shpikur një arsye tjetër për të frenuar aftësitë rritëse të Rusisë. Kurdoherë që dikush thotë se Rusia është bërë e fortë, ata përdorin këtë instrument.”
Kur premtoi ta mbante Rusinë të hapur ndaj botës, ai mori një qëndrim agresiv:
“Ne nuk do të ndjekim kurrë rrugën e vetizolimit, ksenofobisë, dyshimit dhe krijimit të armiqve. Gjithë kjo është manifestim dobësie, ndërsa duken të fortë e me vetëbesim.”
NDËR PRESION PËR EKONOMINË
Ish-spiuni i KGB, 62 vjeç, nuk e mori në konsideratë presionin të jepte përgjigje për ekonominë e përkeqësuar, edhe pse zyrtarët e pranuan këtë javë se Rusia po ecën drejt recesionit.
Ai premtoi amnisti për kapitalin rus jashtë vendit. Ata që sjellin paratë në Rusi nuk do të pyeten për mënyrën si i kanë fituar. Por ai nuk i kënaqi dot tregjet dhe kritikët.
Tim Ash, analist në Standard Bank, tha se Putini nuk ka ide të mëdha të ndihmojë ekonominë ose të lehtësojë tregjet në lidhje me asetet ruse: “Kjo është shkollë e vjetër, gjëra nga të Luftës së Ftohtë.”
Sergey Aleksashenko, ish-zëvendësdrejtor i Bankës Qendrore, u shpreh i zemëruar me dështimin e Putinit për të përmirësuar ekonominë. “Nuk ka asgjë për të diskutuar dhe asgjë nuk pritet. Gjithçka do të vazhdojë siç është. Dhe kjo i përshtatet atij.”
Një analist tjetër, Dimitry Trenin, tha se Rusia duhet të përgatitet për 4-5 vjet me “rrezik shumë të lartë”.
Komentuesit politikë thonë se Putini do të vazhdojë të përdorë ndjenjat patriotike dhe armiqësinë ndaj perëndimit për fshehur problemet ekonomike të Rusisë.
Duke mos treguar ndryshim ndaj Ukrainës, Putini tha se Krimeja, të cilën e pushtuan trupat ruse pasi protestuesit në Kiev rrëzuan një president pro-rus, kishte kuptim të shenjtë për Rusinë, përgjithmonë.
Ai tha se konflikti që pasoi në Ukrainën lindore, ku separatistët e mbështetur nga Moska kanë nën kontroll një territor që e quajnë Rusia e Re, tregoi që vizioni i Moskës ishte i drejtë.
Popullariteti i Putinit është ende i lartë dhe ai nuk është përballur me protesta serioze për rënien ekonomike. Por rënia e rublës i jep fund stabilitetit të monedhës dhe kjo është kurora e 15 viteve të sundimit të tij. Monedha ka humbur një të tretën e vlerës së saj këtë vit, qarkullimi i kapitalit ka ngrirë, rënia e çmimit të naftës ka hapur një gropë në financat e shtetit, dhe kompanitë e bankat ruse po kruajnë xhepat të paguajnë borxhet e jashtme.