George Friedman
Geopolitical Futures
Pas Sllovakisë, ndalesa tjetër e udhëtimit tim në Evropë është Bukureshti, kryeqyteti i Rumanisë. Është një vend që e kam vizituar shumë herë, kryesisht ngaqë e kam parë Rumaninë si pjesë strategjike të ngjarjeve të ardhshme. Kisha parashikuar të paktën që Rusia të rikthehej në statusin e fuqisë së madhe dhe që të bënte këtë i duhej të përpiqej për të vendosur një farë kontrolli mbi vendet kufitare që i kishte dominuar për pjesën më të madhe të tre shekujve të fundit.
Në krahun perëndimor drejt gadishullit evropian, në kohë të ndryshme përballej me forca ushtarake më të zhvilluara dhe sofistikuara. Strategjia e saj kombëtare ishte që t’i detyronte ato të sulmonin në hapësira të gjera, të arrinin në Rusi të lodhura nga largësia dhe moti. Përveç ushtrive të largëta me të cilat u përball, Rusia do të ishte mundur dhe pushtuar jo vetëm nga ushtritë që e sulmuan, por dhe nga ato që mund të kishin sulmuar, por nuk e bënë për shkak të largësisë.
Pati dy rreshta me shtete që shërbyen si mbrojtje e padiskutueshme në fitoren e Rusisë ndaj Napoleonit dhe Hitlerit. Rreshti i parë ishte Ukraina, Bjellorusia dhe vendet baltike. Rreshti i dytë ishte Polonia, Çekosllovakia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania. Trupat ruse shkuan drejt perëndimit deri në Gjermaninë qendrore. Çdo mendim që Nato mund të kishte për të sulmuar Rusinë zhdukej nga hapësira që duhej përshkruar.
Shembja e Bashkimit Sovjetik e ktheu Rusinë në kufijtë e saj; që ishin pak a shumë kufijtë e saj në shekullin e 18. Gjatë viteve 1990 ekzistonte një fantazi që Rusia thjesht do t’i pranonte këta kufij. Megjithatë, kaosi i viteve 1990 u mësoi rusëve se, megjithëse kishin qenë të varfër në Bashkimin Sovjetik, ata kishin qenë të fuqishëm dhe të respektuar. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ata ishin të varfër dhe të përbuzur. Ata kishin pak dëshirë të vazhdonin të ishin ashtu si ishin dhe dukej e paevitueshme që do të përpiqeshin të rimerrnin të paktën pjesë nga rreshti i parë, pavarësisht statusit të tyre si shtete të pavarura.
Vendet baltike Rusia i humbi, sepse ishin pjesë e Natos dhe rreziku ishte i lartë. Bjellorusia ishte rast tjetër, e sunduar siç është nga brezhnjevisti i fundit. Por për pozicionin rus kyç ishte Ukraina, pjesërisht për shkak të madhësisë, dhe pjesërisht pse ky ishte vendi ku rusët mundën gjermanët. Pashmangshmërisht, rusët do të përpiqen ta bëjnë të qartë se kanë fituar një farë kontrolli mbi Ukraninën.
Ky ishte çasti kur SHBA do të përfshihej. Ajo luftoi në Luftën e Parë Botërore, të Dytën dhe Luftën e Ftohtë, për të frenuar çdo lloj hegjemoni nga dominimi i gjithë Evropës dhe që do t’i përdorte burimet për të sfiduar SHBA. Në të shkuarën SHBA iu përgjigj fuqive në ngritje duke krijuar aleanca, me parandalim dhe vetëm si zgjidhje të fundit me luftë të hapur.
Ndërsa Rusia rriti presionin në drejtim të perëndimit, SHBA bëri tentativa për ta bllokuar. Dy vende ishin kyçe për këtë strategji – Polonia dhe Rumania. Polonia ishte në shumë drejtime strategjikisht më e përcaktuar se Rumania. Rumania ishte sunduar nga një diktator plot gabime, Nicolae Ceaușescu. Për të pasur një ide për të, kujtoni që ai e quante veten “gjeniu i Karpateve.” Kjo s’meriton të flitet më gjatë për të. Por ndryshe nga Polonia, largimi i tij ishte i përgjakshëm dhe çmontimi i aparatit të tij të sigurisë ishte dhe më i përgjakshëm. Sërish ndryshe nga Polonia, Rumania doli nga komunizmi më e dëmtuar dhe e pasigurt.
Megjithatë, nëse Ukraina do të bëhej një rajon i diskutuar, Rumania ishte një vend i rëndësishëm për shkak të gjeografisë së saj. Ajo ka një kufi të konsiderueshëm me Ukrainën, dhe Moldavinë, me lidhje të forta, pak në brendësi të Ukrainës. Polonia e bllokon Rusinë në veri, Rumania në jug. Problemi është se SHBA nuk e kuptoi ndryshimin e rëndësishëm në strategjinë ruse dhe ishte fokusuar në raketat balistike dhe jo te mbrojtja ndaj fuqisë në rritje të Rusisë. Rumania ishte fokusuar për në BE dhe për të gjetur një balancë mes Evropës dhe Rusisë, dhe nuk e pa të nevojshme ndihmën për SHBA. Dukej një martesë pa kuptim.
Lidhjet janë pjekur me rritjen e kërcënimit të Rusisë pas ngjarjeve në Ukrainë. Pjesa më e rëndësishme, veç kufirit me Ukrainën, është Deti i Zi. Deti i Zi është bërë një pikë kritike në garën mes Perëndimit dhe Rusisë, dhe Rumania ka një port, Kostanjën, që mund të përdoret si bazë e rëndësishme.
Nëse shikoni hartën, e kuptoni që pika tjetër në frenimin e Rusisë është Turqia. Në sipërfaqe, Turqia duhet të jetë thellësisht e përfshirë në proces, qysh kur rrëzoi një avion rus në nëntor. Turqit kanë mbajtur bisedime kohët e fundit me Poloninë dhe Rumaninë, qartësisht për rusët. Por SHBA është një problem për Turqinë. Amerikanët janë të përfshirë thellësisht në Poloni dhe Rumani, dhe Turqia do të ketë përplasje interesash me SHBA në veri. Megjithatë, Ankaraja dhe Uashingtoni kanë qëndrime të kundërta për Rusinë, sidomos në lidhje me ndihmën e SHBA për kurdët.
Rumania duhet të bashkëpunojë me Turqinë në lidhje me Detin e Zi, si dhe me SHBA, por marrëdhënia SHBA-Turqi krijon ndërlikime për Rumaninë. Sidoqoftë, niveli në të cilin kanë përparuar marrëdhëniet SHBA-Rumani vitet e fundit është i jashtëzakonshëm.
Në shumë drejtime, Rumania vuan nga e shkuara komuniste. Qeveria dominon jetën ekonomike, dhe me këtë, pashmangshmërisht, vjen korrupsioni. Qeveritë që kanë kontroll të vogël mbi pasurinë kanë pak korrupsion. Pse do t’u jepnit ryshfet të pafuqishmëve? Kur e kundërta është e vërtetë, korrupsioni rritet. Rumunët janë përfshirë në një fushatë masive kundër korrupsionit, por në këndvështrimin tim, kjo nuk do të funksionojë derisa të ketë rishikim të marrëdhënies së ekonomisë me shtetin.
Rumunët i bëjnë gjërat në mënyrën e tyre. Marrëdhënia me SHBA nuk është krijuar mbi admirimin e ndërsjellët, por mbi gjeografi. Nëse SHBA do të merret me Rusinë, ajo duhet të merret me çdo vend që ka kufi me Ukrainën dhe Detin e Zi, dhe ky vend është Rumania. Rumunët ende janë të fokusuar në BE si busulla e tyre ekonomike, dhe SHBA pret që aleatët të sillen siç sillet ajo – ose pretendon se sillet. Padyshim që ka fraktura, por me ardhjen këtu unë kuptova dy gjëra: rëndësinë e Rumanisë për interesat amerikane dhe faktin që shumica e amerikanëve nuk e dinë se ku bie Rumania, e aq më pak që ajo është bërë një aleat me rëndësi. Realiteti krijon politika. Politikat nuk krijojnë realitet. Prandaj, në fund, nuk ka rëndësi që rumunët janë të fokusuar në BE dhe që amerikanët nuk janë fokusuar tërësisht në Rumani. Këtë marrëdhënie e përkufizon realiteti i Rusisë.