
Nuk e kuptova mirë një deklaratë të historianit Bernd Fischer.
Vizita e mysafirit të rëndësishëm, ngjarje e shënuar për komunitetin katolik në Shqipëri, është e tillë edhe për qytetarët jokatolikë; ky Papë veçanërisht, me profilin e vet shpirtëror dhe moral, ka shumë për t’u mësuar të gjithëve atje, pavarësisht nëse besojnë në Zot apo jo.
Por më vrau veshin pohimi se:
Vizita e Papës është një tregues tjetër se Shqipëria është pranuar në komunitetin e kombeve dhe se ajo po ecën në drejtimin e duhur.
Çfarë do të thotë kjo? Ç’lidhje ka Papa me vendin e Shqipërisë në komunitetin e kombeve? A nuk është Krishterimi, dhe në veçanti Katolicizmi, një model i bashkësisë njerëzore alternativ ndaj kombit?
Dhe, më tej akoma, Shqipërinë e nderon vizita e Papës, por vendi nuk ka megjithatë nevojë për këtë vizitë, që të konfirmojë përkatësinë në komunitetin e kombeve – të cilit i ka përkitur prej kohësh; madje edhe në vitet e regjimit totalitar.
Një teprim i padëshiruar, pra; i ndërthurur me dozë të pashpjegueshme bullshit-i. Para pak vitesh, Shqipërinë e vizitoi edhe një Papë tjetër – a nuk i mjaftoi ajo vizitë, prof. Fischer-it, si kriter i përfshirjes; apo mos vallë ka pritur që vendin ta vizitojnë së paku dy Papë?
Thotë më tej historiani Fischer:
Papa e ka bërë të qartë se vizita e tij është pjesërisht një festim i suksesit të Shqipërisë në zhvillimin e harmonisë fetare.
Shpresoj që këtu ta ketë fajin përkthimi. Sepse për harmoninë fetare në Shqipëri nuk ka ndonjë meritë shteti shqiptar; por shqiptarët vetë – dhe mes tyre, komuniteti që ka përbërë shumicën numerike të shqiptarëve në shekuj: myslimanët.
Shtetit shqiptar natyrisht i intereson kjo harmoni fetare; por Shqipëria nuk është shtet si Libani, i ngritur konstitucionalisht mbi ekuilibrat ndërfetarë.
Përndryshe, ku dhe si qenka zhvilluar kjo harmoni fetare? Me siguri Papës këtë do t’ia kenë shpjeguar; tani bëjnë mirë t’ua shpjegojnë edhe qytetarëve.
Sepse, çfarë kam vënë re unë në diskursin e elitave politike sot në Tiranë dhe në Prishtinë, ose orientalizmi kitsch që e shpjegon çdo dështim të klasës politike dhe të vetë shoqërisë shqiptare me të kaluarën osmane dhe – tërthorazi – me komponentin islamik të kësaj shoqërie, nuk më duket se po i shërben gjë kësaj harmonie, dhe aq më pak zhvillimit të saj.
Dhe aq më e vërtetë është kjo, kur të zë syri mes zëdhënësve të këtij diskursi orientalist kitsch edhe disa autorë që identifikohen si të komunitetit katolik. Unë vërtet shpresoj që vizita e Papës dhe fjalët e tij do t’i bindë këta zotërinj se komuniteti katolik në Shqipëri nuk e ka fituar respektin e të gjithëve dhe vendin e nderit në tribunat e kulturës kombëtare duke nëpërkëmbur e qesëndisur komunitetet e tjera!
Njëlloj dëmtuese për harmoninë fetare rezultoi, pikërisht këto muaj, edhe përpjekja kryesisht e mediave, për t’ua prishur festën e madhe Ortodoksëve në Tiranë, me rastin e shenjtërimit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit” – një ngatërresë e pahijshme e punëve të fesë me kombëtarizmin sërish kitsch.
Sikur të isha fetar, do të lutesha tani, mes të tjerash, që Papa t’u kërkonte shqiptarëve, mes tyre edhe katolikëve, më shumë përvuejtni.
Përfundon prof. Fischer:
Shqipëria është një model në këtë drejtim dhe meriton t’i njihet kjo arritje [harmonia fetare]. Vizita e Papës do ta nxjerrë këtë arritje në qendër të vëmendjes.
Le të shpresojmë kështu – edhe pse nuk besoj të jetë ky synimi që kërkojnë të arrijnë qytetarët halleshumë të Shqipërisë me këtë vizitë: dhe pikërisht që t’u njihet virtyti i harmonisë fetare botërisht. Përfitimet diplomatike të kësaj ngjarjeje kanë vendin e tyre; por unë do të doja, para së gjithash, që shqiptarët anembanë t’i vinin vesh mesazhit shpirtëror që sjell Papa dhe promovimit të vlerave soft të Krishterimit: dashuria për tjetrin, dhembshuria, empatia, solidariteti social, ndihma për më të dobëtit, respekti për personin dhe të drejtat e tij të pajetërsueshme, respekti për shenjtërinë e jetës, gatishmëria për falje dhe arti i pendesës. Dhe sidomos, të kuptonin në praktikë – nëse kjo do të ishte e mundur – se idhujtaria është edhe shpërdorim i vlerave më delikate dhe më të vyera, që secili prej nesh ruan brenda vetes.
Për fat të keq, edhe mënyra si u organizua shtetërisht dhe sidomos si u pompua nga mediat kjo vizitë u njollos nga idhujtaria: u lëvdua Papa si figurë autoritare dhe u shpalos imazhi i tij (brand-i), por fare pak u fol për mesazhin që po i përcjell ai botës; u fol për katolikët shqiptarë dje dhe sot, siç edhe duhej, por mund të flitej edhe për çfarë do t’u thotë Papa laikëve në Shqipëri – të cilët, pavarësisht nga brroçkullat publike që lëshojnë, mbeten, në fakt, në krye të punëve.
Dhe më në fund, fare pak dëgjuam të flitet për ata shqiptarë, katolikë, jokatolikë dhe laikë, që mishërojnë sot vlerat kristiane në Shqipëri.
Papa vjen si emisar i Njeriut të virtytshëm; por ne po e presim me një potlatch madhështor; le të shpresojmë se nuk do të ketë shumë antropologë, mes mijëra gazetarëve që do të shkelin Tiranën atë ditë.
Dhe, më në fund, unë nuk e kam të qartë në ç’mënyrë mund të shërbejë Shqipëria si model i harmonisë fetare – dhe sidomos kujt mund t’i shërbejë. Vendet e Europës Perëndimore vijnë nga një traditë intolerance jo vetëm më e fortë se ajo e shqiptarëve; por që në shekuj është kombinuar edhe me racizmin, në forma herë të stërholluara, herë brutale.
Aq më tepër, në shumë nga këto vende, ka tani një rizgjim vulgar të identitetit të krishterë që vjen si reagim spontan ndaj multikulturalizmit dhe degradimit urban dhe suburban, të shkaktuar prej imigrantëve nga vende të botës së tretë. Nuk më duket se Vatikani emocionohet shumë me këtë lloj zgjimi identitar, as me flamujt kryqtarë dhe tempullarë që tundin disa segmente të djathta dhe ultra të djathta të politikës europiane.
Dhe nëse modeli shqiptar nuk i vlen Europës Perëndimore, atëherë kujt vallë do t’i vlejë? Irakut? Izraelit? Nigerisë? Prof. Fischer-i me siguri do të ishte në gjendje që t’i ftillonte këto çështje, me kusht që ta kishin pyetur – por mediat po na mësojnë të mos presim shumë prej tyre, veç zhurmës.