Stanley Milgram është kthyer, me bujë. Psikologu i debatueshëm, eksperimentet e famshme të të cilit në vitet 1960 arritën në përfundimin që shumica e njerëzve do t’iu bindeshin urdhrave jo etikë, tani është temë e një filmi të vlerësuar nga kritika. Ndërkohë që metodat dhe përfundimet e Miligramit janë hedhur poshtë, vepra e tij është pikënisje për një numër të pafundmë debatesh rreth natyrës njerëzore.
Nuk është habi që emri i Miligram-it po përmendet në mënyrë të spikatur në një studim të kohëve të fundit që hedh një vështrim të ri mbi një çështje të vjetër: Çfarë kërkohet që të na bëjë të zbatojmë udhëzimet, edhe kur e dimë që duke bërë këto veprime dëmtojmë të tjerët?
Konkluzioni i studimeve: Mjafton një shtytje e lehtë.
Ekonomisti Aleksandër Karakostas nga Universiteti i Erlangen–Nuremberg në Gjermani dhe Daniel John Zizo i Universitetit të Njukasëllit në Britaninë e Madhe, ofrojnë dëshmi të “një norme bindjeje” karshi figurave autoritare. Ata zbuluan se shumica e pjesëmarrësve në eksperiment zbatuan urdhra të diskutueshëm, edhe pse ata përdorën “shtysa më pak të qarta dhe më të dobëta” se ato që përdori Miligrami në studimin e tij të njohur.
Eksperimenti i tyre, i përshkruar në Journal of Economic Behavior and Organization, u krye në Universitetin e East Anglia të Noruiçit. Pjesëmarrësit, 390 stduentë, morën pjesë në një lojë në të cilën lojtarëve iu dhanë 10 monedha holandeze.
Çdo pjesëmarrës vendosi “të shkatërronte ose jo pesë monedha nga paratë e studentit tjetër.” Ky veprim do t’i kushtonte atij një monedhë, por mund t’i sillte atij si fitim deri në 10 monedha, varësisht nga vendimi i studentit tjetër.
Studiuesit nuk ishin të interesuar në lojë per se, por më tepër ata donin të shinin në ishin në gjendje të ndryshonin dëshirën fillestare të lojtarëve. Me një kusht, nëse pjesëmarrësit “kishin vendosur të mos pakësonin të ardhurat e partnerit të tyre, në udhëzimin pasues ata u pyetën nëse ishin apo jo të sigurt që nuk donin të ndryshonin zgjedhjen e tyre.”
Një grupi lojtarësh iu tha që“është veçanërisht e dobishme (për eksperimentuesit), nëse pakësoni të ardhurat e partnerit tuaj, nëse nuk e kini bërë këtë ende. Jeni krejtësisht të lirë të mos e pakësoni, nëse nuk dëshironi.” Nuk iu dha arsye pse kjo do të ishte e dobishme.
Të tjerëve iu kërkua e njëjta gjë, por e shoqëruar me një justifikim të mjegullt: duke bërë këtë “na ndihmoni që të arrijmë një objektiv shkencor për eksperimentin.” Ndërsa të tjerëve iu tha troç: “Ne, si eksperimentues, ju urdhërojmë tani të pakësoni të ardhurat e partnerit.”
Rezultatet ishin të qarta. “Ne gjetëm që ekziston një normë e caktuar bindjeje, e pavarur nga çdo normë sociale,” shkruajnë studiuesit. “Një shtysë e kufizuar, pa shpjegim të qartë, mund të nxitë bindje te 60 për qind e subjekteve.”
Niveli më i lartë i bindjes shfaqej kur pjesëmarrësve iu tha që, “në radhën me udhëzime të verdha (që do të thotë, radha një, katër, shtatë, dhe dhjetë), do të ishte e dobishme nëse ju pakësoni të ardhurat e partnerit nëse nuk e keni bërë ende.” Studiuesit theksojnë që këto udhëzime “bëjnë më transparente dhe më të fortë atë që kërkojnë udhëzuesit,” pra, duke shtuar presion për t’u bindur.
“Formulimi i shtysës si urdhër direkt nuk ishte ndonjë ndihmë (për të bërë njerëzit të bindeshin),” thanë ata. Sipas studiuesve, “mungesa e sjelljes dhe arbitrariteti i drejtpërdrejtë i kërkesës” mund t’i ketë shtyrë disa nga pjesëmarrësit të rezistonin.
Këto gjetje mbështesin një interpretim revizionist të studimeve të Miligramit për të cilat kemi shkruar më 2012, të cilat arrinin në përfundimin se urdhrat direkt për të shkaktuar shok elektrik ishin më pak të efektshme sesa lutja për pjesëmarrësit që ata duhet të vazhdojnë “për hir të qëllimeve të studimit.” Gatishmëria për të lënduar të tjetër nuk u frymëzua aq shumë nga bindja e verbër sesa idealizmi i deformuar – besimi që ata po kontribuonin në një punë shkencore të rëndësishme.
Kjo është e në përputhje me faktin që, në këtë studim të ri, pjesëmarrësit ishin të gatshëm të ndryshonin sjelljen e tyre kur u thuhej se bërja e kësaj do të ndihmonte eksperimentuesit. Kërkesa për të bërë diçka “për hir të shkencës” me sa duket ka më shumë peshë, madje dhe kur nuk jepen detaje.
Pra, çështja kryesore këtu nuk është aq shumë bindja pa mendim sesa gatishmëria për pranuar që figurat autoritare – që do të thotë, njerëz që ne konsiderojmë si ekspertë – e dinë çfarë është më e mirë. Nëse ky është mësimi këtu, atëherë është urgjente të sqarojmë se kë, pikërisht, ne e perceptojmë si autoritet, dhe si e arrijnë ata këtë status.