Një sondazh i ri i kryer nga Public Policy Polling po pushton faqet e para të lajmeve këtë javë, sepse zbulon që 57 për qind e votuesve të republikanëve duan ta bëjnë krishterimin fenë zyrtare, edhe pse realizimi i kësaj do të kërkonte heqjen e Amendamentit të Parë nga Kushtetuta. Edhe më interesante, të dhënat tregojnë një ndarje të theksuar mes gjinive nga republikanët e pyetur, për këtë çështje: 66 për qind e grave republikane përkundrejt 49 për qind të burrave republikanë do të pëlqenin që të shikonin SHBA të bëheshin një vend më teokratik.
Në tërësi, të dhënat e sondazhit sugjerojnë se mund të ketë një ndarje gjinore intriguese, kur bëhet fjalë për motivimin e votuesve republikanë. Sipas të dhënave, burrat duket se janë më motivuar për arsye ekonomike, ndërsa gratë janë më të orientuara drejt politikës konservatore për arsye fetare dhe sociale.
Një tjetër ndasi gjinore: burrat janë të prirë më shumë se gratë që ta identifikojnë veten si “Tea Party” [lëvizje brenda republikanëve]; 73 për qind e burrave nuk e pranojnë që ndryshimet klimaterike janë të vërteta, krahasuar me 57 për qind të grave republikane; dhe burrat republikanë janë më të prirë se gratë republikane ta pranojnë teorinë e evolucionit, me 43 për qind të burrave dhe 30 për qind të grave që shprehin një lloj besimi te evolucioni. Meqenëse mohimi i ndryshimeve klimaterike është më i lidhur me ndjenjën kundër ambientaliste dhe mohimi i evolucionit është së pari i lidhur me fenë, kjo ndarje është qartësisht e kuptueshme.
Ndarja gjinore vazhdon kur sondazhi shikon se cilin nga kandidatët mbështesin meshkujt dhe femrat republikane. Politikanët që shikohen si më shumë libertarianë ose përkrahës të interesave të korporatave (Rand Paul, Scott Walker) marrin më shumë përkrahje nga burrat, ndërsa kandidatët që janë në anën religjioze të ekuacionit (Mike Huckabee) kanë më shumë përkrahjen e grave. Nga të gjithë kandidatët, Huckabee kishte përkrahjen më të lartë mes grave.
Vitet e fundit është rritur interesi për të kuptuar se çfarë i motivon gratë republikane, veçanërisht ndërkohë që partia e ka shtuar sulmin ndaj të drejtave të riprodhimit. Këto të dhëna, që përputhen me një numër sondazhesh të cilët kanë treguar se gratë janë më besimtare se burrat, ndihmojnë në përgjigjen e pyetjes. Gratë votojnë konservatorët, sepse janë më besimtare.