Romeo Ismahilaj
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore shenjon periudhën në të cilën në shoqërinë shqiptare u konsolidua ideologjia e marksizmit, e cila shfaqet si një prej shprehive më katakteristike të reflektimeve intelektuale që u artikuluan si përgjigje ndaj botëkuptimit tashmë të mposhtur, atij tradicionalist. Karakteristikë e kësaj ideologjie është prozelitizmi (nga greqishtja pros, ‘drejt’, dhe erbimai, ‘vij’: emërton përpjekjen për t’i imponuar të tjerëve bindjet, horizontin vetjak, përkatësinë). Qysh në fillimet e veta të majtën shqiptare e ka shoqëruar prozelitizmi: atëherë kur kishte ndikim të dobët vepronte në hije, kur u fuqizua u shfaq haptas, e jo më thjeshtë si imponim, por edhe si asgjësim fizik i personave që nuk i nënshtroheshin dogmës.
Prej më shumë se 65 vitesh e majta me frymën dhe politikën e saj është e pranishme pothuajse në të gjithë shoqërinë tonë dhe në pjesën dërrmuese të këtyre viteve ajo evidentohet si dominuese në përcaktimin e mënyrës së jetesës politike, kulturore, fetare e të çdo sfere tjetër. E majta shqiptare në momentet më të mira të performancës në qeverisje përshfaq nivelet më të larta të shprehjes së prozelitizmit.
Akti më i dukshëm dhe më funksional i kësaj shfaqje është padyshim monopolizimi i pushtetit mediatik, i cili, si instrumenti më i fortë propagandues bashkëkohor, luan rol vendimtar në transmetimin e të vërtetës dhe gjithë silogjizmave që deduktohen prej ngjarjeve dhe fenomeneve të ndryshme. Media, duke qenë monopol, imponon vetëm një bindje, një besim, një këndvështrim e rrjedhimisht humbet aftësia reflektuese dhe përhumbet elementi moral i pjesës dërrmuese të shoqërisë karshi çrregullimeve e inkoherencave të cilat ndodhin gjithandej në sferat e jetës së shoqërisë sonë. Kjo shpërfaqje ngjason me prozelitizmin e shfaqur tek e majta shqiptare në fillet e instalimit të saj: është shumë e përafërt me cilësinë dhelpërore të princit makiavelist, të cilit i duhet me çdo kusht të ruajë pushtetin, porse në momentin që përballet me popullin duhet ta manipulojë realitetin, e pasi i nënshtron me dinakëri u tregon forcën prej luani. Në historinë e së majtë shqiptare shprehja e Makiavelit “është më mirë të të kenë frikë se të të duan” zbatohet vazhdimisht në mënyrë të qartë.
Një tjetër fushë në të cilën shfaqet rëndom prozelitizmi i së majtës shqiptare është mënyra se si e trajton raportin me devijancat e rënda shoqërore. Krimi moral i atyre që prezantojnë të majtën shqiptare qëndron në bashkëpunimin e pushtetit me trafikun e drogës. Dukuria e prozelitizmit në këtë rast shfaqet në format e interpretimit të fenomenit. Zëra pa ndonjëfarë botëkuptimi moral artikulojnë shprehje sa të pabaza, aq e të paarsyeshme e të padrejta, si: “edhe më parë ka qenë Lazarati”, “edhe këta të tjerët po të ishin të njëjtën gjë do të bënin”, “ky (kryeministri) ka bërë shtet, të tjerat s’kanë rëndësi”, etj.
Të tilla tendenca përqasjesh e shndërrojnë shoqërinë në një turmë të gatshme për t’iu nënshtruar një regjimi totalitar e për ta kthyer liderin politik në individ ndaj të cilit shoqëria i qaset si diktator. Me anë të prirjeve të mbrapshta, në gjykimet e njerëzve të thjeshtë shoqëria ecën drejt gjendjes së totalitarizmit, dogmat elitare e të cilat metaforizohen shumë saktë prej Orwellit në postulatin “lufta është paqe, skllavëria është robëri”.
Tjetër fushë në të cilën evidentohet prozelitizmi është mënyra e interpretimit të fokusit në të cilin janë përqendruar investimet 4 vjeçare të koalicionit të majtë. Dështimet u tejkaluan duke propaganduar me çdo mjet mediatik publik e privat investimet në rregullimet e shesheve të qyteteve, pra vetëm duke shitur imazh. Njerëzit në një situatë ekstaze, të mahnitur nga këto investime urbanistike, arrijnë të besojnë se kjo është e duhura, edhe pse atyre iu mohohen disa të drejta e të mira materiale bazike. Kësisoj, imponimi apo përvetësimi i këtyre bindjeve kapërcen nevojat e vërteta, duke i ndrydhur së brendshmi për të shpërthyer në një moment tjetër, kur dogmat false të shteren prej energjive të manipulimit të mendjeve dhe e keqja të prekë çdo individ.